HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-14 14:37:06
A+ A- Printo artikullin



Papa dërgon 28 misione të tjera “ad gentes” të Lëvizjes Neokatekumenale



Sot paradite, Papa Françesku priti në Shtëpinë e Shën Martës, ekipin përgjegjës të Lëvizjes Neokatekumenale: Kiko Arguello, Carmen Hernandez dhe atë Mario Pezzi. Së bashku me ta, Ati i Shenjtë nisi presbiterët përgjegjës në 28 “Missio ad gentes” në Evropë e në SHBA-të. Një nga këto misione do të shkojë edhe në Kosovë. Për këtë takim me Papën, të dëgjojmë ç’na tha vetë Kiko Arguello:
Pati një fjalë për të gjithë dhe u bëri shenjën e kryqit në ballë; pastaj na tha: “Guxim, ecni përpara, unë jam me ju! Jam shumë i kënaqur”. Më pas, bëmë një fotografi nën ikonën e Zojës e u gjunjëzuam të gjithë. Na bekoi e na inkurajoi për të vazhduar në udhën tonë. Papa ishte shumë i kënaqur…
Si veprojnë misionet tuaja “ad gentes”?
Këto misione “ad gentes” janë të mrekullueshme: përbëhen prej katër familjesh, të udhëhequra nga një presbiter, të cilët shkojnë në zona, ku nuk ekziston absolutisht prania e Kishës, në mesin e njerëzve jashtëzakonisht të shekullarizuar, të cilëve u bën tepër përshtypje dashuria e këtyre familjeve me shumë fëmijë, si edhe marrëdhëniet mbinatyrore të tyre me Shpirtin Shenjt: kjo e prek botën. Sepse Zoti na ka thënë: “Duajeni njëri-tjetrin: në këtë mënyrë do t’ju njohin si dishepuj të mi e, nëse do të jeni plotësisht një, bota do të besojë”. Ja, ky është misioni “ad gentes”, në bazën e të cilit qëndron ftesa e Zotit tonë në Darkën e Mbrame, Testamenti i Zotit tonë Jezu Krishtit, kur, para se të vuante Mundimet në Kryq, tha: “O Atë, unë në ta e Ti në mua, që të jenë plotësisht një e bota të besojë se Ti më ke dërguar”. Atëherë, që njerëzit të besojnë se Ati e ka dërguar Birin për të shpëtuar botën , është e nevojshme të duken marrëdhëniet e Trinisë Shenjte, Uniteti i përsosur. Për të arritur në Njëninë e përsosur duhet kaluar përmes Pagëzimit të krishterë. Në masën me të cilën ne e pranojmë Pagëzimin, mëkati trupor – siç thotë shën Pali – humb forcën e vet e njerëzit nuk gënjejnë më, nuk thyejnë kurorën, nuk bëhen grykës për para e fillojnë të ndjehen të lirë për t’ju ofruar Jezu Krishtit e Kishës në ungjillëzimin e ri.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama