HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-01-28 17:46:32
A+ A- Printo artikullin



Mesazh i Papës për Takimin Publik të Akademive Papnore: reformat të mos jenë sa për sy e faqe



U mblodhën sot në Romë, në Takimin e tyre XVIII Publik, Akademitë Papnore, të cilat reflektuan mbi temën “Oculata Fides(Dëshmitar okular i fesë). Ta shohim realitetin me sytë e Krishtit”. Në qendër të meditimeve, Enciklika “Lumen Fidei” (Drita e fesë) dhe Thirrja Apostolike “Evangelii Gaudium” (Gëzimi i Ungjillit).
Papa Françesku u drejtoi pjesëmarrësve një mesazh, në të cilin kujton se në të dyja dokumentet e nënshkruara prej tij, ka dashur të verë në dukje përmasën “e ndritur” të fesë dhe lidhjen ndërmjet besimit e së vërtetës, duke i shqyrtuar këto aspekte jo thjesht me sytë e mendjes, por me ato të zemrës, në perspektivën e dashurisë. Ati i Shenjtë citon një pjesë të “Lumen Fidei”, me të cilën, të dashur dëgjues, ju kemi njohur gjerësisht në rubrikën tonë të së enjtes “Çelësi i fjalëve të Kishës”. “Në ndërthurjen e fesë me dashurinë – shkruhet në enciklikë – kuptohen njohuritë që përmban në vetvete feja, kuptohet forca e saj bindëse, aftësia e saj për të na i shndritur hapat. Feja njeh, kupton, sepse është e lidhur me dashurinë, sepse vetë dashuria mban një dritë brenda. Njohuritë që vijnë nga feja janë ato, që dikohen kur pranojmë dashurinë e madhe të Zotit, e cila na shndërron nga brenda e na jep sy të rinj për të parë realitetin” (Lumen Fidei, 26).
Duke vazhduar citimet, Ati i Shenjtë vë në dukje se e vërteta, në kohën e sotme, pasqyrohet shpesh si e varur nga njerëzit, subjektive, e vlefshme vetëm për jetën individuale. E vërteta e përbashkët na frikëson, sepse e ngatërrojmë me totalitarizmin. Por, shpjegon Papa, duke u treguar teologëve udhën për hulumtime të mëtejshme, nëse e vërteta vjen nga dashuria, nga takimi me Zotin e me të tjerët, atëherë bëhet pasuri e përbashkët.
Më pas, duke përmendur “Evangelii gaudium”, të cilën po e paraqesim këto kohë në emisionin e së enjtes (ju kujtojmë se pasnesër transmetojmë pjesën e gjashtë nga kjo Thirrje Apostolike), Papa Françesku ndalet në përmasën misionare të Kishës, që shndërron dhe e bën të re çdo gjë. Në këtë shndërrim, duhet të japin kontributin e tyre edhe Akademitë Papnore. Por reformat, tërheq vëmendjen Ati i Shenjtë, nuk duhet të jenë sa për sy e faqe. Përqendrohuni në thelbin, në ç’është më e bukur, më e madhe, më tërheqëse e njëkohësisht, më e nevojshme, i këshillon Papa akademikët.
“Pikërisht për të inkurajuar sa, ndërmjet studiuesve të rinj të teologjisë, duan të japin kontributin e tyre në promovimin e në realizimin e një humanizmi të ri të krishterë përmes punës së tyre kërkimore, - shkruan, së fundi, Papa argjentinas – jam i lumtur t’ua jap Çmimin e Akademive Papnore, që këtë vit i kushtohet punës kërkimore teologjike dhe studimit të veprave të shën Tomës së Akuinit, barabar, dy studiuesve të rinj: profesorit, atë Aleksandër Klemencia, për veprën me titull “Në Trininë Shenjte si Kishë. Në dialog me Heribert Mylen” dhe profesoreshës Maria Silva Vakareca, për veprën “Arsyet e së rastësishmes. Urtia praktike ndërmjet Aristotelit dhe Tomës së Akuinit”. Çmimi u dha nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, imzot Pietro Parolin.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama