HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-04 16:04:49
A+ A- Printo artikullin



Kardinali Sarah: të krishterit nuk i mjafton ta denoncojë varfërinë, nevojitet solidaritet



Mesazhi i Papës Françesku për Kreshmët e këtij viti u paraqit sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Ndër relatorët, kryetari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, kardinali Robert Sarah, bashkëshortët italianë Davide Dotta dhe Anna Zumbo, misionarë për tre vjet në Haiti, shoqëruar nga dy fëmijët e tyre.
Dokument i jashtëzakonshëm: kështu e quajti mesazhin kardinali Sarah, i cili i ftoi të pranishmit dhe gjithë besimtarët ta lexojnë, pasi ndihmon për të kuptuar ç’është varfëria për të krishterët. Ati i Shenjtë, nënvizoi ai, e sheh varfërinë katërcipërisht, pa kundërvënie ndërmjet Kishës “së varfër për të varfërit” e Kishës “së predikimit e të së vërtetës”. Fakti që Krishti zgjodhi të jetë i varfër na sugjeron se ekziston një përmasë pozitive e varfërisë:
“Të mos mendojmë se jemi në rregull me ndërgjegjet tona borgjeze – dëshiron të na thotë Papa – duke denoncuar mungesat e dikujt, ose varfërinë si sistem. Varfëria prek thellësitë e zemrës njerëzore: ashtu si Krishti zbriti nga froni mbretëror për të kryer vullnetin e Atit Qiellor duke ndihmuar vëllezërit e tij që kishin nevojë për shëlbim, ashtu edhe i krishteri hyn në një dinamikë varfërie e dhurate, sepse është i pasur nga fakti se është bir i Zotit”.
Prandaj, shpjegoi më tej kardinali Sarah, kur Kisha flet për varfërinë, nuk e kupton atë si ata, që thjesht, denoncojnë ekzistencën e saj, sepse i varfër mund të jesh edhe pasi e ke zgjedhur këtë gjendje për hir të dashurisë së Krishtit e të vëllezërve. Vërtet, në mesazhin e Papës, bëhet dallimi i qartë ndërmjet varfërisë e mjerimit. Nuk duam të luftojmë varfërinë e kuptuar sipas Ungjillit, por mjerimin, theksoi më tej kardinali. Kisha, me Papën Françesku, tregon kujdes të veçantë si për varfërinë materiale, ashtu edhe për varfërinë shpirtërore:
“Të mjerët ne, nëse vëmendja jonë për nevojtarët të mos merrte parasysh mjerimin shpirtëror, që shpesh bën fole në zemrën e njeriut dhe e bën të vuajë thellësisht, pavarësisht se ka në dispozicion shumë të mira materiale… Të mjerët ne, nëse Kishë e varfër do të thoshte vetëm Kishë pa të mira materiale”.
Nëse duam ta kuptojmë si duhet mesazhin e sivjetëm të Papës Françesku, përfundoi kardinali, duhet ta shohim në këndvështrimin antropologjik. Njeriu është bir i Zotit e kjo është pasuria e tij më e madhe. Gabimi i botës dhe i kulturës së sotme është mendimi se njeriu mund të jetë i lumtur edhe pa Zotin.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama