HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-02-14 17:33:43
A+ A- Printo artikullin



Papa i rrok të fejuarit e, me ta, lutet: “O Zot, dashurinë tonë të përditshme na e jep sot!”



Në një atmosferë feste e emocioni, u kremtua sot, në Sheshin e Shën Pjetrit, audienca e posaçme e Papës Françesku me të fejuarit e mbarë botës, mbledhur në takimin “Gëzimi i ‘Po’-së përgjithmonë”, organizuar në ditën e Shën Valentinit, nga Këshilli Papnor për Familjen. Më se 25 mijë pjesëmarrës, ardhur nga tridhjetë vende. Pas paradites, kaluar me këngë, dëshmi, poezi e reflektime, e pastaj, me ndjekjen e fjalës së kryeipeshkvit Vincenco Palia, kryetar i dikasterit për Familjen, Papa i përshëndeti çiftet e pranishme e iu përgjigj pyetjeve të tyre mbi vlerën e martesës.RealAudioMP3

“Epnae, o Zot, dashurinë tonë të përditshme!”. Këtë lutje, të frymëzuar nga Atyna, ua mësoi Papa Françesku të fejuarve të mbarë botës, për ta përsëritur çdo ditë. E u kërkoi edhe ta përsërisnin disa herë, aq sa Sheshi, që ka dëgjuar miliona lutje, u tund, i çuditur, nga kjo lutje krejt e re e gazmore.
Duke u dhënë përgjigje pyetjeve të tre çifteve, Papa pikturoi një kuadër të plotë të shoqërisë bashkëkohore. Shumë njerëz, shpjegoi, kanë frikë të bëjnë zgjedhje përfundimtare, për tërë jetën. Kjo u duket diçka e pamundur, në një kohë, kur gjithçka ndryshon vrullshëm e asgjë nuk duron gjatë. E megjithatë, shpjegoi, në takimin e tij të parë zyrtar me të fejuarit, dashuria është lidhje, realitet, që rritet, që ndërtohet, si të ishte një shtëpi. E shtëpia ndërtohet së bashku, jo vetëm për vetëm: të ndërtosh, vijoi, këtu do thotë të ndihmosh rritjen:
Të dashur të fejuar, ju po përgatiteni të rriteni së bashku, ta ndërtoni këtë shtëpi, për të jetuar së bashku, përgjithmonë, nën strehën e saj. Nuk doni ta themeloni mbi rërën e ndjenjave që shkojnë e vijnë, por mbi shkëmbin e dashurisë së vërtetë, dashurisë, që vjen nga Zoti. Familja lind nga ky projekt dashurie, që dëshiron të rritet, si shtëpia, strehë dashurie, ndihme, shprese, mbështetjeje. Strehë për të gjitha këto: dashuri, ndihmë, shpresë, mbështetje! Siç është e qëndrueshme dhe e përjetshme dashuria e Zotit, kështu edhe dashuria, që themelon familjen, duam të jetë e qëndrueshme e përgjithmonë. Ju lutem, të mos e lëmë veten të mundemi nga kultura e së përkohshmes. Kjo kulturë, që sot na pushton të gjithëve, kjo kulturë e së përkohshmes, kjo nuk shkon”.
Përballë frikës nga fjala “përgjithmonë”, duket të kujdesemi t’ia besojmë ditë për ditë jetën tonë Zotit Jezus, e kështu jeta bëhet ecje e përditshme shpirtërore drejt rritjes, hap pas hapi, bëhet impenjim, që çon kah pjekuria në fe. Sepse, shpjegoi Papa, “përgjithmonë’ nuk është thjesht çështje, që ka të bëjë vetëm me zgjatjen e martesës në kohë:
Martesa nuk është e suksesshme vetëm sepse zgjat, rëndësi ka cilësia e saj. Të rrinë bashkë e të duhen përgjithmonë, kjo është sfida e bashkëshortëve të krishterë”.
Duke folur për mrekullinë e Dasmës së Kanës, Ati i Shenjtë u kujtoi të fejuarve se Zoti mund ta shtojë dashurinë e tyre, duke ua dhuruar të freskët e të mirë ditë për ditë, sepse Ai i Lumi ka një rezervë të pafundme dashurie. Prej këndej, e përtërin, e forcon, e bën edhe më të madhe, kur familja shtohet me fëmijë. Në këtë udhë, duhen respektuar rregullat, që Papa i pati kujtuar në takimin me familjet. Duhet thënë: “me leje, më fal, faleminderit!”:
Të kërkosh leje, do të thotë të dish të hysh, me mirësjellje, në jetën e të tjerëve. Dëgjojeni mirë këtë! Por nuk është e lehtë. Nuk është! Nganjëherë përdoren mënyra paksi tepër të rënda, si këpucët, që mbathen kur ngjitesh në mal. Dashuria e vërtetë nuk imponohet me vrazhdësi e agresivitet”.
Nga ana tjetër, reflektoi Ati i Shenjtë, në familjet tona, në botën tonë, që shpesh është e dhunshme e arrogante, ndjehet fort nevoja për pakëz mirësjellje. Pastaj Papa foli edhe për mirënjohjen, ndjesi tjetër e rëndësishme:
“Në marrëdhënien tuaj, e nesër, në jetën bashkëshortore, ka rëndësi ta mbani gjallë vetëdijen se njeriu tjetër është dhuratë e Zotit, e kur marrim dhurata nga Zoti, thuhet ‘faleminderit’. Duhet thënë pra, faleminderit, për çdo gjë”.
Më pas, një rrëmim i ndërgjegjes, sepse në jetë bëjmë shumë gabime: njeriu ka gjithnjë prirjen të padisë tjetrin e të përligjë vetveten. Është instinkt, nga i cili burojnë të gjitha të zezat. T’i pranojmë, prandaj, gabimet tona, shtoi Papa, e të kërkojmë ndjesë. Të mos bjerë kurrë muzgu mbi strehën tonë, pa bërë paqe:
“E dimë të gjithë se nuk ka familje të përkryer, e as burrë të përsosur a grua të përsosur. Le më vjehrrë të përsosur! Jemi mëkatarë. Jezusi, që na njeh mirë, na mëson një sekret; të mos e përfundojmë kurrë ditën, pa lypur falje, pa ia kthyer paqen shtëpisë sonë, familjes sonë”.
Pastaj, një reflektim për dasmën, që duhet të jetë festë e krishterë, jo festë sipas mendësisë së botës, sepse ajo, që e bën të plotë e thellësisht të vërtetë martesën, është prania e Zotit, hiri i Tij. Është Ai, sekreti i gëzimit të plotë; gëzimit, që e ngroh me të vërtetë zemrën:
Është e mira që martesa juaj të jetë e përkorë e të vlerësojë çka është me të vërtetë e rëndësishme. Disa shqetësohen për shenjat e jashtme, për gostinë, fotografitë, veshjet, lulet... janë gjëra të rëndësishme në një festë, por vetëm nëse mund të bëhen shprehëse të arsyes së vërtetë të gëzimit të asaj dite, kur Zoti bekon dashurinë tuaj”.
Së fundi, një mendim për ata të rinj, që vijojnë të përgatiten për martesë, në prag të kurorëzimit e të dasmës: një reflektim për martesën, si punë e çdo dite, punë artizanale, që duhet qindisur, për t’u rritur edhe si njerëz, si burra e gra:
“Duhet arritur kjo, duhet arritur: të rritemi së bashku, ta rrisim njeri-tjetrin. E fëmijët do të marrin trashëgim gëzimin se patën një nënë e një baba, që ditën të rriten së bashku, duke e bërë njëri-tjetrin, më shumë burrë e më shumë grua”.
Pas përgjigjeve të Papës, të pranishmit në Shesh thanë lutjen e të fejuarve, shkruar posaçërisht për këtë rast: “O Zot, dashurinë tonë të përditshme na e jep sot!”.
Na e jep, o Zot!
Pas projektimit të një videoje kushtuar emergjencës në Siri, imzot Palia e të pranishmit e falënderuan Papën, për një dhuratë të posaçme, kujtim i kësaj dite kaq gazmore: një jastek i vogël për rrathët e martesës, përkëdhelje e Papës për gjithë të fejuarit, kur të shkëmbejnë unazat e betimet për dashuri të përjetshme, para Krishtit, në elter. Përgjithmonë!







Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama