HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-01-28 11:43:09
A+ A- Printo artikullin



Papa: ekzaltohemi për një gol, por shpesh e lëvdojmë ftohtë Zotin



Kur lëvdojmë Hyjin, jeta jonë bëhet me e frytshme, pasi mbi të dikohen hiret e Tënzot. Në meshën e sotme, në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku komenti leximin e parë të liturgjisë, në të cilin Davidi lëvdon Zotin duke vallëzuar, në një imazh tejet të gëzueshëm të Librit II të Samuelit. I gjithë populli, kujtoi Ati i Shenjtë, ishte në festë, sepse Arka e Besëlidhjes kthehej në shtëpinë e vet. Lutja e Davidit e nxiti atë vetë të mos pyeste për etiketën e të dilte për të vallëzuar para Zotit. Kjo është lutja, që i thur lavde Hyjit, nënvizoi Papa, i cili përmendi edhe vallen e Sarës, pasi lindi Isakun. Kjo grua në moshë, kërceu nga gëzimi para Zotit. Në krahasim me lutjen për t’i kërkuar një hir të Gjithpushtetshmit, apo me lutjen e adhurimit, lutja e lavdit nuk është aq e lehtë, tha Ati i Shenjtë:RealAudioMP3
“’More Atë, kjo është për ata të Përtëritjes në Shpirt, jo për të gjithë të krishterët!’. Jo, lutja e lavdit është lutje e krishterë për të gjithë ne! Në meshë, çdo ditë, kur këndojmë ‘Shenjt, shenjt, shenjt’… Kjo është lutje lavdi: i thurim lavde Zotit për madhështinë e Tij, sepse Ai është i madh! E i themi gjëra të bukura, sepse ne na pëlqen të jetë kështu. ‘Po more Atë, po unë nuk jam në gjendje… Unë duhet…’. Ama je në gjendje të bërtasësh kur bën gol skuadra jote e s’qenke në gjendje t’i thurësh lavde Zotit? Ta lësh pak mënjanë vetëpërmbajtjen për t’i kënduar Hyjit? Thurja e lavdeve për Zotin është krejtësisht falas! Nuk kërkojmë, nuk falenderojmë: e lëvdojmë!”
Duhet të lutemi më gjithë zemër, vazhdoi Papa Françesku. E kjo është e drejtë, sepse vërtet Zoti është i madh, është për t’u lëvduar:
“Një pyetje, që mund t’i bëjmë sot vetes, është kjo: ‘Si është lutja ime e lavdërimit? A di unë t’i thur lavde Zotit? A di si ta lëvdoj Zotin, apo kur them ‘Lavdi i qoftë Hyjit’, apo ‘Shenjt, shenjt, shenjt’ në meshë, e bëj këtë vetëm me gojë e jo me gjithë zemër? Ç’më mëson Davidi, kur vallëzon? E Sara, kur kërcen nga gëzimi? Kur Davidi hyn në qytet fillon edhe diçka tjetër: fillon festën!”
Gëzimi i lavdit për Zotin sjell gëzimin e festës, theksoi më pas Papa Françesku. Është festa e familjes. Por në vend që të galdojmë, bëjmë edhe ne, nganjëherë, si bija e mbretit Saul, Mikola, e cila e qorton Davidin kur hyn në pallat, e përbuz, sepse ai nuk diti të përmbahej para njerëzve:
“Pyes, sa herë i përbuzim në zemër njerëzit e mirë, njerëzit e mirë, që lëvdojnë Zotin ashtu si u vjen, spontanisht, sepse nuk janë të shkolluar, nuk ndjekin formalitetet? Por, kujdes me përbuzjen! Shkruhet në Bibël se Mikola mbeti shterp për gjithë jetën! Ç’na thotë Fjala e Zotit, në këtë rast? Që gëzimi, lutja e lavdit na bën të frytshëm! Sara vallëzonte në çastin e madh të lindjes, në moshën 90 vjeçare! Ky është fryti, që na jep lavdërimi i Hyjit, lavdërimi i thjeshtë i Zotit. Ai burrë, ose ajo grua, që e lëvdon Zotin, që lutet duke lëvduar Zotin, që kur thotë ‘Lavdi i qoftë Hyjit’ i gëzohet shpirti, që kur këndon ‘Shenjt, shenjt, shenjt’ në meshë galdon duke kënduar, është burrë, ose grua e frytshme”.
Ndërsa, ata që mbyllen në formalitetin e një lutjeje të ftohtë e të matur, tha Papa, mund të përfundojnë si Mikola, e shterpët me gjithë etiketën e saj. Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë të përsërisin fjalët e Psalmit 23, nga liturgjia e sotme: “Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! Lartësohuni, o dyer të amshueshme, që të hyjë Mbreti i lavdisë”! …Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! …ai vetë është Mbreti i lavdisë”!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama