HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2014-01-27 17:28:48
A+ A- Printo artikullin



Ukraina: tensionet vijojnë. Hamendësohet krijimi i një qeverie të opozitës



Vijon të përhapet, në Ukrainë, protesta antiqeveritare. Ndërmjet pallateve të pushtetit, të rëna në dorë të demonstruesve, është edhe Ministria e Drejtësisë, ndërsa pritet vendimi i deputetëve të Radës, për mundësinë e krijimit të një qeverie të opozitës, mbi bazë të hamendjes së vetë presidentit Ianukovich. E jo më pak, edhe qëndrimi që do të mbajë Rusia, në lidhje të ngushtë ekonomike-tregtare me ish-provincën e vet, përballë evolucionit të krizës ukrainase.
Aldo Ferrari, pedagog, specialist i zonës ish-sovjetike, në mikrofonin tonë, e vlerëson këtë situatë si shumë dramatike:RealAudioMP3

Përgjigje: - Sipas këndvështrimit të Moskës, bëhet fjalë për një evoluim shumë shqetësues, në kuptimin se me kryengritjet e mëparshme, Putin ia doli mbanë ta shkëpuste Ukrainën nga traktati i shoqërizimit me Bashkimin Evropian, që synonte t’i jepte Kievit një hua të madhe, për t’i krijuar ekonomisë së Ukrainës mundësinë ta ngrinte përsëri kokën. Tani shikojmë jo vetëm dhunën, por edhe paaftësinë e presidentit Ianukovich për të kontrolluar situatën, që po i shket nga dora deri në atë masë, sa të mendojë ta lëshojë në dorë të opozitës. E kjo e vë në diskutim suksesin e deritanishëm të Moskës. Prej këndej, Rusia është e shqetësuar e po kërkon ta ndreqë në një farë mënyre atë, që sipas saj, është zhvillim absolutisht negativ i situatës.

Pyetje: - Në pikëpamje energjitike, Kievi varet pothuajse plotësisht nga Moska. Mendoni se Rusia mund ta përdorë këtë argument, për të ndikuar, në një farë mënyre, mbi zhvillimin e mëtejshëm të krizës në Ukrainë?

Përgjigje: - Rusia e ka bërë këtë, po e bën e do ta bëjë edhe në të ardhmen. Leva energjitike është kryesorja, për të mos thënë, e vetmja, njëherësh, natyrisht, me armët bërthamore, që Rusia i ka e i vringëllon për të forcuar politikën e saj ndërkombëtare. E tani, po i përdor më shumë se kurrë kundër Ukrainës, tejet e ligësht, në këtë drejtim. Pa një marrëveshje me Federatën ruse, është tepër e vështirë që Ukraina të dalë nga kjo krizë, që e ka mbërthyer keqas, si në nivelin ekonomik, ashtu edhe në atë politik.

Pyetje: - Tani për tani na duket se Bashkimi Evropian rri e bën sehir. Mendoni se Brukseli duhet të mbajë një qëndrim më konkret?

Përgjigje: - Sipas meje, Brukseli ka përgjegjësi të madhe, sepse ngjalli në gjirin e popullsisë ukrainase shpresa, që nuk është në gjendje t’i bëjë realitet. Bashkimi Evropian nuk mund ta marrë mbi vete barrën e Ukrainës me ekonomi shumë të prapambetur, të ngarkuar me borxhe e tepër larg parametrave komunitare. Nga ky këndvështrim, ta ngucësh një pjesë të mirë të shoqërisë ukrainase, duke e shtyrë në një ndeshje kaq të dhunshme, nuk më duket qëndrim i urtë, e aq më pak, i ekulibruar, nga ana e Bashkimit Evropian. Është e qartë se, përballë dhunës së këtij tipi, do të ishte e nevojshme që Brukseli të ngrinte zërin, por, sipas meje, në mënyrë më të matur, më të ekuilibruar, nga sa e ka bërë deri tani. Brukseli është pjesërisht përgjegjës për rëndimin e situatës në Ukrainë, gjithnjë sipas gjykimit tim.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama