HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-05 15:57:21
A+ A- Printo artikullin



P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: U ngjit në qiell, rri në të djathtë të Atit



Të gjitha të vërtetat e fesë së krishterë e kanë themelin e tyre në Ngjalljen e Krishtit: për këtë temë folëm në emisionin e kaluar, duke shfletuar Katekizmin e Kishës Katolike në faqet kushtuar Misterit të Ngjalljes. E ky Mister pasohet nga Misteri tjetër: “U ngjit në qiell, rri në të djathtë të Atit”. Kështu titullohet edhe reflektimi i 30-të i jezuitit atë Dariush Kovalçik, në 20 vjetorin e botimit të tekstit:

Fraza e parafundit e Ungjillit të Markut, është: “Zoti Jezus, mbasi foli me ta, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Atit”(16,19). Të Ngjiturit e Krishtit në qiell, shpjegon Katekizmi, shënon kalimin nga lumnia e Krishtit të ngjallur, në atë të Krishtit lartuar më të djathtën e Atit (KKK, 660). Mund të themi se të ngjiturit në qiell është episodi i fundmë i jetës tokësore të Jezusit. Por ky episod kryhet përtej horizontit tonë kohor e çon në amshimin e Atit.
Të Ngjiturit lidhet ngushtë me të zbriturit e Birit nga qielli. “Askush nuk u ngjit kurrë në qiell, përveç Birit të njeriut, që zbriti nga qielli” (Gjn 3,13), pohon Shën Gjoni Ungjilltar. Po, ç’ kuptim ka lëvizja nga qielli, e në qiell? Pse Vetja e dytë e Trinisë zbret, e poshtëron vetveten, e pastaj rikthehet në lavdinë, të cilën e ka gëzuar gjithnjë? Duhet vërejtur se në këtë lëvizje, natyra hyjnore bëhet përfundimisht një gjë e vetme me natyrën njerëzore. Biri nuk kthehet tek Ati i vetëm, por dhe me natyrën e vet njerëzore. Jezusi, Zot i vërtetë, nuk pushon së qeni edhe njeri i vërtetë. Mbetet i mishëruar – me natyrë njerëzore të lumnuar.
Katekizmi shpjegon: “I lënë në mëshirën e forcave natyrore, njerëzimi nuk mund të hyjë në Shtëpinë e Atit. Vetëm Krishti mundi t’ia hapë njeriut këtë portë...” (n. 661). Në lutjen e ofices së Solemnitetit të të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, lexojmë: “O Hyj, në Krishtin e ngjitur në qiell, natyra jonë njerëzore u lartua pranë Teje”. Jezu Krishti na paraprin në Mbretërinë e lavdishme të Atit (cfr KKK,667).Formula “rri në të djathtën e Atit” do të thotë se Biri është përsosurisht i ngjashëm me Atin në natyrën e tij hyjnore e se formon një natyrë të vetme hyjnore me Të. Biri, Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë, bëhet fjalëmirë për ne, si i vetmi ndërmjetësues. Mund të shpresojmë, prandaj, se një ditë do të jemi bashkë me Të, në amshim” (KKK,667).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama