HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-05 16:07:40
A+ A- Printo artikullin



Imzot Silvano Maria Tomasi mbi raportin e OKB-së për të drejtat e të miturve në Vatikan



Selia e Shenjtë i priti me habi vërejtjet përmbyllëse të Komitetit të OKB-së për të drejtat e të miturve, që u paraqitën sot në Gjenevë, të cilat e padisin rëndë Vatikanin mbi çështjen e shpërdorimeve me të miturit nga ana e anëtarëve të klerit. Ky organizëm i Kombeve të Bashkuara pohon se Selia e Shenjtë vijon ta shkelë Konventën mbi të drejtat e të miturve. Komiteti e kritikon Vatikanin edhe për qëndrimet e tij ndaj homoseksualitetit, ndaj parandalimit të ngjizjes dhe abortit. Për të ditur si i ka pritur këto padi Selia e Shenjtë, Radio Vatikani intervistoi Vëzhguesin e Përhershëm vatikanas pranë Zyrave të OKB-së në Gjenevë, Imzot Silvano Maria Tomasi:RealAudioMP3
Komiteti i Konventës për të drejtat e të miturve nxori sot zyrtarisht përfundimet e veta dhe porositë për Vendet që u morën në shqyrtim gjatë seancës së 65-të dhe që janë Kongo, Gjermania, Selia e Shenjtë, Portugalia, Federata Ruse dhe Jemeni. Përshtypja e parë: duhet të presim, të lexojmë me vëmendje dhe të analizojmë me hollësi çfarë shkruajnë anëtarët e këtij Komisioni. Por, reagimi i parë është çudia, sepse ana negative e dokumentit, që kanë nxjerrë, është se duket sikur ta kishin përgatitur para takimit të Komitetit me delegacionin e Selisë së Shenjtë, e cila është përgjigjur me imtësi mbi pikat e ndryshme, që nuk janë përfshirë në këtë dokument përmbyllës, ose të paktën duket se nuk janë marrë seriozisht në konsideratë. Dokumenti duket i pa pajisur me të dhënat e fundit, nëse mbajmë parasysh çfarë ka bërë Selia e Shenjtë gjatë viteve të fundit, me masat e marra drejtpërdrejt nga autoriteti i Shtetit të Qytetit të Vatikanit e pastaj në vendet e ndryshme nga Konferencat ipeshkvore. Pra, mungon perspektiva e drejtë dhe më e fundit, e cila ka pësuar një sërë ndryshimesh për mbrojtjen e fëmijëve, që më duket së vështirë mund të gjendet në këtë nivel në institucionet e tjera, ose edhe në shtetet e tjera. Kjo është thjesht punë faktesh, provash, që nuk mund të shtrembërohen.
Si mund t’u përgjigjemi në mënyrë konkrete një për një padive të Komitetit të OKB-së?
Nuk mund t’u përgjigjem në dy minuta të gjitha pohimeve të bëra në dokumentin përmbyllës të Komitetit, disa prej të cilave janë shumë të padrejta . Selia e Shenjtë do të përgjigjet, sepse është anëtare, shtet pjesëtar i Konventës. E ka ratifikuar dhe merr përsipër ta zbatojë fjalë për fjalë dhe të respektojë frymën e kësaj Konvente, pa shtesa ideologjike apo imponime, që dalin nga fusha e vetë Konventës. Për shembull: Konventa mbi mbrojtjen e fëmijëve në preambulat e saj flet për mbrojtjen e jetës dhe për mbrojtjen e fëmijëve para e pas lindjes, ndërsa porosia, që i bëhet Selisë së Shenjtë është ajo e ndryshimit të qëndrimit mbi çështjen e abortit! Sigurisht, kur një fëmijë vritet, nuk ka më të drejta! Kjo më duket se është në kundërshtim të hapur me objektivat themelore të Konventës, që janë ato të mbrojtjes së të miturve. Ky komitet nuk u ka bërë një shërbim të mirë Kombeve të Bashkuara, duke u përpjekur t’i kërkojë Selisë së Shenjtë ndryshimin e mësimeve të saj të padiskutueshme. Pra, është pak e trishtueshme kur shihet si ky Komitet nuk i ka pikasur krejtësisht natyrën dhe funksionet e Selisë së Shenjtë, e cila ia ka shprehur qartas Komitetit vendimin e vet për t’i çuar përpara kërkesat e Konventës mbi të drejtat e të miturve, por duke përcaktuar e duke mbrojtur, para së gjithash, ato vlera themelore, që e bëjnë reale dhe të efektshme mbrojtjen e të miturve.
OKB-ja ka thënë në fillim se Vatikani ishte përgjigjur më mirë se vendet e tjera për mbrojtjen e të miturve, çfarë ka ndryshuar?
Në hyrjen e raportit përmbyllës pranohet qartësia e përgjigjeve të marra; nuk janë bërë përpjekje për të shmangur asnjë kërkesë të Komitetit, në bazë të provave që kishim në zotërim dhe, atje ku informacioni nuk ishte i menjëhershëm, kemi premtuar se do ta përçonim më vonë, sipas udhëzimeve të Selisë së Shenjtë dhe siç bëjnë të gjitha qeveritë. Pra dukej se dialogu ishte konstruktiv dhe mendoj se duhet të mbetet i tillë. Prandaj, duke mbajtur parasysh përshtypjet e dialogut të drejtpërdrejtë të delegacionit të Selisë së Shenjtë me Komitetin dhe tekstin e përfundimeve dhe porosive, të vjen tundimi të thuash se ndoshta ai tekst ishte shkruar që më parë dhe që nuk pasqyron të dhënat dhe qartësinë e asaj që ishte zhvilluar, përveçse në ndonjë shtojcë të shkruar nxitimthi. Prandaj duhet t’i çojmë përpara shpjegimet e Selisë së Shenjtë, me qetësi dhe me prova – sepse nuk kemi asgjë për të fshehur – duhet t’u përgjigjemi pyetjeve, nëse do të ketë, në mënyrë që synimi themelor, që duam të ndjekim – mbrojtja e të miturve – të mund të arrihet. Bëhet fjalë për 40 milionë raste të abuzimeve me të miturit në botë: fatkeqësisht disa nga këto raste – edhe pse në përpjesëtim shumë të vogël në krahasim me çfarë ndodh në botë – prekin njerëzit e Kishës. Kisha është përgjigjur, ka reaguar e vijon ta bëjë këtë gjë. Duhet të ngulim këmbë tek politika e transparencës, e moslejimit të shpërdorimeve, sepse dhe një rast i vetëm i abuzimit me një të mitur ëshgtë i tepërt.
Pra, çfarë mund të ketë ndodhur?
Ndoshta Organizatat Joqeveritare – që janë të interesuara për homoseksualitetin, për martesat gay e çështje të tjera – kanë pasur me siguri vërejtjet e tyre, që i kanë përfaqësuar dhe, në një farë mënyre, kanë përforcuar linjën ideologjike.
Ja komukiata e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë:
Në përfundim të seancës së tij të 65-të, Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve botoi Vërejtjet Përmbyllëse mbi shqyrtimin e Raportit të Selisë së Shenjtë dhe të pesë Shteteve Anëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve (Kongo, Gjermania, Portugalia, Federata Ruse dhe Jemeni).
Sipas procedurave të veçanta të parashikuara për anëtarët e Konventës, Selia e Shenjtë i merr parasysh Vërejtjet Përmbyllëse mbi Raportet, të cilat do të studiohen imtësisht dhe do të shqyrtohen, në respekt të plotë të Konventës, në rrafshet e ndryshme të paraqitura nga Komiteti, sipas të drejtës dhe praktikës ndërkombëtare, sikurse edhe duke mbajtur parasysh debatin publik me Komitetin, që u zhvillua më 16 janar 2014.
Megjithatë, Selia e Shenjtë vëren me keqardhje se në disa pika të Vërejtjeve Përmbyllëse ka një orvatje për të ndërhyrë në mësimet e Kishës Katolike mbi dinjitetin e personit njerëzor dhe në ushtrimin e lirisë fetare.
Selia e Shenjtë e përtërin angazhimin e vet në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, në një vijë me parimet e miratuara nga Konventa mbi të Drejtat e Fëmijëve dhe sipas vlerave morale e fetare të doktrinës katolike.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama