HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-01-26 10:44:21
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e javës 27 janar - 2 shkurt



Më 27 janar përkujtohet shën Angela Meriçi
Anxhela Meriçi themeloi në vitin 1534 Shoqërinë e Shën Ursulës. Motrat e kësaj kongregate njihen me emrin Orsolinet. Në një kohë kur arsimi ishte një privilegj pothuajse vetëm për meshkuj, ajo pati idenë revolucionare të hapjes së një shkolle për vajza. U lind në vitin 1474 në Desenzano del Garda (Bresha) në një familje të varfër fshatarësh, dhe hyri fare e re në Urdhrin e Tretë Françeskan. Mbeti jetime pa asnjërin prind në moshën 15 vjeçare dhe u nis për në Tokën e Shenjtë. Këtu ndodhi diçka e pazakontë. Kishte shkuar për të parë vendet e Jezusit, por u godit nga verbëria e përkohshme. Megjithatë, me sytë e shpirtit, pa një dritë dhe një shkallë, që ngjiteshin drejt qiellit, ku e prisnin aradhet e vashave. Atëherë e kuptoi misionin e saj. Sapo u kthye në atdhe, themeloi kongregatën e re të Orsolineve.
Më 28 janar përkujtohet shën Toma i Akuinit (1224)
Domenikan, i edukuar në manastirin e Montecassino-s dhe në shkollat e mëdha të kohës së vet, dha mësim në Paris, Orvieto, Romë, Vioterbo e Napoli, përtëriu me guxim e urti metodat e mësimdhënies. Përmblodhi në mënyrë gjeniale doktrinën teologjike dhe filozofike të traditës së Kishës në shkrimet e shumta që la, veçanërisht në monumentin “Summa Theologiae” (Përmbledhja e teologjisë).
Më 29 janar përkujtohet shën Akuilini
U lind në Würzburg, Gjermani, në një familje fisnike. Studioi teologji më Köln dhe u bë meshtar. Nuk pranoi emërimin ipeshkvor, sepse dëshironte t’i përkushtohej krejtësisht shërbesës meshtarake dhe lutjes. Për këtë arsye u largua nga Kölni dhe shkoi në Paris, ku u kujdes për të sëmurët me kolerë, disa prej të cilëve i shëroi në mënyrë të mrekullueshme. Edhe këtu deshën ta bënin ipeshkëv, por përsëri nuk e pranoi emërimin dhe iku në Pavia. Këtu luftoi herezitë ariane, deri kur, në vitin 1015, u vra nga heretikët, duke hyrë në Milano.
Më 30 janar përkujtohet shën Martina
Bijë e një fisniku romak dhe diakoneshë, u dënua me prerje koke, sepse nuk pranoi t’i kushtonte fli Apollit, perëndi pagane.
Më 31 janar përkujtohet shën Gjon Bosku
Apostull i madh i të rinjve, qe për ta atë dhe udhëheqës në rrugën e shëlbimit, duke i edukuar me metoda bindëse, me shpirt të vërtetë feje, me dashurinë që ndihmon për t’i shmangur gabimet e jo për t’i ndëshkuar. Ndoqi modelin e Françeskut nga Sal, prandaj metoda e tij edukuese dhe apostolike ka frymën e humanizmit të krishterë, plot me dritë ungjillore. Themeloi Salezianët, Bashkësinë e përshpirtshme të bashkëpunëtorëve salezianë dhe, bashkë me Shën Marinë Mazzarello, Bijat e Zojës Ndihmëtare. Njëri ndër frytet më të shkëlqyeshëm të pedagogjisë së tij, Shën Domenik Savio, pesëmbëdhjetëvjeçari që e kishte kuptuar mësimin e mësuesit: “Në këtu, në Shkollën e don Boskos, shohim se shenjtëri do të thotë të jemi shumë të hareshëm dhe të përmbushim plotësisht detyrat tona”.
Më 1 shkurt përkujtohet shën Brixhilda e Irlandës 452-524
Shën Brixhilda qe themeluesja dhe abatesha e njërit prej manastireve të para irlandezë, afër Kildares, si edhe vijuese e veprës ungjillëzuese, që kishte filluar Shën Patrici.
Më 2 shkurt është e diel, festa e Zotit. Më dy shkurt përkujtohet kushtimi i Krishtit në tempullin e Jeruzalemit




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama