HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Bamirësi dhe solidaritet >  2014-02-05 12:40:43
A+ A- Printo artikullin



Toka e Shenjtë: raport mbi ndërhyrjet e Misionit Papnor në mbështetje të Gazës



Misioni Papnor për Palestinën ka bërë t njohur një raport të hollësishëm mbi ndihmat urgjente që ka dhënë në përkrahje të popullsisë së Rripit të Gazës, pas operacionit ushtarak “Shtylla e tymit”, që kryen në atë krahinë forcat e armatosura izraeliane në nëntor të vitit 2012. Tetë ditë mësymje, që u sollën vdekjen 165 palestinezëve, kryesisht civilë. Ndërhyrjet për ndihmë e përkrahje – shpjegon raporti i shpërndarë nga agjencia Fides – kanë filluar menjëherë pas armëpushimit, falë donacioneve prej 400 mijë dollarëve, që u mblodhën nga organizma të ndryshëm të jashtëm e ndërkombëtarë, përfshirë Veprën e Fëmijërisë Misionare gjermane (Kondermissionwerk). Sektorët e ndërhyrjes kanë qenë ai shëndetësor, i asistencës psiko-shoqërore dhe meremetimi i shtëpive apo ndërtesave të ndryshme, të dëmtuara nga bombardimet. Në fushën mjekësore, misioni papnor është orvatur të plotësojë mungesën e ilaçeve dhe mjeteve shëndetësore, që pas përfundimit të operacioneve ushtarake e bënte dramatike ndihmën për të lënduarit. Ilaçet dhe pajisjet e mbledhura nga Misioni Papnor u kanë mundësuar ndihmën shëndetësore më se 17 mijë vetëve, pa lënë pas dore nevojat ushqimore dhe shërbimet e nevojshme për gratë shtatzëna dhe mjekimin e infeksioneve intestinale të shkaktuara nga uji i ndotur. Programet e mbështetjes psiko-shoqërore janë organizuar në të mirë të rreth gjashtëmijë fëmijëve të traumatizuar nga bombardimet dhe nga detyrimi për të braktisur shtëpitë. Analizimi i hollësishëm i kësaj pjese të traumatizuar të fëmijëve të Gazës, ka dalë shpesh herë në përfundimin se ata kanë vështirësi për të mësuar, për shkak të rrethanave të vështira, në të cilat janë gjendur. Një pjesë e ndihmave të Misionit Papnor është përdorur për të ndërtuar ose për të meremetuar dëmet që kanë pësuar shtëpitë private të më se dyzet familjeve palestineze dhe ndërtesat e ndryshme të institucioneve publike, përfshirë shkollat e Patrikanës Latine të Jerusalemit dhe Qendrën e Kulturës Greko-ortodokse. Misioni Papnot për Palestinën administrohet nga Catholic Near East Welfare Association, një agjenci e themeluar nga Selia e Shenjtë nën shtysën e Piut XII në vitin 1949, për të ndihmuar refugjatët palestinezë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama