HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2014-01-29 17:04:13
A+ A- Printo artikullin



Egjipt: në Kairo sulmohet një Kishë kopto-ortodokse. Një i vrarë



Një grup njerëzish sulmoi dje pasdite kishën kopto-ortodokse të Virgjërës Mari në zonën ‘6 tetori’ të Governatoratit të Gizës. Policia iu përgjigj të shtënave e, në ndeshjen me armë zjarri, u vra një polic, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur. Banorët e lagjes arritën ta bllokonin auton e sulmuesve e edhe ta kapnin njërin prej tyre, duke ia dorëzuar, pastaj, autoriteteve. Tjetri u arrestua disa orë më pas nga policia. Dy agresorët, njofton agjencia AziaNjuz, janë shumë aktivë në rrethet fanatike islamike.
Patriku kopt-ortodoks, Tawadros II, e dënoi ashpër sulmin dhe u dërgoi një telegram ngushëllimi familjarëve të policit të vrarë. Atë Jerome Samir, prift i dioqezës së zonës pohoi, për agjencinë Mcn direct, se në ditët e ardhshme do të thellohen masat e sigurisë rreth ndërtesave fetare: “Do të vëmë roje edhe para kishave më të vogla” nënvizoi meshtari, duke sqaruar se në zonë janë disa milicë të armatosur, që duan ta shkatërrojnë paqen. Egjipti vijon të sulmohet nga një valë dhune, pas dëbimit të Vëllezërve Myslimanë nga qeveria, në përfundim të manifestimit të 30 milionë vetëve, qershorin e kaluar. Islamistët i damkosën të krishterët koptë si mbështetës të qeverisë filoushtarake, që akuzohet për nisjen e fushatës së dhunshme kundër anëtarëve të Vëllazërisë. Në gjysmën e gushtit, pak ditë pas shpërndarjes së islamistëve, që protestonin, të ulur gjithë ditën e lume në qendër të Kairos, mijëra ekstremistë sulmuan kishat e banesat e krishtera në mbarë vendin, duke rrënuar më se 200 ndërtesa. Miratimi i Kushtetutës së re (që zëvendëson atë islamiste, miratuar në vitin 2012), u dha hov të ri veprimtarive subversive të Vëllezërve Myslimanë kundër ushtrisë dhe atyre, që e mbështesin. Dje, disa njerëz të armatosur, vranë gjeneralin Mohamed Said, funksionar i lartë i Ministrisë së Brendshme egjiptiane. Vrasja ndodhi pak orë pas procesit kundër ish-presidentit dhe liderit islamist, Mohamed Morsi, që vijon në Kairo dhe një ditë pasi Këshilli i lartë i ushtrisë (Scaf), i hapi rrugën gjeneralit al-Sisi, ministër i Mbrojtjes, për të paraqitur kandidaturën si president i ardhshëm i vendit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama