HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-01-17 16:16:04
A+ A- Printo artikullin



Zjarri i Shëna Ndout. Ndërmjet legjendës e historisë



Me përhapjen e krishterimit, Kisha e bëri të vetin mitin pagan të Prometeut, që ua vodhi zjarrin perëndive, për t’ua dhuruar njerëzve. E vendin e Prometeut e zuri Shëna Ndou abat, që lindi e jetoi në Egjipt, rreth vitit 300, duke themeluar monakizmin. Në ikonografi shenjti dallohet menjëherë nga simbolet, që e shoqërojnë: shkopi baritor, që në gjuhën e Kishës quhet ‘ferula’ e derrkuci, shok i pandarë udhe, gjatë shëtitjeve e meditimeve të tij në shkretëtirë. E pikërisht gjatë këtyre shëtitjeve, Shenjti mendonte, plot ankth, për fatin e njerëzve, që nuk kishin zjarr, as për të gatuar e as për t’u ngrohur në netët e akullta të dimrit. Mendim pas mendimi, vendosi të zbresë në ferr, me gjithë shkopin baritor e derrkucin e tij besnik. Vetëm aty mund ta gjente e ta rrëmbente këtë pasuri të paçmuar, për t’ua dhuruar, pastaj, njerëzve. E dinte se këtë mund ta bënte, pa e parë djajtë, vetëm me ndihmën e shkopit baritor, sepse në tytësinë e tij zjarri mund të ruhej, pa flakë e pa tym. Në hyrje të mbretërisë së Belzebulit, djajtë e njohën prej aureolës së ndritur, që kishte mbi kokë dhe ia përplasën derën në fytyrë. Por ndërsa dera ishte ende gjysëm e hapur, derrkuci qe sulur brenda flakëve të ferrit, duke treguar, kështu, se aty ishte i shtëpisë. Sepse në të vërtetë nuk ishte derrkuc, por djall, që e kishte tunduar shenjtin për një kohë shumë të gjatë, duke iu dukur në format më të ndryshme, herë si njeri e herë si kafshë. Prej këndej ikonografia e Shenjtit, rrethuar nga kafshë të ndryshme. Madje, sipas traditës popullore, derrkuci ishte vetë djalli, që Shenjti e kishte dënuar ta ndiqte pas me këtë pamje aspak të këndshme.
Mbeti, pra Shenjti, te pragu i portës së ferrit. E derrkuci brenda. I trembur nga britmat e mëkatarëve të torturuar nga sivëllezërit e zinj, derrkuci ia dha vrapit duke shkaktuar një pështjellim aq të madh në të gjithë botën e zjarrit të pashuar, sa t’i krijonte shenjtit mundësinë të hynte e të dilte me vrap, me zjarrin aq të dëshiruar, fshehur në tytësinë e shkopit të tij baritor.
Por nuk shpëtoi fare pa gjë. Djajtë, vijon legjenda, u tërbuan keqas. Nuk e mbërthyen mbi shkëmb, si Prometeun. E as i dërguan shqiponjën, t’ia hante mëlçinë. Por ia ngjitën, atij e njerëzve të tij të dashur, sëmundjen e tmerrshme, që shkenca e njeh me emrin erisipela ose Herpes Zosther, ndërsa populli, me emrin “Zjarri i Shëna Ndout”. Ja, pra, tregon legjenda, nga vjen kjo sëmundje, që shkakton dhimbje të hatashme: nga skëterra!Ndërkaq njerëzit vijojnë të kujtojnë, në festën e Shenjtit, më 17 janar, me ndezjen e zjarreve të mëdha, dhuratën e mrekullueshme, që u bëri Murgu i Madh, pajtor i grigjëve, i kopeve e i të gjitha kafshëve. Madje Shenjti Shëna Ndue, me dhuratën e tij, simbolizon edhe fundin e dimrit, domethënë të së ftohtës. Prej këndej, në festën e Shna Ndout abat, në shumë vende të botës lartohen flakadaj e njëkohësisht, lutje drejtuar Shenjtit, për t’i dhënë fund dimrit e për t’u rikthyer njerëzve ngrohtësinë e pranverës e atmosferën e karnavaleve, që në shumë vende të botës nisin pikërisht për festën e Shna Ndout abat.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama