HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-01-27 14:22:18
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku falënderon meshtarët e shumtë të shenjtë, që japin jetën në heshtje



Kisha nuk mund të kuptohet si organizatë thjesht njerëzore; ndryshon, falë vajimit, që u jep ipeshkvijve dhe meshtarëve forcën e Shpirtit Shenjt, për t’i shërbyer popullit të Zotit. Këtë pohoi sot Papa gjatë meshës, kryesuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë i falënderoi meshtarët e shumtë, që japin jetën pa zhurmë, si shenjtorë të panjohur, gjatë shërbimit të tyre të përditshëm.RealAudioMP3

Gjatë komentit të Leximit të parë të ditës, në të cilin tregohet sesi fiset e Izraelit e lyejnë Davidin me vajin e shuguruar, duke e zgjedhur mbret, Papa shpjegoi kuptimin e vajimit; “Pa këtë vajim, pohoi, Davidi do të kishte qenë vetëm kreu i ‘një sipërmarrjeje” a një “organizate politike”, që ishte “mbretëria e Izraelit”, do të kishte qenë thjesht “organizator politik”. Ndërsa, pas vajimit, Shpirti i Zotit zbret mbi Davidin e mbetet me të. E Shkrimi i Shenjtë thotë: “Davidi shkonte gjithnjë duke u rritur në pushtet e Hyji, Zot i ushtrive, ishte me të”. Ky, vërejti Papa Françesku, është ndryshimi ndërmjet atij, që vajohet, e atij, që nuk e ka këtë hir. I shuguruari është njeri i zgjedhur nga vetë Zoti. Kështu janë ipeshkvijtë e meshtarët në Kishë:
Ipeshkvijtë nuk zgjidhen vetëm për të drejtuar një organizatë, që quhet Kishë e veçantë; janë të vajuar, kanë vajimin, e Shpirti i Zotit është me ta. Pa harruar se të gjithë ne, ipeshkvijtë, të gjithë jemi mëkatarë! Por jemi edhe të vajuar. E të gjithë duam të jemi më shenjtorë çdo ditë, e edhe më besnikë ndaj këtij shugurimi. E ajo, që përbën veçantinë e Kishës, që i jep unitet Kishës, është vetja e ipeshkvit, në emër të Jezu Krishtit, pse është i shuguruar, e jo pse u votua nga shumica. Sepse është i vajuar! E pikërisht në këtë vajim është forca e Kishës së veçantë. E edhe priftërinjtë, që marrin pjesë në të, janë të vajuar”.
Shugurimi, vijoi Papa, i afron ipeshkvijtë dhe meshtarët me Zotin e u jep gëzim e forcë t’i prijnë popullit, ta ndihmojnë popullin, të jetojnë në shërbim të popullit. U jep gëzimin ta ndjejnë veten të zgjedhur nga Zoti, të ndjekur nga syri i Zotit, me atë dashuri, që ka Zoti për ne të gjithë. Kështu, kur mendojmë për ipeshkvijtë dhe priftërinjtë, duhet të mendojmë kryesisht se janë “të vajuar”.
“Ndryshe Kisha nuk mund të kuptohet e jo vetëm që nuk mund kuptohet, por as nuk mund të shpjegohet sesi Kisha shkon përpara vetëm me forca njerëzore. Kjo dioqezë shkon përpara, sepse ka një popull shenjt, ka shumë gjëra, e edhe një njeri të shuguruar, që e çon përpara. E ne, në histori, njohim vetëm një pjesë të vogël, po sa ipeshkvij, sa meshtarë, sa priftërinj të shenjtë dhuruan jetën e tyre në shërbim të dioqezës, të famullisë; sa njerëz morën forcën e dashurisë e shpresën nga këta famullitarë të paemër, që ne nuk i njohim. Janë shumë”.
Shumë, theksoi Papa, famullitarë katundesh a qytetesh, që me vajimin e tyre i dhanë forcë popullit, i përcollën doktrinën, i dhanë sakramentet, domethënë shenjtërinë:
“Por, o Atë, unë kam lexuar në gazetë se një ipeshkëv ka bërë këtë e atë, e edhe një prift, po ashtu!’. ‘Eh, po, edhe unë e kam lexuar, por më thuaj, a shikojmë nëpër gazeta lajme për atë, që bëjnë shumë meshtarë, shumë priftërinj, në shumë famulli të qyteteve e të fshatrave, a lexojmë gjë për bamirësinë e tyre të madhe, për punën e tyre të palodhur, për ta çuar përpara popullin?’ Ah, jo! Ky nuk është lajm! Eh, historia vijon; bën më shumë zhurmë një dru që bie, se një pyll që rritet. Sot, duke menduar për vajimin e Davidit, na bën mirë të mendojmë edhe për ipeshkvijtë tanë, priftërinjtë tanë guximtarë, shenjtorë, të mirë, besnikë e të lutemi për ta. Falë tyre, ne jemi sot këtu”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama