HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-06 14:41:13
A+ A- Printo artikullin



Mesazhi i Papës për ditën botërore të Rinisë



Mesazhi i Papës për ditën botërore të Rinisë RealAudioMP3
Mesazhi i Papës për Ditën e 29-të Botërore të Rinisë, që do të kremtohet më 13 prill 2014 nëpër dioqeza, mban titullin : “Lum të varfrit në shpirt, sepse e tyre është mbretëria e qiejve!” (Mt 5, 3). Ky është mesazhi i parë i Papës Françesku drejtuar të rinjve, në vazhdën e traditës së nisur nga i lumi Gjon Pali II dhe të vijuar nga Benedikti XVI.
Pas DBR të korrikut të kaluar, e cila la mbresa të jashtëzakonshme, Papa e vijon dialogun me të rinjtë e botës dhe u paraqet temat e tre takimeve të ardhshme, për të përvijuar itinerarin e përgatitjes shpirtërore për të cilën duhet të kujdesen gjatë tre vjetëve që u paraprijnë kremtimit ndërkombëtar në Krakovë, në korrikun e vitit 2016.
Temat e tri DBR janë marrë nga Lumnitë ungjillore dhe tregojnë se Papa e shikon këtë pjesë nga Ungjilli sipas Mateut si një pikë referimi të pashmangshme për jetën e Kishës, e cila është e thirrur di ndjekë lumnitë si programin konkret të jetës së saj.
Sfida e vërtetë është jetimi i lumnive
Në këtë mesazh, Ati i Shenjtë u kujton të rinjve se edhe Jezusi vetë na e ka treguar udhën, që duhet të ndjekim, duke i mishëruar lumnitë gjatë gjithë jetës së vet: të jetosh lumnitë sot, përbën, për të rinjtë, një sfidë të vërtetë për të ndjekur Krishtin, duke shkuar kundër rrymës dhe duke e dëshmuar këtë risi revolucionare. Meqë është e pamundur të jesh i krishterë e të kesh një ide për jetën “në miniaturë”, Papa u bën thirrje të rinjve të mos i pranojnë ofertat e lumturisë me çmim të ulët dhe të kenë guximin për lumturinë e vërtetë, që vetëm Hyji mund ta japë.
Papa Françesku u shpjegon, pastaj, të rinjve çfarë do të thotë të jesh i varfër në shpirt, duke hyrë, kështu, në thelbin e temës së ditës së ardhshme botërore të rinisë. Vetë Jezusi ka ndjekur rrugën e zhveshjes dhe të varfërisë, prandaj Papa i fton me ngulm të rinjtë ta imitojnë Jezusin, dhe u paraqet shembullin e Shën Françeskut. Të rinjtë e krishterë janë të thirrur për t’u kthyer, për të përqafuar stilin ungjillor të jetës, që është i karakterizuar nga thjeshtësia, nga kërkimi i gjërave esenciale dhe nga solidariteti konkret me të varfrit. Të varfrit, shpjegon Papa, nga njëra anë janë “trupi i vuajtur” i Krishtit, të cilin të gjithë jemi të thirrur ta prekim personalisht, por, nga ana tjetër, ata mund të bëhen mësues të vërtetë jete, sepse të rinjtë kanë shumë për të dhënë, si në rrafshin njerëzor, ashtu edhe në atë shpirtëror.
Papa nënvizon, gjithashtu, lidhjen e ngushtë të temës së DBR të Rios – “Shkoni dhe mësojini të gjitha kombet” (Mt 28, 19) – me lumninë e të varfërve në shpirt. Në të vërtetë, shpjegon Papa, “varfëria ungjillore është kushti themelor për të kuptuar Mbretërinë e Hyjit”: nga zemrat më të thjeshta buron shumë shpesh gëzimi i vërtetë, që është motori më i mirë i ungjillëzimit.
Papa Gjon Pali II, pajtori i madh i DBR
Papa kujton, në fund, përvjetorin e tridhjetë të dorëzimit të Kryqit të madh të Jubileut të Shëlbimit, që do të kremtohet më 22 prill. “Pikërisht duke filluar nga ky akt simbolik, Gjon Pali II nisi shtegtimin e madh të të rinjve, i cili, qysh atëherë, vijon nëpër të pesë kontinentet”. Papa u kumton të rinjve, se pas shenjtërimit të tij, ngjarje që na i mbush zemrat me gëzim, Gjon Pali II do të jetë “pajtori i madh i DBR, themelues dhe nismëtar i të cilës qe ai vetë”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama