HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-12 15:50:47
A+ A- Printo artikullin



Kardinali Sgreccia e Imzot Carrasco de Paula për 20-vjetorin e Akademisë Papnore për Jetën



Kanë kaluar njëzet vjet që kur Gjon Pali II themeloi, me Motu Proprio Vitae Mysterium (Misteri i jetës), Akademinë Papnore për Jetën. Kjo akademi ka si synim të studiojë, të informojë dhe t’i formojë njerëzit përreth problemeve të Biomjekësisë dhe të së drejtës, që kanë të bëjë me përkrahjen dhe mbrojtjen e jetës, mbi të gjitha për lidhjet, që kanë, me moralin dhe orientimet e Magjisterit të Kishës. Siç e shpjegojnë vetë protagonistët, Akademia është një mënyrë, për t’iu kundërvënë “kulturës së vdekjes”, në emër të dinjitetit të personit njerëzor.

“Në shërbimin ndaj jetës, Kisha nuk mund ta shmangë ballafaqimin me shkencën”, kështu lexohet në dokumentin me të cilin u themelua Akademia Papnore për Jetën më 11 shkurt 1994. Për këtë arsye, Gjon Pali II deshi që çështjet e reja e delikate të trajtoheshin me një qasje shumë-disiplinore, e cila do të fliste me një zë kompetent e formues për Kishën. Për 13 vjet, këtë detyrë e ka mbajtur, si udhëheqës i Akademisë, Kardinali Elio Sgreccia:

“Për mua ka qenë një periudhë shumë domethënëse dhe kam mësuar shumë, falë kontaktit me një numër të madh studiuesish, që merren me çështje të rëndësishme, si klonimi, qelizat staminale, shqyrtimi i të sëmurëve në gjendje vegjetative të përhershme. Para së gjithash duhej menduar, për të kuptuar cili ishte qëndrimi i drejtë, duhej të ballafaqoheshim për ditë të tëra me faktet e reja, duheshin bërë vlerësime e rivlerësime. Pastaj duheshin përgatitur njoftimet, sepse, mbi atë bazë, dioqezat, ipeshkvijtë, krijonin organizmat dioqezane”.

Mbi çfarë baze mbështetet puna e Akademisë Papnore, përballë sfidave të vazhdueshme që i paraqet realiteti?

“Pika e palëvizshme është: njeriu në qendër, trup e shpirt, me një përmasë që e tejkalon kozmosin – është person – dhe që ka lirinë dhe dinjitetin, që duhen respektuar, tek vetja dhe tek të tjerët”.

Akademia ka shkuar kundër rrymës për 20 vjet, shpjegon kryetari i tanishëm, Imzot Ignacio Carrasco de Paula, kundrejt “kulturës së vdekjes”, për të cilën fliste Gjon Pali II në vitin 1994, por kjo kulturë, edhe sot e kësaj dite, synon të depërtojë në shoqëri, edhe pse me fytyra të ndryshme:

“Për shembull, klonimi tashmë është zhdukur si çështje, megjithatë, jo për arsye morale, por sepse ishte një rrugë e papërshkueshme. Përkundrazi, për fat të keq, si aborti, ashtu edhe eutanazia, janë në kulmin e veprimtarisë. Tani po shfaqet edhe miratimi i eutanazisë për fëmijët.”
Megjithatë, nuk është kjo e vetmja e re. Para njëzet vjetësh nuk ekzistonte mjekësia qetësuese, në gjendje për të vepruar me efikasitet kundër vuajtjes dhe dhimbjes. Pastaj doli, dhe vijon edhe sot, perspektiva e hapur e qelizave staminale, e mundësisë për të pasur një ilaç rigjenerues. Duhet ta pranojmë se nuk është duke u zhvilluar vetëm kultura e vdekjes, por edhe qytetërimi i jetës, me kusht që secili të angazhohet seriozisht në këtë fushë”.

Cila është puna që bën sot Akademia?

Për shembull, jemi duke punuar mbi trajtimin e pamundësisë së grave për të ngjizur: çfarë mund të bëhet, pa pasur nevojë për riprodhimin me asistencë. Në këtë fushë mungojnë njohuritë. Një tjetër argument, mbi të cilin kemi botuar një tekst, merret me rrjedhojat e abortit për gratë që gjenden në këtë situatë të dhimbshme. Ndërsa tani, gjatë asamblesë së ardhshme, do të trajtojmë çështjen e paaftësisë tek të moshuarit, domethënë çfarë mund të bëhet për ta parandaluar, ose për t’i ndihmuar ata”.

Veprimtarinë e Akademisë Papnore për Jetën, gjatë këtyre njëzet viteve, e kanë shoqëruar nga afër Papët. Sot është Papa Françesku ai që i jep udhëzimet e veçanta.

Papa është shumë i vetëdijshëm për këtë realitet, se, fatkeqësisht, jetojmë në një epokë në të cilën disa vlera janë lënë mënjanë, megjithatë, në të njëjtën kohë, mendon se çështja më e rëndësishme është mospërsëritja pa fund e fjalëve dënuese, por inkurajimi për të bërë çfarë është e mundur dhe e duhur, për ta përmbysur situatën”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama