HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-01-16 14:29:20
A+ A- Printo artikullin



Mesazhi i Papës për Ditën Botërore të Thirrjeve: Çdo thirrje është dalje nga vetvetja



U bë i njohur Mesazhi i Papës Françesku për ditën e 51-të botërore të lutjes për thirrjet, që do të kremtohet të dielën më 11 maj, me temë: Thirrjet, dëshmi për të vërtetën.
Papa Françesku e hap mesazhin për ditën botërore të thirrjeve me fjalët e Jezusit: “Të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak. Luteni, pra, Zotin e të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e veta” (Mt 9, 35-38). Këto fjalë të Jezusit janë befasuese, sepse flasin menjëherë për të korrat, edhe pse dihet se për të arritur deri këtu, duhet punuar toka, duhet mbjellë e duhet kujdesur. Befasia shpjegohet, nëse bëhemi të vetëdijshëm se Hyji vetë kujdeset për arën e vet. Frytet e vreshtit të Hyjit i pjek vetë hiri i tij. Shkrimi i Shenjtë është plot e shembuj që tregojnë se populli i Hyjit është ara dhe se ai vetë kujdeset për të. “Ne jemi pronë e Hyjit – shkruan Papa – jo në kuptimin e sundimit që na bën skllevër, por në kuptimin e lidhjes së fortë, që na bashkon me të dhe mes nesh, sipas besëlidhjes që mbetet për amshim, sepse ‘e amshuar është dashuria e tij’ (Ps 136)”.
Sikurse Hyji vetë kujdeset për arën e vet dhe njeriu besimtar e vë re, me sytë e fesë, se nisma është gjithmonë e Hyjit, po ashtu ai kujdeset edhe për të thirrur punëtorë për vreshtin e tij. Thirrja nuk është nismë njerëzore, por përgjigje ndaj atij që e merr nismën. Kjo ndodh në Besëlidhjen e Vjetër, dhe shembulli që sjell Papa është ai i thirrjes së profetit Jeremia, dhe kjo ndodh edhe në Besëlidhjen e Re e në jetën e Kishës: “Është Krishti ai që na thërret vazhdimisht me Fjalën e tij, që të kemi besim në Të e ta duam me gjithë zemër, me gjithë mendje e më të gjitha forcat”.
Thirrja e ndryshon jetën e njeriut dhe na hap ndaj të panjohurës, gjithmonë të gatshëm për të ndjekur vullnetin e Hyjit: “Çdo thirrje, me gjithë larminë e udhëve, kërkon gjithmonë një dalje nga vetvetja dhe na bën të vëmë në qendër të ekzistencës Krishtin dhe Ungjillin e tij. Si në jetën bashkëshortore, si në format e kushtimit rregulltar, si në jetën meshtarake, është e nevojshme të tejkalohen mënyrat e të menduarit e të vepruarit që nuk janë në përputhje me vullnetin e Hyjit”.
Dalja nga vetvetja për të ndjekur Hyjin që na thërret është e mundur nëse e adhurojmë Birin e Hyjit, “prandaj – shkruan Papa – të gjithë jemi të thirrur ta adhurojmë Krishtin në zemrat tona, nëse duam të na prekë shtysa e hirit që përmban fara e fjalës, e cila duhet të rritet brenda nesh e të shndërrohet në shërbim konkret ndaj të afërmit. Nuk duhet të kemi frikë, Hyji e ndjek me kujdes e mjeshtëri veprën e duarve të veta, në çdo stinë të jetës”.
Papa thotë se edhe sot Jezusi ecën me ne, në jetën tonë të zakonshme, dhe rri pranë të gjithëve, sepse dëshiron të na shërojë nga sëmundjet. Ai na fton të krijojmë marrëdhënie dashurie të ndërsjellë, në përkim me natyrën kishtare të jetës, sepse kështu krijohen kushtet, në të cilat piqet thirrja, për të punuar në vreshtin e Zotit. Thirrja nuk e bën të lehtë jetën e punëtorit të vreshtit të Hyjit, sepse “nganjëherë do të thotë të shkosh kundër rrymës e të hasësh në pengesa brenda e jashtë vetes”, “por gëzimi i vërtetë i të thirrurve gjendet kur besojnë dhe përjetojnë se Ai, Zoti, është besnik dhe, me të, mund të ecim, mund të jemi nxënës e dëshmitarë të dashurisë së Hyjit, mund t’ua hapim zemrën idealeve të mëdha e gjërave të mëdha”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama