HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-04 14:41:03
A+ A- Printo artikullin



Papa: për Kreshmë, të krishterët të kujdesen me dashuri për çdo mjerim material, moral e shpirtëror



Gjatë kohës së kreshmëve Kisha duhet të jetë “e gatshme dhe e vëmendshme” për t’u kujdesur për çdo mjerim material, moral e shpirtëror, me anë të shpalljes së Ungjillit dhe të shërbimit konkret, që buron prej dashurisë. Kështu shprehet Papa Françesku në Mesazhin e shkruar për periudhën e përgatitjes për Pashkë, që do të fillojë më 5 mars, të mërkurën e përhime. RealAudioMP3
Tre mjerime nuk kanë munguar kurrë në botë: skamja e plotë, ose zotërimi i tepër pak gjërave, që duhen për të jetuar me dinjitet mes të tjerëve; zemrat e plagosura nga skllavëri të ndryshme; qenia duarplot, por me shpirt të zbrazur, që nuk është i aftë të besojë në asgjë, sepse asgjë nuk ka vlerë. Nga ana tjetër, bari i shërimit: Ungjilli. Për papën Françesku Kreshma jetohet duke u kujdesur për këto tre mjerime, duke zatuar Ungjillin. Mesazhi i tij sillet rreth varfërisë njerëzore, ashtu siç e shpjegon Shën Pali: Jezusi, “nga i pasur, që ishte, u bë i varfër për ju, që ju të bëheshit të pasur me anë të varfërisë së tij”. Kjo, shkruan Papa, “nuk është lojë fjalësh”, as “shfaqje befasuese”, por dëftimi i “stilit të Hyjit” dhe i “logjikës” së tij.
Hyji i zbulohet botës me anë të varfërisë së Birit të vet, “i zhveshur” nga pushteti e lavdia, sepse mënyra e tij e dashurisë për njerëzit është plot “hir, bujari dhe dëshirë për afërsi”. “Hyji – shkruan Papa Françesku – nuk e ka hedhur nga lart shpëtimin mbi ne, si dikush që hedh lëmoshën nga tepricat e veta me një gjest dhembshurie filantropike”. Hyji është Ati që, në Jezusin, “nuk ngurron ta dhurojë vetveten dhe të flijohet për krijesat e dashura”. Dashuria, ngulmon Papa, “qëndron në pjesëmarrjen e plotë në fatin e të dashurit”. Ky lloj dashurie “bën të ngjashëm, krijon barazi, shemb muret dhe largësitë”. Prandaj, shpjegon Ati i Shenjtë, “kjo varfëri me të cilën Jezusi na çliron dhe na bën të pasur” është “pikërisht mënyra me të cilën ai na do, mënyra me të cilën bëhet i afërmi ynë, si Samaritani i Mirë”. Për të krishterët, mbi të gjitha gjatë Kreshmës, nuk ka rrugë jetër, përveç “imitimit të Mësuesit”.
Nga lloji i dashurisë, Papa Françesku kalon tek objektivat. Jemi të thirrur, thotë, të shikojmë mjerimet e vëllezërve, t’i prekim, t’i marrim përsipër dhe të veprojmë në mënyrë konkrete për t’i lehtësuar”. Mjerimi, sqaron Papa para së gjithash “nuk është e njëjta gjë si varfëria; mjerimi është varfëria pa besim, pa solidaritet, pa shpresë”. Pastaj bën këtë dallim: mjerimi material është më i dukshmi, ai për shkak të të cilit njeriu nuk ka ushqimin e nevojshëm, ose ujin, apo kushtet higjienike, punën, mundësitë e zhvillimit dhe të ngritjes kulturore. Përballë kësaj gjendjeje, thotë Papa Françesku, “Kisha e kryen shërbimin e vet” në shumë drejtime, duke u angazhuar edhe që të “reshtë në botë dhunimi i dinjitetit njerëzor, diskriminimi dhe poshtërimet, që, në disa raste, e prodhojnë mjerimin”. “Është e domosdoshme – vijon – që ndërgjegjet të kthehen kah drejtësia, barazia, thjeshtësia dhe ndarja e të mirave”.
Pastaj vjen mjerimi “moral, që nuk është më pak shqetësues”. Sa familje, - vëren Papa – janë “në ankth” e shpesh shkatërrohen, “sepse njëri nga anëtarët – shpesh herë më i riu – është nën vartësinë e alkolit, të drogës, të lojës, të pornografisë”. E sa të tjera janë në mjerim për shkak të kushteve shoqërore të padrejta, për shkak të mungesës së punës, që i lë pa dinjitetin që jep fitimi i bukës; për shkak të mungesës së barazisë përballë të drejtave në fushën e shëndetësisë e të arsimit” Në këto raste, “mjerimi moral mund të quhet si fillimi i vetëvrasjes” Me mjerimin moral lidhet shpesh edhe ai shpirtëror dhe këtu, thekson Papa, “Ungjilli është bari i vërtetë shërues”, që e ngarkon të krishterin me misionin “për ta sjellë në çdo mjedis kumtin çlirimtar se ekziston falja për të keqen e kryer, se Hyji është më i madh se mëkati ynë dhe na do falas, gjithmonë, dhe se jemi krijuar për të jetuar në bashkësi me të tjerët e për jetën e amshuar”.
“Të dashur vëllezër e motra – uron Papa Françesku – kjo kohë Kreshme, e gjettë mbarë Kishën të gatshme e të vëmendshme, për t’u dëshmuar atyre që jetojnë në mjerimin material, moral e shpirtëror, mesazhin ungjillor”, por “këtë mund ta bëjmë, thekson, në atë masë në të cilën do të njëjtësohemi me Krishtin, i cili u bë i varfër dhe na ka pasuruar me varfërinë e tij” Dhe shton: “Kreshma është një kohë e përshtatshme për t’u zhveshur; do të na bëjë mirë ta pyesim veten prej cilave të mira duhet të lirohemi, me qëllim që të ndihmojmë e të pasurojmë të tjerët, me varfërinë tonë. Të mos harrojmë se varfëria e vërtetë dhemb: nuk do të kishte vlerë zhveshja pa këtë përmasë pendestare. Lëmoshën, që nuk kushton e nuk dhemb, e shikoj me dyshim”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama