HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-01-28 15:53:39
A+ A- Printo artikullin



Ju kumtojmë lajmin e mirë II



Ungjilli sipas Markut hapet me këtë fjali: “Fillimi i ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit” (Mk 1,1). Me një shikim të parë, kjo fjali mund të merret thjesht si titulli që i vë Marku shkrimit të vet. Në të vërtetë, as fjala fillim nuk ka kuptimin kohor të nisjes së një veprimi, as fjala ungjill nuk ka kuptimin e librit. Në këtë varg të shkurtër gjendet i përqendruar tërë tregimi që vijon. Shtjellimi i mëtejshëm, renditja e ngjarjeve, fjalëve, veprave, mundimeve, vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit, përmblidhet në mënyrë të ngjeshur në shkurtësinë e kësaj fjalie.
Fjala “fillim”, për hebrenjtë, lidhet drejtpërdrejt me Hyjin. Libri i parë i Biblës, Zanafilla, hapet me këto fjalë: “Në fillim Hyji krijoi qiellin e tokën” (Zan 1,1). Fillimi është Hyji vetë. Ai e ka fuqinë për të nisur diçka nga e para, për t’i vënë themelin qenies. Edhe Gjoni e hap Ungjillin e tij kështu: “Në fillim ishte Fjala” (Gj 1,1). Fillimi biblik, pra, ndodhet përtej kohës, është i lirë nga pushteti i kohës. Duke kumtuar këtë fillim, Marku na tregon menjëherë se tregimi i tij është një udhë, që na çon përtej kohës, tek gurra e jetës, që është amshimi. Fillimi i Hyjit është i amshuar, pa mbarim. Kush e pranon lajmin e mirë, gjen fillin e jetës dhe, duke u kapur tek ky fill, çlirohet nga frika e mbarimit dhe nga veprimet, drejt të cilave na shtyn kjo frikë.
Duke ndjekur këtë shpjegim të fjalës së parë të Ungjillit sipas Markut, mund të shkojmë më tej me arsyetimin tonë, drejt një përkthimi më të thellë kuptimor. Fillimi është përmasa e parë e ekzistencës, domethënë parimi i saj. Kështu, fjala fillim përkon me fjalën parim dhe fjalia e parë e Ungjillit sipas Markut mund të përkthehet, edhe kështu: “Parimi i ungjillit të Jezu Krishtit”. Pra Marku na thotë, qysh në fillim, se dëshiron të na tregojë jo faktet e thata në lidhje me jetën, veprën, vdekjen dhe ringjalljen e Jezu Krishtit, por parimin, që zbulojmë e mbi të cilin mund të mbështetemi, nëse njohim lajmin e mirë të Birit të Hyjit.
Fjala e parë e ungjillit sipas Markut, na tregon përfundimin, cakun drejt të cilit jemi drejtuar, sepse fillimi është Jezu Krishti vetë dhe ai është edhe mbarimi, caku, sikurse thotë libri i Zbulesës: “Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, ai që është, që ishte dhe që po vjen” (Zb 1.8).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama