HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-01-29 15:06:41
A+ A- Printo artikullin



Papa në audiencën e përgjithshme: çdo fëmijë ta marrë Krezmimin, dhuratë drite, që të lidh me Jezusin



“Ka shumë rëndësi të kujdesemi që të gjithë fëmijët e të rinjtë ta marrin Krezmimin, sepse është Sakramenti, që u krijon kushtet ta jetojnë plotësisht jetën e krishterë”. Kjo ishte porosia kryesore e Papës Françesku sot, gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Në përfundim, Ati i Shenjtë kërkoi edhe një herë që puna, “burim i dinjitetit”, të jetë shqetësimi kryesor për njerëzit, që drejtojnë pasurinë dhe jetën publike.RealAudioMP3

Shtatë dhurata, që e bëjnë vezullues çdo njeri, por që shpesh dergjen e shuhen në një skutë të jetës së shumë të krishterëve. Urtia, Dija, Këshilla, Burrëria, Shkenca, Mëshira, Frika e Zotit; janë këto dhantitë, të cilat fitohen me Sakramentin e Krezmimit që, për fat të keq, nuk pasqyrohen gjithnjë në dëshminë e jetës së të krishterëve. Edhe pse, sqaroi Papa Françesku, vetë udha, në të cilën fëmijët hedhin hapat e para të jetës së krishterë, nuk çohet deri në fund:
“E për këtë ka rëndësi të kemi kujdes që fëmijët tanë, të rinjtë tanë, ta marrin këtë Sakrament. Të gjithë ne kujdesemi t’i pagëzojmë; e kjo është punë e mirë, Por kur bëhet fjalë për Krezmimin, nuk e kemi gjithë këtë kujdes; kështu fëmijët mbeten në gjysëm të udhës. E nëse ju, në shtëpitë tuaja, keni fëmijë që nuk e kanë marrë e janë në moshë për ta marrë, bëni ç’është e mundur për ta çuar deri në fund udhën e hapur drejt jetës së krishterë, që ata të marrin forcën e Shpirtit Shenjt. Mos e harroni, ka shumë rëndësi!”.
Papa njoftoi se pikërisht Dhuratave të Shpirtit Shenjt do t’u kushtojë katekizmat, që do të vijojnë mbi Sakramentet e, si të donte t’u paraprinte, pohoi se çdo sakrament i veçantë, është një nga mënyrat e zgjedhura nga Krijuesi për t’i formuar krijesat e veta ‘sipas shembëlltyrës të të Birit”. Posaçërisht Krezmimi, theksoi Papa... :
“... e rrit hirin e Pagëzimit; bashkon më fort me Krishtin, përsos lidhjen tonë me Kishën, na jep forcën e madhe të Shpirtit Shenjt për ta përhapur e për ta mbrojtur fenë, për ta dëshmuar emërin e Krishtit e për të mos u turpëruar kurrë, kurrë, nga Kryqi i Tij”.
E mijëra guximtarëve, që mbushnin përplot Sheshin e Shën Pjetrit, duke sfiduar temperaturat e ulëta të kësaj dite të ngrirë dimërore e spërkatjet e pareshtura të shiut të imtë, si breshërizë dëbore, Papa Françesku u kujtoi edhe një hir tjetër të Sakramentit: kur Shpirti Shenjt hyn në veprim, e përmbyt gjithë qenien e njeriut, gjithë jetën e tij. Ndodh, kështu, një mrekulli e heshtur, mahnitëse, që e shndërron shpirtin njerëzor, duke krijuar njerëz të aftë për t’i përballuar kryqet e Kryqin:
Kur ia hapim zemrën tonë Shpirtit Shenjt dhe e lëmë të veprojë, Krishti vetë vjen në ne e merr formën e jetës sonë; përmes nesh, do të jetë Ai – shikoni, dëgjojeni mirë këtë, e - përmes nesh, do të jetë vetë Krishti ai, që do të lutet, do të falë, do të japë shpresë e ngushëllim, do t’u shërbejë vëllezërve, do të jetë pranë nevojtarëve e të fundmëve, do të krijojë bashkim e do të mbjellë paqe”.

Në përfundim, gjatë përshëndetjeve të njerëzve të punës, të pranishëm në Shesh, prekja e disa tamatikave të mprehta shoqërore, ndërmjet të cilave, ajo e punës:“Ndërsa ju shpreh afërsinë, uroj të bëhet çdo përpjekje e mundshme nga ana e instancave kompetente, që puna, burim i dinjitetit, të jetë kujdesi kryesor për të gjithë. E të mos mungojë kurrë! Sepse është burim dinjiteti”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama