HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-01-20 14:36:20
A+ A- Printo artikullin



Papa: yni është Zot i befasive, ta mirëpresim risinë e Ungjillit



“I krishteri është i lirë, kur i bindet Fjalës së Zotit”. Këtë pohoi Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar sot në Shtëpinë e Shën Martës. Papa nënvizoi se duhet të jemi gjithnjë gati ta mirëpresim ‘risinë e Ungjillit’ dhe “ befasimet e Zotit”.RealAudioMP3

Fjala e Zotit është e gjallë dhe e fortë, sepse Ai i Lumi na i njeh ndjenjat e mendimet e zemrës. Papa Françesku u nis nga kjo e vërtetë, për ta shtjelluar, më pas, homelinë. E nënvizoi menjëherë se për ta mirëpritur vërtet Fjalën e Zotit, duhet të sillemi si njerëz të bindur. Fjala e Zotit, shtoi, është e gjallë, e prandaj vjen e thotë atë, që ka për të thënë: jo atë që pres të më thotë, që shpresoj se do të ma thotë. Është Fjalë e “lirë”, e “lirë” dhe “befasuese”, sepse Zoti ynë është Hyj i të papriturave. Është gjithnjë i ri, e sjell risi:
Ungjilli është risi. Zbulesa është risi. Zoti ynë është Zot, që bën gjithnjë gjëra të reja e kërkon nga ne t’i pranojmë risitë e tij. Në Ungjill, Jezusi flet qartë për këtë, është tejet i qartë: verë e re, në shakuj të rinj. Verën e sjell Zoti, por duhet marrë me zemër të hapur për risinë. E kjo quhet bindje. Prej këndej, pyetja: a i bindem Fjalës së Zotit, apo bëj gjithnjë atë, që besoj se duhet të jetë Fjala e Zotit? E besoj, apo e kaloj Fjalën e Zotit nëpër lambik e, në fund të fundit, prej tij del një gjë tjetër, krejt ndryshe nga ajo, që dëshiron të bëjë Zoti?”.
Nëse e bëj këtë, shtoi, shkoj e mbaroj si arna e re, mbi petkun e vjetër, që e vë edhe më keq në dukje vendin e grisur. Më pas Papa shtoi se përshtatja ndaj Fjalës së Zotit, që të mund ta marrësh, është një sjellje tërësisht asketike:
“Kur dua të marr elektricitet nga burimi elektrik, nëse aparati që kam, nuk punon, kërkoj një tjetër, që i përshtatet. Ne duhet të përshtatemi gjithnjë, t’i shtrohemi risisë së Fjalës së Zotit, t’ia hapim zemrën risisë. Sauli, pikërisht i zgjedhuri i Hyjit, i shuguruar nga Hyji, kishte harruar se Zoti është befasim e risi. Kishte harruar, ishte mbyllur në mendimet e veta, në skemat e veta, e kështu kishte nisur të gjykojë sipas mendjes së vet”.
Papa u ndalua edhe tek Leximi I, duke kujtuar se në kohën e Saulit, kur ndokush fitonte betejën, merrte plaçkën e me një pjesë të saj bënte flijimin. Këto kafshë janë shumë të bukura, pohoi Sauli, do t’i kushtohen Zotit. Mendoi, kështu, me zemrën e vet njerëzore, nënvizoi Papa, arsyetoi me mendjen e vet, me zemrën e vet, të mbyllur në botën e dokeve e të zakoneve të veta. Ndërsa Zoti ynë nuk është Zot i zakoneve: është Zot i të papriturave. Sauli nuk e dëgjoi Fjalën e Zotit, nuk iu shtrua, u soll si zotëri, ai. E përvetësoi Fjalën e Zotit. Rebelimi, mosbindja ndaj Fjalës së Zotit, pohoi përsëri Papa, është mëkat shortarie. E shtoi: “Kryeneçësia, prirja për të bërë atë që do ti, jo atë që do Zoti, është mëkat idhujtarie. E kjo, vijoi, na bën të mendojmë mbi domethënien e lirisë së krishterë e të nënshtrimit të krishterë”:
“Liri e krishterë, nënshtrim i krishterë do të thotë bindje ndaj Fjalës së Zotit, guxim, për t’u bërë shakuj të rinj, për atë verë të re, që vjen vazhdimisht. Guxim, për të dalluar gjithnjë atë, që bën Shpirti Shenjt në zemrën time, atë që do Shpirti Shenjt në zemrën time, drejtimin ku më çon Shpirti i Zotit, që është në zemrën time. Liri e krishterë do të thotë të bindesh! Të dallosh e të bindesh. Ta lypim sot hirin e bindjes ndaj Fjalës së Zotit, kësaj Fjale, që është e gjallë edhe e fuqishme, që na i njeh ndjenjat e mendimet e zemrave tona”.






Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama