HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-01-18 16:02:32
A+ A- Printo artikullin



Papa Rai-t: mos hiqni dorë kurrë nga shërbimi publik, informoni duke respektuar njerëzit



“Mbajeni gjithnjë lart nivelin etik të komunikimit”. Këtë pohoi Papa në audiencën me drejtuesit dhe punonjësit e Rai-t, të cilët i priti në sallën e Palit VI, me rastin e 90-vjetorit të fillimit të transmetimeve radiofonike e të 60-vjetorit të atyre televizive. Papa vuri theksin mbi bashkëpunimin e Rai-t, Radio Vatikanit dhe Qendrës Televizive të Vatikanit (Ctv). Më pas nënvizoi se kush është titullar i shërbimit publik, nuk mund të heqë dorë nga kjo përgjegjësi, për asnjë arsye.
Para audiencës, punonjësit e Rai-t ndoqën Meshën Shenjte, gjithnjë në Sallën e Palit VI, kryesuar nga kardinali Anxhelo Komastri. Papën e përshëndeti presidentja e Rai-t, Anna Maria Tarantola.

Bashkëpunim! Prej këndej u nis Papa Françesku, për të vijuar reflektimin mbi lidhjen e jashtëzakonshme të Rai-t me Selinë e Shenjtë, që u forcua shumë gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit. Papa kujtoi ngjarjet e jashtëzakonshme që, përmes Rai-t, u ndoqën nga mijëra teleshikues, që nga Koncili II i Vatikanit, tek zgjedhja e Papëve, nga salikimet e të Lumit Vojtila, tek Jubileu i Madh i 2000-it:
“Si me anë të radios, ashtu edhe të televizionit, populli italian mundi t’i dëgjojë gjithnjë fjalët, e më pas, edhe të shikojë figurën e Papës e të ndjekë ngjarjet e Kishës në Itali, falë shërbimit publik të Rai-t. Ky bashkëpunim realizohet përmes dy enteve të Vatikanit: Radio Vatikanit dhe Qendrës Televizive Vatikanase”.
Papa kujtoi edhe disa filma me karakter fetar, posaçërisht filmin “Françesku” të Liliana Cavani-t dhe “Veprat e Apostujve” të Roberto Rossellini-t. Rai, vërejti më pas Ati i Shenjtë, ka qenë dëshmitar i proceseve të ndryshme, që pësoi shoqëria italiane, të cilën e ndoqi hap pas hapi gjatë shndërrimeve të saj të shpejta, duke dhënë ndihmesën e vet të shquar në njësimin gjuhësor-kulturor të Italisë. Ta falënderojmë Zotin për gjithë këto arritje, vijoi Papa, e ta çojmë përpara stilin e bashkëpunimit. Më pas, një reflektim mbi vlerën e kërkesave të shërbimit publik e, në mënyrë të veçantë, mbi përgjegjësinë, për sot e për nesër:
Të gjithë juve, që jeni këtu të pranishëm, e edhe atyre që, për arsye të ndryshme, nuk mundën të marrin pjesë në takimin tonë, ju kujtoj se profesioni juaj, përveçse informues, është edhe e kryesisht formues, është shërbim publik, domethënë, shërbim ndaj së mirës së përbashkët, së vërtetës, mirësisë, bukurisë”.
Të gjithë profesionistët, të cilët bëjnë pjesë në Rai, shtoi, e dinë mirë se i përkasin një sipërmarrjeje, që prodhon kulturë dhe edukim, që jep informacion e shfaqje, duke arritur, në çdo çast të ditës, tek një pjesë e mirë e italianëve:
Është përgjegjësi nga e cila, kush është titullar i shërbimit, nuk mund të heqë dorë për asnjë arsye. Në fund të fundit cilësia etike e komunikmit është fryt i ndërgjegjeve të vëmendshme, jo të cekta; ndërgjegje që i respektojnë gjithnjë njerëzit, si ata, që janë objekt i informacionit, ashtu edhe ata, që e marrin mesazhin”.
Secili, në rolin e vet e në përgjegjësinë e vet, vërejti më pas Papa, është i thirrur t’i hapë mirë sytë, për ta mbajtur lart nivelin etik të komunikimit e për t’i shmangur sjelljet, që dëmtojnë rëndë: dizinformimin, përgojimin, shpifjen:“Ju uroj të punoni mirë, me besim e shpresë në punën tuaj, që kështu të mund edhe ta transmetoni këtë frymë, sepse kemi vërtet shumë nevojë”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama