HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-16 13:07:00
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e javës 17 - 23 shkurt



Më 17 shkurt përkujtohen shtatë shenjtorët themelues. Rreth vitit 1233, ndërsa qyteti i Firences ishte i përçarë nga luftërat vëllavrasëse, shtatë tregtarë, anëtarë të një shoqërie laike, e përbërë nga besimtarë të devotshën ndaj Virgjërës së lume, të lidhur me njëri-tjetrin nga ideali ungjillor i bashkimit vëllazëror dhe i shërbimit ndaj të varfërve, vendosën të jetonin së bashku, me pendesë e lutje. Pasi u lanë të varfërve veprimtarinë, shtëpitë dhe pasuritë, rreth vitit 1245, u tërhoqën në Monte Senario, afër Firences, ku ndërtuan një banesë të vogël dhe një vend lutjeje kushtuar Shën Marisë. Shumë vetë shkonin tek ata, në dyshime e ngushtica, aq sa vendosën të themelonin Urdhrin e Marisë, shërbëtorë të të cilës ishin. Prej këndej edhe emri Servitë.
Më 18 shkurt përkujtohet domenikani Giovanni di Fiesole, i cili njihet me emrin Beato Angelico. E ushtroi artin e predikimit me penel, duke pikturuar një numër të madh kryeveprash, ndër të cilat Lajmërimi i Zojës nga kryeengjëlli Gabriel, me famë botërore. U lind në fund të 1300, me emrin Guido, afër Firences dhe hyri në kuvendin domenikan të Fiesoles. Iu kushtua pikturës kishtare në Firence dhe në të gjithë Toskanën, në Shën Pjetër dhe në Pallatet e Vatikanit, me ftesë të Papës Eugjeni IV. Vdiq në Romë në vitin 1455, në Kuvendin e Shën Marisë përmbi Minervë, ku ruhet edhe sot varri i tij. Në vitin 1984 Gjon Pali II e shpalli pajtor të artistëve.
Më 19 shkurt përkujtohet Shën Quodvultdeus, ipeshkëv i Kartagjenës. Mbreti Gjenserik, që kishte përfaqësuar arianizmin, e shfronëzoi dhe evuri në një anije pa vela e pa rema, bashkë me klerin e tij, por anija mbërriti për mrekulli në Napoli, ku vdiq si ruajtës i fesë.
Më 20 shkurt përkujtohet e lumja Jacinta Marto, bareshëza e shfaqjeve të Zojës së Fatimas, që u lartua në nderimin e altarit në Gjon Pali II bashkë me vëllain e saj Françeskun. U lind më 11 mars 1910 dhe ishte vetëm shtatë vjeçe kur “Zoja e bardhë” iu shfaq Jacintës, Françeskut dhe kushërirës së tyre, Luçisë. Vdiq më 20 shkurt 1920, pak pa mbushur dhjet vjeç, për shkak të një epidemie që e goditi Evropën në atë vit. I vëllai kishte vdekur një vit më parë. Është e lumja më e re që ka shpallur Gjon Pali II dhe lumnimi i saj tregon se edhe fëmijët mund ta arrijnë plotësinë e jetës së krishterë.
Më 21 shkurt përkujtohet Pier Damiani. Piero u lind në Ravenna në vitin 2007. Fëmija i fundit i një familjeje të madhe, jetim nga i ati, u edukua nga vëllai i madh, Damiani. Pas studimeve në disa qytete të Italisë dhe pas mësimdhënie në universitetin e Parmës, hyri në manastir. Në vitin 1057 Papa e thirri në Romë, për ta ndihmuar në një kohë të vështirë ndasish , kur Kisha ishte e goditur nga simfonia. U emërua ipeshkëv i Ostias e pastaj kardinal dhe ndihmoi gjashtë papë, njërin pas tjetrit, për të ndrequr moralin e Kishës.
Më 22 shkurt përkujtohet Katedra e Shën Pjetrit. Me këtë festë Kisha dëshiron të kujtojë misionin e posaçëm që Jezusi i besoi Pjetrit. Ekziston gojëdhëna se selia e parë e Shën Pjetrit qe në Antioki, ndërsa e dyta në Romë, por festat e përkujtimit të këtyre dy selive janë bashkuar në një datë të vetme. Katedra e Shën Pjetrit është simbol i bashkimit të Kishës dhe i njësisë së mësimit të saj.
Më 23 shkurt është e diel, festa e Zotit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama