HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-04 12:48:01
A+ A- Printo artikullin



Ju kumtojmë Lajmin e mirë III



RealAudioMP3 Në vijim të paraqitjes së Ungjillit sipas Markut, ju kujtojmë se radhën e kaluar kemi folur për fjalinë e parë të këtij libri, ku thuhet: “Fillimi i ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit” (Mk 1,1). Kemi parë se Ungjilli nuk është libri, por Krishti vetë, ajo që ai shpall, vepron e pëson dhe, mbi të gjitha, misteri i vdekjes dhe ringjalljes së tij. Shën Pali, duke u shkruar korintasve, e përmbledh Ungjillin në përmbajtjen e tij thelbësore: “Po ju bëj të ditur ungjillin, që ju kam shpallur – shkruan – (...), domethënë se Krishti vdiq për mëkatet tona, sipas Shkrimeve, u varros e u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve, dhe iu shfaq Kefës dhe të dymbëdhjetëve” (1Kor 15,1.3-5). Shkrimet, për të cilat flet Pali janë Shkrimet e Shenjta të Izraelit, në të cilat flitet për Krishtin.
Të kthehemi tek fjalia e parë u librit të Markut: “Fillimi i ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit”. Kjo fjali na ndihmon të shohim në qendër Krishtin. Ungjilli është i Jezu Krishtit jo vetëm në kuptimin që çfarë gjejmë të shkruar në këtë libër na tregon për të, por, madje mbi të gjitha, në kuptimin që është Krishti vetë ai që e realizon dhe e shpall lajmin e mirë. Nëse Krishti vetë e realizon dhe e shpall ungjillin – lajmin e mirë – Marku dhe Kisha kanë për detyrë ta bëjnë të pranishëm Krishtin, me anë të tregimit dhe të kremtimit, duke bërë të mundur, kështu, që ai të vijojë ta shpallë lajmin e mirë në çdo kohë dhe në çdo vend.
Të vijmë tani tek emri: Jezu Krishti. Duhet të sqarojmë se nuk kemi të bëjmë me një emër dhe mbiemër. Jezus është emri i përveçëm i birit të Marisë nga Nazareti. Ungjilli sipas Mateut dhe ai sipas Lukës na tregojnë se këtë emër ua diktoi engjëlli Jozefit dhe Marisë për foshnjën që do të lindte: “Ajo do të lindë një bir e ti vërja emrin Jezus” – i thotë engjëlli Jozefit në tregimin e Mateut, ndërsa Marisë, në tregimin sipas Lukës i thotë: “Do të ngjizësh e do të lindësh një bir, të cilit do t’i vësh emrin Jezus” (Lk 1,31). Jezus (Joshuah), në hebraisht, do të thotë Hyji shpëton. Ky është emri i përveçëm i Birit të Hyjit të bërë njeri.
Fjala Krisht është përkthimi grek i fjalës hebraike Mashiah, që do të thotë i vajosur. Izraeli priste njeriun e vajosur nga Hyji, për të kryer veprën e Hyjit mes njerëzve. Marku nuk na jep emrin dhe mbiemrin e Birit të Hyjit, por na thotë se njeriu Jezus është Krishti, mesia, i lyeri me vaj, për të kryer veprën e Hyjit mes njerëzve. Duke thënë se Jezusi është Krishti, ai na tregon se, nëse e njohim dhe e ndjekim Jezusin, gjejmë gjithçka që na nevojitet për ta përkryer njerëzinë tonë, gjejmë të vajosurin e Hyjit, Birin e tij shpëtimtar.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama