HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2014-02-05 15:57:05
A+ A- Printo artikullin



AIIS renditet mes instituteve kryesore studimore në shkallë globale



Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare është renditur i 24-ti mes instituteve kryesore studimore të Europës Qendrore e Lindore, sipas raportit vjetor të botuar nga Universiteti i Pensilvanisë

Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare është renditur në vendin e 24-t, midis 60 instituteve kryesore studimore të Europës Qendrore dhe Lindore, sipas rezultateve të raportit të shtatë vjetor, të vitit 2013, Global Go to Think Tanks.

Viti 2013 është viti i tretë radhazi që Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare (AIIS) renditet mes instituteve më të mira studimore të të Europës Qendrore e Lindore. Kjo arritje u bë e njohur me Treguesin Global tw vitit 2013 Go to Think Tank (GGTTI), që organizohet çdo vit nga Programi Think Tank dhe i Shoqërisë Civile i Universitetit të Pensilvanisë. Raporti i vitit 2013 u prezantua më 22 janar 2014, në Uashington, DC, në një konferencë shtypi organizuar nga Banka Botërore.
Ky tregues është bërë një standard i artë për institutet studimore nëpër botë dhe citohet gjerësisht nga qeveritë, donatorët, gazetat dhe vendimmarrësit e politikës, si një profil dhe punë e shquar e instituteve studimore në çdo rajon të botës. AIIS ka qenë vazhdimisht i vetmi institut studimor shqiptar, që shfaqet në vendin e 24-t të kësaj renditjeje për një rajon të gjerë që shtrihet nga Hungaria deri në Rusi, duke përfshirë edhe Ballkanin, çka flet për angazhimin e gjatë dhe cilësinë e punës kërkimore të stafit të institutit.
Treguesi Global Go to Think Tank, i vitit 2013 përmban një varg renditjesh globale dhe sektoriale, të organizuara mbi bazën e vendosjes gjeografike dhe specializimit tematik. Rezultatet e tij janë nxjerrë mbi bazën e përpjekjeve masive, globale, me anën e një sërë konsultimesh me ekspertë të kësaj fushe dhe të një rrjeti të gjerë kontaktesh.
Raporti është hartuar me ndihmën e më shumë se 1500 instituteve analoge dhe ekspertëve nga media e shkruar dhe elektronike, akademia, institucionet donatore publike dhe private, si dhe të qeverive në mbarë botën dhe radhit në shkallë globale 150 institute.
I krijuar në vitin 1997, nga një grup akademikësh dhe analistësh me përvojë të madhe në çështjet e politikës së jashtme dhe hartimit të politikave, AIIS ka dhënë kontribut të rëndësishëm nëpërmjet analizave, projekteve dhe botimeve në fushat e integrimit euro-atlantik, demokracisë, sigurisë dhe tranzicionit, si dhe për sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal.
Përveç realizimit të kërkimeve të pavarura dhe sondazheve, AIIS është një nga botuesit kryesorë të librave për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe organizator i disa konferencave dhe seminareve të rëndësishme për vendin. Tirana Times është partneri mediatik i institutit.
‘Në një botë të mbushur me cicërima dhe tinguj të çjerrë, që shpesh janë sipërfaqësorë dhe të ngarkuar politikisht, ka rëndësi të dihet se kur u duhet kthyer propozimeve të fuqishme politike, që trajtojnë çështje politike komplekse, me të cilat përballen hartuesit e politikës dhe publiku, –thotë Xhejm Mekgan, drejtor i Programit Think Tanks dhe Shoqërisë Civile në Universitetin e Pensilvanisë. -Ky tregues synon të ndihmojë për të identifikuar dhe njohur qendrat kryesore të ekspertizës në kërkimet e politikës publike në mbarë botën.”




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama