HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-01-26 10:43:12
A+ A- Printo artikullin



Liturgjia e Fjalës së Zotit - E Diela III Gjatë Vitit A



Jezusi është drita e botës.

Drita është njëra nga nevojat e para të njeriut. Ajo nuk është vetëm një element i domosdoshëm për të jetuar, por pothuajse shëmbëllim i vetë jetës. Ky fakt ka pasur ndikim të madh mbi gjuhën, prandaj shprehja “shoh dritën”, “vij në dritë” do të thotë lind dhe “me pa dritën e diellit” do të thotë “me jetue”.
Përkundrazi, kur dikush vdes, thuhet se “u shua”, “ka mbyllur sytë”. Bibla e përdor këtë fjalë si simbolin e shpëtimit. Psalmi i sotëm e paraqet dritën të lidhur ngusht me shpëtimin dhe i vë në të njëjtin nivel: “Zoti është drita ime dhe shpëtimi im”.
“Hyji është dritë dhe në të nuk ka errësirë” (1Gj 1,5). Ai “banon në një dritë të paarritshme” (1 Tm 6,16). Në Jezusin, drita e Hyjit shkëlqen mbi tokë: “Vinte në botë drita e vërtetë, ajo që ndriçon çdo njeri” (Gj 1,9). “Unë erdha në botë si drita, që kush beson në mua të mos mbetet në errësirë” (Gj 12,46).

Kalimi nga errësira në dritë

I shkëputur nga errësira e mëkatit dhe i zhytur në dritën e Krishtit me anë të pagëzimit, i krishteri duhet të bëjë veprat e dritës: “Nëse dikur ishit errësirë, tani jeni dritë në Zotin. Jetoni si bij të dritës” (Ef 5,8). Kalimi nga errësira në dritë është pendesa dhe kthimi, hyrja në mbretërinë e Hyjit (Ungjilli). E dimë çfarë do të thotë të kthehemi e të bëjmë pendesë. Do të thotë të kryejmë një shndërrim rrënjësor të jetës sonë, përmbysjen e shkallës së vlerave që propozon bota dhe të shqetësimeve tona të përditshme, që nuk janë ato që propozon Ungjilli në fjalimin e Jezusit mbi mal. Mbretëria e Hyjit është pranë ose zhduket, afrohet ose largohet, në vartësi të dëshirës sonë për t’u penduar. Pendimi e kthimi nuk janë veprime që bëhen një herë e përgjithmonë, por një përpjekje e përditshme, sikurse besnikëria, që nuk është një e dhënë që mund të fitohet me një premtim, por një realitet që duhet jetuar minutë për minutë.
Megjithatë, i krishteri, edhe pas pagëzimit, nuk është kurrë dritë e pastër: është i gatuar me dritë e me terr; për këtë arsye jeta është luftë. Por Krishti na vesh me armët e dritës (Ef 6, 11-17). Kështu, i krishteri është i sigurt se, “pasi të ketë marrë pjesë, qysh këtu, në fatin e shenjtëve në dritë” (Col 1,12), “do të shndrisë si dielli në mbretërinë e Atit” (Mt 13,43) dhe “në dritën e tij do të shohë dritën” (khs. Ps 35,10).
Gjon Pagëzori e Jezusi e përmbledhin predikimin e tyre në ftesën për pendesë: “Pendohuni, sepse mbretëria e qiellit është afër”. Hebrenjtë, që e dëgjonin këtë thirrje, shprehnin shpesh herë këtë kundërshtim: ne jemi bijtë e Abrahamit, jemi të sigurt se jemi popull i zgjedhur i Hyjit, kemi institucionet fetare, që na sigurojnë mundësinë për të zbatuar Ligjin; nuk kemi nevojë të pendohemi (Mt 3,9).

Ungjillëzimi është dritë

Shumë të krishterë, edhe pse shpesh herë pa vetëdije, sillen në mënyrë të ngjashme, sepse për ta fjala kthim tingëllon e huaj, e largët, e përshtatshme vetëm për ata që “jetojnë në errësirën e gabimit dhe të mëkatit”. Ungjillëzimi i krishterë fillon në Kafarnaum, me thirrjen e Jezusit: “Kthehuni”.
Ky kumtim i mbretërisë, që na fton të kthehemi, duhet të kumbojë pandarë edhe në bashkësitë tona. Dikur mendohej se populli i krishterë ishte tashmë i ungjillëzuar, prandaj mjaftonte katekizmi, për t’u mësuar njerëzve misteret e fesë. Sot Kisha është e vetëdijshme se duhet të kthehet tek ungjillëzimi, tek shpallja e parë.

Kthimi është dritë

Sot, si gjithmonë, Kisha është e thirrur të angazhohet, si Krishti, për çlirimin e njeriut nga mëkati: kumtimi i thirrjes për pendesë e kthim është synimi themelor, që i jep kuptim ekzistencës së saj. Në Kishë duhet të shfaqet gjithmonë liria shpirtërore, me anë të shërbimit të ndërsjellë, duke njohur e duke bashkërenditur dhuratat, që Hyji i jep secilit besimtar. Kisha duhet të jetë përballë botës shenja e dukshme e mbretërisë së Hyjit mbi tokë. Për këtë arsye edhe ajo vetë është e thirrur nga Fjala e Hyjit dhe nën gjykimin e Fjalës. Edhe ajo është vazhdimisht në rrugën e kthimit.

Krishti është gjithmonë i pranishëm në Kishën e tij
Nga Kushtetuta “Sacrosanctum Concilium” e Koncilit Ekumenik Vatikani II mbi Liturgjinë e shenjtë (n. 7-8.106)

Krishti është gjithmonë i pranishëm në Kishën e tij dhe mbi të gjitha në liturgji. Është i pranishëm në flinë e meshës, si në personin e shërbestarit, “Ai që, pasi është flijuar një herë në kryq, dhuron përsëri vetveten me anë të shërbesës së meshtarëve”, ashtu edhe, dhe në shkallën më të lartë, nën dukjen eukaristike. Është i pranishëm me fuqinë e vet në sakramente, në mënyrë që, kur dikush pagëzon, është Krishti që pagëzon. Është i pranishëm në fjalën e tij, sepse, kur lexohet Shkrimi i Shenjtë në Kishë, është ai që flet. Është i pranishëm, së fundi, kur Kisha lutet dhe këndon psalmet, ai që premtoi: “Ku dy ose tre vetë janë të bashkuar në emrin tim, aty jam unë, mes tyre” (Mt 18,20). Në këtë vepër kaq të madhe, me të cilën i jepet Hyjit lavdia e përsosur dhe njerëzit shenjtërohen, Krishti e bashkon gjithmonë me veten e vet Kishën, nusen e tij fort të dashur, e cila i lutet si Zotit të vet dhe përmes tij i jep kultin Atit të Amshuar.
Prandaj, me të drejtë, Liturgjia mbahet si ushtrimi i priftërisë së Jezu Krishtit; në liturgji, shprehet me anë të shenjave të dukshme dhe, në mënyrën e tyre përkatëse, realizohet shenjtërimi i njeriut. Trupi mistik i Krishtit, domethënë koka dhe gjymtyrët e tij, ushtron kultin publik dhe të tërësishëm.
Prandaj, çdo kremtim liturgjik, duke qenë se është vepër e Krishtit meshtar dhe e Trupit të tij, që është Kisha, është veprim i shenjtë në kulm, dhe asnjë verim tjetër i Kishës, me të njëjtin titull dhe në të njëjtën shkallë, nuk mund të ketë të njëjtën forcë vepruese.
Në liturgjinë tokësore, ne marrim pjesë dhe parashijojmë atë qielloren, që kremtohet në qytetin e shenjtë të Jerusalemit, drejt të cilit ecim si shtegtarë dhe ku Krishti rri ulur në të djathtën e Hyjit, si shërbestar i shenjtërores dhe i tabernakullit të vërtetë. Bashkë me aradhen e koreve qiellore, i këndojmë Zotit himnin e lavdisë; duke kujtuar me nderim shenjtërit, shpresojmë se marrim pjesë disi në gjendjen e tyre dhe presim, si shpëtimtar, Zotin tonë Jezu Krishtin, deri kur ai do të shfaqet si jeta jonë dhe ne do të shfaqemi me të në lavdi.
Sipas traditës apostolike, që fillon me ditën e ringjalljes së Krishtit, Kisha e kremton misterin e pashkëve çdo tetë ditë, në atë që quhet me të drejtë “dita e Zotit” ose “e diela”. Në këtë ditë besimtarët duhet të mblidhen në bashkësi për të dëgjuar Fjalën e Hyjit dhe për të marrë pjesë në Eukaristi, duke përkujtuar kështu mundimet, vdekjen dhe lavdinë e Zotit Jezus dhe për të falënderuar Hyjin, që “i ka rilindur në shpresën e gjallë të ringjalljes së Jezu Krishtit nga të vdekurit” (1Pj 1,3). E diela, pra, është festa e parë, që u duhet parashtruar besimtarëve dhe që ata duhet ta përvetësojnë, në mënyrë që të jetë edhe ditë gëzimi dhe pushimi nga puna. Nuk duhet ta mbulojnë kremtime të tjera, përveçse kur janë shumë të rëndësishme, sepse e diela është themeli dhe bërthama e krejt vitit liturgjik.

(Komeni i Ungjillit të sotëm nga Enzo Bianchi, murg)

Jezusi e fillon veprimtarinë e vet si rabbi e profet “pasi mori vesh se Gjon Pagëzorin e kishin arrestuar”: atëherë shkon në Galile, krahina prej nga kishte prejardhjen dhe nga e cila ishte larguar, për të shkuar tek Gjoni në Jude. Këtu mendohet mbi kapjen e mësuesit të vet dhe kupton se ka ardhur koha për të filluar shërbesën e vet publike, sepse “koha e ligjit dhe e profetëve” është plotësuar (khs Mt11,11-14). Mateu tregon se është shumë i mprehtë shpirtërisht, kur e paraqet vendimin e Jezusit për të shkuar në “Kafarnaum, në tokën e Zabulonit dhe të Neftaliut, në Galilenë e paganëve” – emra që kujtojnë dëbimin dhe shpërndarjen – si përmbushjen e premtimit të Isaisë: “populli i zhytur në errësirë, pa një dritë të madhe; për ata që banonin në hijen e vdekjes, doli drita” (Is 9,1). Po, shpëtimi i atyre tokave, që profeti e kishte parë nga larg, fillon te realizohet me praninë dhe veprimtarinë e Jezusit. Pikërisht në atë tokë kufitare, ku banonin hebrenj e paganë, Jezusi shfaqet si “drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri” (Gj 1,9).
Jezusi fillon të predikojë menjëherë, duke thënë: “Kthehuni, sepse mbretëria e qiellit është afër”. Është i njëjti kumt, që kishte dhënë Gjoni (khs. Mt 3,2), i cili vërteton vullnetin e Jezusit, për të vijuar misionin e Paraardhësit. Edhe Jezusi bën thirrje për kthim, ose për të filluar nga e para, për t’u kthyer tek Hyji duke ndryshuar mendësinë dhe veprimet. Fjalët e tij e vënë theksin tek pohimi: “mbretëria e qiellit është afër”, sepse mbretëria është e pranishme tek ai, njeriu tek i cili Hyji mbretëron plotësisht dhe në mënyrë të papërsëritshme. Ja lajmi vërtet i mirë, burimi i kthimit tonë të mundshëm: jemi thirrur për të pranuar veprimin që Hyji ka kryer me anë të Jezusit, jeta e të cilit është ungjill, lajmi i mirë i shpëtimit për të gjithë njerëzit. Nëse e lejojmë Jezusin të na përfshijë në ekzistencën e tij dhe përgatitemi plotësisht, për t’u bërë pjesëtarë të saj, edhe ekzistenca jonë mund të ripërtërihet, sepse edhe mbi ne do të mbretërojë Hyji. Rabinët e kohës së Jezusit thoshin: “populli e bën mbretin të mbretërojë, e jo mbreti veten e vet”; duhet të kthehemi kah Hyji, për ta lejuar Hyjin të mbretërojë mbi ne: kështu “vjen” mbretëria e Hyjit!
Kjo ndodh me besimtarët e parë, që pranojnë ungjillin e Jezusit dhe vendosin ta ndjekin. Ndërsa Jezusi ecën përgjatë detit të Galilesë, shikon plot dashuri dy çifte vëllezërish – Andrenë dhe Pjetrin; Jakobin e Gjonin – të cilët po peshkonin. Atyre Jezusi u drejton fjalën plot autoritet: “Ejani pas meje!”, duke e shoqëruar këtë ftesë me premtimin për begati: “Do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”. Ja mënyra konkrete, në të cilën Mbretëria vjen afër këtyre njerëzve dhe drita e Mesisë Jezus i ndriçon, duke u dhënë forcën për të braktisur gjithçka e për të shkuar pas tij. Tregimi nënvizon faktin se katër dishepujt e parë i binden “menjëherë” thirrjes së Jezusit: kjo përgjigje e menjëhershme i ka rrënjët thellë në fuqinë vepruese të fjalës së Jezusit; në të njëjtën kohë, ajo është shenjë e faktit se, në Jezusin, Mbretëria ha hyrë në histori e tashmë “koha është plotësuar” (Mk 1,15), “është shkurtuar” (1Kor 7,29).
Këta burra, që, me liri të plotë dhe për dashuri ndaj Jezusit, vendosin të braktisin familjen dhe të jetojnë me të, do të jenë të thirrur për ta përtërirë çdo ditë përgjigjen e tyre, domethënë të jenë të qëndrueshëm. Sigurisht, gjatë ecjes pas Jezusit, shpesh herë nuk do ta kuptojnë atë, nuk do t’u përgjigjen kërkesave që do t’u shtrojë, madje do ta braktisin, por premtimi i tij është më i fortë se mosbesnikëritë e tyre dhe, kështu, pas agimit të Pashkëve, ata do të jenë të aftë t’ua shpallin dritën e Krishtit të ringjallur të gjithë njerëzve. Ky është lajmi i mirë, që ka ardhur deri tek ne, jehonë e asaj fjale të Jezusit, që mund t’u japë kuptim të gjitha ditëve tona: “Unë jam drita e botës: kush vjen pas meje nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Gj 8,12).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama