HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-06 14:41:39
A+ A- Printo artikullin



Papa: t’i lutemi Zotit të vdesim në Kishë, me shpresën se po lemë trashëgim një jetë vërtet të krishterë



Në meshën e kremtuar mëngjesin e sotëm në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku reflektoi mbi misterin e vdekjes, duke iu lutur Zotit për tri hire: të vdesim në Kishë, pa u larguar prej saj; të vdesim me shpresë në zemër e të lemë trashëgim një dëshmi jete vërtet të krishterë. Leximet liturgjike tregojnë për vdekjen e Davidit mbret, pas një jete shërbimi për popullin e vet. E nënvizojnë tri gjëra, tha Ati i Shenjtë gjatë homelisë: së pari, Davidi vdes në gjirin e popullit të vet, duke e ndjerë veten deri në fund, anëtar të tij. Mëkatoi e ai vetë e quan veten “mëkatar”, por nuk u largua kurrë nga Populli i Zotit:RealAudioMP3
“Mëkatar po, tradhtar jo! E ky është hir: të mbetesh deri në fund me Popullin e Zotit. Është hir të vdesësh në gjirin e Kishës, në gjirin e Popullit të Zotit. E kjo është pika e parë, që dua të nënvizoj. Edhe ne, të kërkojmë hirin të vdesim në shtëpi. Të vdesim në shtëpi, brenda Kishës. Ky është hir! Kjo nuk blihet! Është dhuratë e Zotit e duhet t’ia kërkojmë: ‘O Zot, ma bëj këtë dhuratë, të vdes në shtëpi, në Kishë!’ Mëkatarë po, të gjithë, të gjithë jemi! Por tradhtarë jo! Të korruptuar, jo! Gjithnjë brenda Kishës! E Kisha është aq nënë, sa të na dojë edhe kështu. Sa herë ndotemi, por Kisha na pastron: është nënë!”
Davidi, vazhdoi Papa, duke shtjelluar mendimin e tij të dytë, vdes në paqe, i sigurtë se po shkon tek etërit e vet. Edhe ky është hir, të vdesësh me shpresë e të jesh i vetëdijshëm se dikush të pret, se shtëpia, familja vazhdojnë, nuk jemi vetëm. Edhe për këtë duhet t’i lutemi Zotit, e dimë se jeta është luftë e shpirti i së keqes do hisen e vet:
“Shën Tereza e Krishtit Fëmijë thoshte, në ditët e fundit të jetës, se në shpirtin e saj kishte luftë e se kur mendonte për ç’e priste pas vdekjes, në qiell, ndjente një zë që i thoshte: ‘Jo, jo, mos u bëj e marrë, të pret errësira. Të pret terri i asgjësë!’ Ky është zëri i djallit, i qoftëlargtit, i cili nuk donte që ajo t’ia besonte veten Zotit. Të vdesim me shpresë e të vdesim duke ia besuar veten Hyjit! Të lutemi për këtë hir. Por lëshimi në dorën e Zotit fillon tani, si në gjërat e vogla të jetës, ashtu edhe në problemet e mëdha: t’i besojmë gjithnjë Hyjit! Kështu, kjo na bëhet zakon e për rrjedhojë, na shtohet shpresa. Të vdesim në shtëpi, të vdesim me shpresë”.
E reflektimi i tretë i Papës Françesku u përqendrua në trashëgiminë, që lë Davidi mbret, në 40 vjetët e qeverisjes së tij, të cilat lanë pas një popull të formuar, të fortë. Një proverb popullor, kujtoi Ati i Shenjtë, thotë se çdo njeri, në jetën e vet, duhet të bëjë të paktën një fëmijë, të mbjellë një pemë e të shkruajë një libër: kjo është trashëgimia më e mirë! Po ne, çfarë lemë pas, pyeti Papa:
“Kjo është trashëgimia: dëshmia jonë e krishterë, që u lëmë të tjerëve. E ndokush prej nesh lë një trashëgimi të madhe: të mendojmë për shenjtorët, që e kanë jetuar Ungjillin me shumë forcë, që na lënë trashëgim një udhë jete e një mënyrë jetese. Ja, këto tre gjëra më vijnë ndërmend, ndërsa lexoj këtë pjesë mbi vdekjen e Davidit: të kërkojmë hirin për të vdekur në shtëpi, për të vdekur në Kishë; të lutemi për të vdekur me shpresë; e të lutemi që të lemë një trashëgimi të bukur, trashëgimi njerëzore, trashëgimi dëshmie të jetës sonë të krishterë. Shën Davidi ndërhyftë për ne pranë Hyjit për këto tri hire”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama