HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-12 18:12:30
A+ A- Printo artikullin



Themeluesit e Programit Shqip



Dom Zef Shestani ( 29. 06. 1912 -16. 04. 1990)
“Laudetur Iesus Christus! Ju flet Radio -Vatikani në gjuhën shqipe”. RealAudioMP3
Për dyzet vjet me radhë ishte pikërisht ky zë, zëri i dom Zef Shestanit, që hapi Programin e gjuhës shqipe pranë Radio-Vatikanit, të cilin edhe e themeloi.
Dom Zefi lindi në Shkodër më 29 qershor 1912, njëherësh me Shqipërinë e Pavarur. U shkollua në Kolegjin Saverian të qytetit, ku Zoti e thirri për jetën meshtarake. Të parët menduan ta çojnë për të vijuar studimet e larta, në Padovë. Ishte viti 1935.
Sapo u kthye, Dom Zefi u emërua zëvendës-famullitar i Shkodrës me seli në kishën e Shën Kollit, në Rus, ku tha Meshën e parë më 1 janar 1936. Filluan për të 3 vjet veprimtarie të pareshtur. U mor me të rinjtë, me muzikën, me publicitikën. Nisi t'i hapte baritorisë së Kishës horizonte të reja, gjithnjë me frymën tradicionale: "Për Fé e Atdhé". Pasi iu kundërvu pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, më 1939, e komunizmit të pafé e të paatdhé, më 1944, pak kohë para se të binte Shkodra, u detyrua të kalonte në Itali, ku rifilloi menjëherë edhe më me zell punën në shërbim të idealeve, të cilave u kishte kushtuar jetën.
Në sa shërbente si famullitar në rrethinat e Romës, Selia e Shenjtë e ngarkoi me detyrën të themelonte Programin Shqip të Radio-Vatikanit. Nuk ishte e lehtë: bashkëpunëtorët në mërgim ishin të paktë; lidhja me besimtarët në atdhe, e pamundur; çdo fjalë që thuhej para mikrofonit, mund të krijonte rreziqe të paparashikuara përtej perdes së hekurt. Gjithsesi ai, që s'ishte trembur nga situata më të vështira, pranoi. Bashkëpunuan ngushtë me të Zef Pali, me të cilin njihej mirë që në Shqipëri, Andrea Shuli, Gjon Gjomarkaj e murgesha e parë engjëllore shqiptare, motër Luçia Laca. Bashkëpunëtor i jashtëm ishte atë Daniel Gjeçaj.
Programi i parë i Radio-Vatikanit në gjuhën shqipe filloi më 3 tetor 1951 me një Udhë Kryqi, që simbolizonte atë udhë në të cilën po ecnin besimtarët katolikë e mbarë populli shqiptar.Dom Zefi vdiq në Romë më 16 mars 1990. Vijon të jetë mërgimtar!
Motra Luçia Laca (Shkodër, 11.05.1918 - Romë, 19.10.2001)
Motra e parë engjëllore shqiptare lindi në Shkodër më 11 maj 1918 prej prindërve Rrok e Roza Laca, besimtarë të devoçëm katolikë, të lidhur ngushtë me Kishën. Vajza vijoi shkollën e motrave stigmatine, ku kreu normalen. Më 1940 mori rrugën drejt Italisë, për të mos u kthyer më kurrë në atdheun, që mbeti pas perdes së hekurt. Si kreu studimet në Trieshtë, u largua drejt Romës, ku jetoi në mjedise rregulltare, fillimisht, në shtëpinë e motrave të Notre Dame. Aty në jetën e saj u hap një faqe e re: ajo e veprimtarisë pranë Radio Vatikanit, ku u thirr nga Don Zef Shestani. Filloi punën më 1 tetor 1975, për ta përfunduar më 31 maj 1986, duke u shënuar në historinë e programit shqip si zëri i parë femëror.
E kreu shtegtimin e saj të gjatë e të shqetësuar mbi tokë, më 19 tetor 2001, në shtëpinë e përgjithshme të Motrave Engjëllore në Romë. Ende mërgimtare, edhe Motra Luçie, sot pret zgjimin në varrezën romake të "Prima Porta", në sa zëri i saj ju flet përsëri, nga arkivi ynë: RealAudioMP3

Zef Palin (Shkodër, 1910- Romë, 21 nëntor 1977)
po e kujtojmë përmes lajmit, që pati dhënë Radio Vatikani më 21 nëntor 1977, ditën e vdekjes së tij krejt të papritur e edhe sot, të pashpjeguar. Ja edhe Nekrologjia radiofonike, që përmbledh shkurtimisht gjithë jetën e ish-kolegut tonë mërgimtar, të cilit iu desh të shtegtonte edhe i vdekur, po jo drejt Atdheut të dëshiruar:
“Mbas një aksidenti automobilistik, ndërroi jetë, në Romë, një nga bashkëpunëtorët më të vlefshëm të Radio Vatikanit, profesor Zef Pali, që prej 20 vjetësh bashkëpunëtor i programit shqip të emitentes së Selisë së Shenjtë. Ishte 67 vjeç. Pasi pati ndjekur Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër, qe lauruar në Fakultetin e Letërsisë, për t’u kthyer pastaj në Shkodër, ku punoi si drejtor i shkollës Skanderbeg, duke u dalluar për zell e aftësi didaktike. Bashkëpunëtor i gazetave më në zë shqiptare, me pseudonimin Flaka, u dallua për patriotizëm, duke milituar kundër komunistëve në luftën civile e duke u përpjekur gjithnjë për lirinë e vendit nga çdo lloj pushtuesi. Pas vendosjes së regjimit të Enver Hoxhës, u largua nga vendi, në drejtim të Italisë, ku dha gjithnjë dëshmi kristiane koherente e guximtare. Në Radio Vatikan nisi të punonte që më 1955...”.
E pikërisht nga porta e Radios po dilte më 21.11.1977, kur një makinë kaloi papritmas mbi trupin e tij, duke e flakur në rrugë, pa ndjenja. E ashtu mbeti deri më 21.11.1977, kur ndërroi jetë, viktimë e këtij aksidenti të çuditshëm, të pashjegueshëm e pa fajtor, për të cilin në atë kohë u fol shumë.
Trupin e tij e mbartën miqtë nga Roma, në Amerikë, për ta varrosur pranë Mit’hat Frashërit, themelues i Ballit Kombëtar, në varrezën “Ferncliff” të Nju Jorkut, më 3 dhjetor 1977, pas një ceremonie në të cilën morën pjesë figura të njohura të mërgatës e mërgimtarë të thjeshtë shqiptarë, ardhur, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, nga të katër anët e viseve, ku strehoheshin, gjithnjë me ëndrrën e kthimit në Atdhe.
Shkëputëm, nga arkivi ynë, një lajm, dhënë vite më parë nga Zef Pali, që tingëllon tejet aktual:RealAudioMP3
Andrea Shuli (25. 09. 1920-)
u lind në Shkodër, më 25 shtator 1920. U shkollua në vendlindje e në Itali, ku kreu fakultetin e letërsisë, pranë Universitetit të Padovës. Emri i tij nisi të dukej shpejt në shtypin shqiptar të kohës, ku dha mendime me vlerë për ardhmërinë e letrave shqipe, pushtuar asokohe nga shterpësia. Shkrimet i mbetën të shpërndara në shtypin e kohës. Kushtet e rënda, të krijuara pas vitit 1944, e gjetën në Itali, duke ia mbyllur përgjithmonë kufijtë e Atdheut. U detyrua të merrte shtetësinë dhe shoqen e jetës italiane, zonjën Editta Avellino (5 janar 1943) me të cilën jetoi ca kohë në Padovë e pastaj në Romë. Pati dy fëmijë, Anën (lindur më 1943) dhe Karlën (1947). Kur u themelua Programi i Gjuhës shqipe pranë Radio Vatikanit, më 3 tetor 1951, ishte tashmë i njohur në rrethet e gazetarisë italiane, i pranuar që më 1945 në Urdhërin e gazetarëve, shoqatë profesionale punonjësve të shtypit.
Dom Zef Shestani, në kërkim bashkëpunëtorësh, e ftoi të jepte ndihmesën në veprimtarinë që, në ato kohë të vështira, e kishte nisur vetëm me një bashkëpunëtor të jashtëm: atë Daniel Gjeçajn. Andrea Shuli e nisi bashkëpunimin në Radio Vatikan në vitin 1968, për të dalë në pension më 31. 12. 1988. Nuk kemi më asnjë të dhënë për jetën e tij.

Atë Danjel Gjeçaj (14.11.1913-30.08.2002)
lindi më 14 tetor 1913 në Theth të Dukagjinit. Mësimet e para i kreu në vendlindje e në Kolegjën Françeskane të Qytetit. Si kandidat për françeskan, vijoi liceun “Illyricum” të fretërve, me profesorë figurat më në shenjë të françeskanizmit shqiptar: Fishtën, Harapin, Prennushin, Marlaskajn, Bardhin, Sirdanin, Gjokën. Në vitin 1936 kreu liceun e filozofinë. Më 1933 përfundoi noviciatën, veshi zyrtarisht zhgunin e Shën Françeskut dhe u dërgua nga eprorët në Sienë të Italisë, ku studioi nga viti 1936, deri më 1939 e ku mori urdhërin e meshtarisë e tha edhe Meshën e parë. Më pas u dërgua të vazhdonte mësimet në Fuldë të Gjermanisë (1939-1940). U rikthye më 1940 në Atdhe, në kuvendin e Gjuhadolit, ku punoi si bibliotekar (1940-41), për të vijuar misionin si nëndrejtor i Kolegjës françeskane në Shkodër e për të nisur një seri predkesh, që u ndoqen me interes të madh nga popullsia shkodrane. Më 1946, mbas mbylljes së instituteve fetare, shkoi në Plan. Më 1948, kundërshtar i rreptë i diktaturës, kaloi në Jugosllavi, ku jetoi deri më 1955. Në këtë vit kaloi në Itali, ku rifilloi misionin si edukator i Kolegjës të Provinçës së Toskanës; më 1957 ishte përgjegjës i kulturës në Komitetin Shqypnia e Lirë, në kuadrin e veprimtarisë të të cilit ribotoi “Lahutën e Malcís”(1958). Më vonë u emërua nga Selia e Shenjtë përfaqësues i katolikëve shqiptarë në mërgim.
Qe bashkëpunëtor i jashtëm që me themelimin e Programit të Gjuhës Shqipe në Radio Vatikan. Vdiq në Romë, më 30 gusht 2002.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama