HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-01-29 14:21:55
A+ A- Printo artikullin



P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Ngjallja e Krishtit, e vërtetë themelore për fenë tonë



Të gjitha të vërtetat e fesë së krishterë e kanë themelin e tyre në Ngjalljen e Krishtit: këtë thekson Katekizmi i Kishës Katolike në faqet kushtuar Misterit të Ngjalljes. E ky Mister është në qendër të vëmendjes së reflektimit të 29-të të jezuitit atë Dariush Kovalçik, në 20 vjetorin e botimit të tekstit:RealAudioMP3

E vërterta kryesore e fesë sonë është ngjallja e Jezusit. “Në qoftë se Krishti nuk u ngjall, e kotë është feja juaj e ju jeni ende në mëkatet tuaja”(1Kor 15-17), pohon qartë Shën Pali. Fjalët e para, pas Rrëshajëve, Shën Pjetri ia kushton Krishtit të ngjallur: “Po këtë Jezus Hyji e ngjalli! E ne të gjithë e dëshmojmë këtë gjë”(Vap 2,32). Të gjitha të vërtetat e tjera të fesë së krishterë bazohen mbi këtë dëshmi. Të gjitha festat e krishtera burojnë nga Pashkët. Nëse Jezusi i Nazaretit nuk do të ishte ngjallur e nuk do të kishte ndikuar Shpirtin e vet mbi dishepujt, sot vetëm specialistët e historisë së lashtë do të mund të na rrëfenin ndonjë gjë për jetën e Tij.

Katekizmi pohon se Ngjallja e Krishtit është ngjarje historike e, njëkohësisht, edhe e mbinatyrshme. Ngjallja i kapërcen kufijtë e historisë kohore; askush nuk e pa me sytë e vet ngjarjen e asnjë ungjilltar nuk e përshkruan (KKK, 647). Ishin, por, dishmitarët e varrit të zbrazur e posaçërisht, të Krishtit të ngjallur: Pjetri, të dymbëdhjetët, e edhe njerëz të tjerë, burra e gra, njerëz konkretë, të njohur nga të krishterët e parë. Përvoja e gjallë e të Ngjallurit u dha apostujve forcë e guxim ta predikojnë Lajmin e Mirë deri në martirizim.

Korpi i ngjallur i Jezusit mbart shenjat e kryqëzimit, por ka edhe – siç vërehet në Katekizëm – veçori të reja të një korpi të lumnuar; “ai [...] mund të bëhet i pranishëm, në mënyrën e vet, kurdoherë e kudo që dëshiron” (n.645). Ngjallja e Jezusit nuk ishte rikthim në jetën tokësore, si në rastin e Lazrit. Korpi i tij i ngjallur kaloi në një jetë të re, përtej kufijve të kohës e të hapësirës, që njohim ne.Nëse Jezu Krishti, Zot i vërtetë, por edhe njeri i vërtetë, ngjallet e fiton mbi vdekjen, kjo do të thotë se edhe ne do të ngjallemi e do të kemi, në Të, jetën e pasosur.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama