HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-06 14:42:09
A+ A- Printo artikullin



Madrid. Atë Lombardit i jepet çmimi “Bravo” për punën në krye të Sallë së Shtypit të Vatikanit



“Zëdhënësi është ai që mishëron, në komunikimin publik, herë pas here, mendimin, gjykimin dhe vendimet e bashkësisë së Kishës”. Kështu u shpreh dje drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federico Lombardi, duke marrë çmimin “Bravo” 2013 në Madrid, të cilin ia dha Konferenca ipeshkvore spanjolle “për shërbimin e vlefshëm që i ka bërë komunikimit të Kishës”, duke i afruar institucionet kishtare me mediat.
Në fillim falënderimet në emër të të gjithë atyre që morën çmime në këtë edicion të 42-të të Çmimit “Bravo”, të cilët janë dalluar “për shërbimin ndaj dinjitetit të njeriut, ndaj të drejtave njerëzore dhe vlerave ungjillore”. “Komunikuesit e krishterë – tha atë Lombardi – kanë privilegjin të jenë të thirrur për një veprimtari, për një angazhim, që mund të bashkohet në një sintezë të thellë me ndjenjën e misionit në Kishë”.
Pastaj një kumtesë e gjatë, e nyjëtuar, mbi rolin dhe punën e përditshme të Sallës së Shtypit të Vatikanit, e pasuruar me mendime personale, që burojnë nga përvoja e drejtpërdrejtë e këtyre viteve të dendura, përfshirëse, plot sfida e risi në marrëdhëniet ndërmjet Kishës dhe shoqërisë së sotme, në të gjitha përmasat e saj. Marrëdhënie të ndërmjetësuara nga “vendi i takimit dhe i shërbimit” për “t’iu përgjigjur pritjeve të komunikatorëve” dhe për “të hyrë në dialog me ta”, ashtu siç ishte ngjizur gjatë viteve të Koncilit II të Vatikanit Salla e Shtypit e Vatikanit, që sot numëron rreth 600 gazetarë fotografë, kameramanë të akredituar e të përhershëm, që arrijnë në 6000 gjatë ndërrimit të papëve.
Njerëz të mediave, me qëndrime dhe sjellje shumë të ndryshme në rrafshin fetar, ideologjik e politik kundrejt Vatikanit. Por, “ne u ofrojmë të gjithëve – siguroi atë Lombardi – të njëjtat mundësi për të dhënë informacionin e drejtë, për të kuptuar përmbajtjet dhe qëllimet që e frymëzojnë Papën, bashkëpunëtorët e tij, dhe Kishën. Gazetarët kanë përgjegjësinë e tyre dhe lirinë për të përdorur dhe interpretuar informacionet dhe ne duhet ta respektojmë”, “pa treguar parapëlqim për njërën palë apo për tjetrën”. “Unë besoj – shtoi ai – nuk mund e nuk duhet të jetë burimi i vetëm i informacionit në Vatikan”, por duhet të synojë të jetë “një pikë referimi” “e besueshme dhe e sigurte”. “Jam kundër frymës së centralizmit dhe të kontrollit të tepërt e maniak” – shpjegoi Atë Lombardi, i cili shtoi se “është e drejtë dhe normale, që gazetarët të mund t’u drejtohen e të flasin lirisht” me titullarët e tjerë kishtarë.
Në përfundim disa nënvizime që burojnë nga zemra: për zëdhënësin e Vatikanit, tha Atë Lombardi, “sjellja miqësore dhe qetësuese nuk është luks, por detyrë” kundrejt shumë njerëzve që hyjnë në kontakt me Kishën vetëm nëpërmjet mediave. Për këtë arsye, nevojitet “një gjuhë e qartë, e thjeshtë dhe e kuptueshme”, duhet “të jemim vetvetja”, “gjithmonë të vërtetë e të çiltër”, duhet t’i japim një përgjigje çdo pyetjeje, “pa pritur tepër”, për të krijuar besueshmëri dhe besim.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama