HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2014-02-17 12:57:55
A+ A- Printo artikullin



Kosova feston 6-vjetorin e Pavarësisë. Urime të përzemërta



Gjashtë vjet më parë, më 17 shkurt 2008, Kosova shpallte pavarësinë nga Serbia. Sot, vendi njihet si shtet i pavarur nga 23 prej 28 vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe nga shumë vende të tjera të botës, numri i të cilave tani për tani ka arritur në 96, megjithëse rritet çdo ditë. Vitin e kaluar, Prishtina hapi negociatat për nënshkrimin e marrëveshjes së asociim-stabilizmit me Bashkimin Evropian, hapi i parë për integrimin e plotë për të cilin mbetet shumë për të bërë. Këtë theksoi edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në pritjen solemne me rastin e 6-vjetorit të pavarësisë.
“Pavarësia e Kosovës – nënvizoi ajo - është e pakthyeshme, e paprekshme… Ky është shteti ynë, me një synim të qartë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s dhe gjithsesi e të gjitha organizatave të tjera ndërkombëtare. Por, pa dyshim që na mbetet ende rrugë për të bërë për të konsoliduar demokracinë tonë, për të vendosur sundimin e ligjit dhe të rendit në çdo skaj të territorit të Republikës sonë dhe për të ndërtuar një shtet të pakorruptuar”.
Por si i sheh bota përpjekjet e Kosovës gjatë këtyre viteve? Të dëgjojmë komentin e ekspertit italian për Ballkanin dhe Evropën Lindore, Matteo Tacconi:

Kosova është një vend që mezi po e gjen fizionominë e saj si në nivelin diplomatik - sepse akoma nuk është anëtare e OKB-së, mbetet vetoja e Rusisë dhe e Kinës – ashtu edhe në nivelin ekonomik. Gjatë këtyre viteve të krizës botërore, edhe emigrantët kanë dërguar më pak para në shtëpitë e tyre, prandaj Kosova varet krejtësisht vetëm nga donacionet e investimet perëndimore. Edhe këto flukse janë reduktuar. Gjithashtu, mbeten problemet strukturore si mungesa e një rrjeti ndërmarrjesh të vogla, të mesme e të mëdha, problemi i korrupsionit, etj.. Megjithatë, shumë gjëra kanë ndryshuar pozitivisht, janë bërë hapa të rëndësishme përpara, si për shembull, dialogu me Serbinë dhe përpjekja për të zhbllokuar, së paku pjesërisht, gjendjen e nderë në veri të Kosovës, ku shumica është serbe.
Faktikisht, mbeten dy realitete të ndryshme…
Zona ka qenë e, pjesërisht ka mbetur, nën kontrollin e Serbisë, përmes të ashtuquajturave “institucione paralele”: drejtësia, policia, doganat, shkolla, monedha. Faktikisht, Kosova nuk e ushtronte sovranitetin e saj në veri. Por, kohët e fundit, me ndërhyrjen e Bashkimit Evropian, janë arritur disa marrëveshje për ta përmirësuar sadopak gjendjen. Serbia i ka mbyllur pjesërisht institucionet paralele, sidomos përsa i përket drejtësisë e policisë, që kanë kaluar edhe “de facto” nën kontrollin administrativ të qeverisë kosovare. Problemi mbetet gjithsesi serb. A janë gati serbët e Kosovës të pranojnë ç’ka biseduar e vendosur Beogradi? Deri tani, duket se jo. Nëse gjendja vazhdon të mbetet kjo, mund të kthehen sërish problemet e dikurshme. E kjo u pa në zgjedhjet e fundit administrative, që u karakterizuan nga dhunë e pasiguri.
Pikërisht pas zgjedhjeve, që përfunduan në dhjetor, opozita ka fituar shumë bashki, që ishin dikur të forcave në pushtet…
Qeveria e Hashim Thaçit, në pushtet prej disa vitesh, po humb konsensus, gjë që, deri në një farë mase, është fiziologjike. Por, po humb mbështetje edhe në nivel ndërkombëtar, ngaqë ka treguar se nuk është krejtësisht transparente. Fakti që vitin e kaluar u hapën negociatat me Bashkimin Evropian do të thotë shumë për vendin: fonde, marrëveshje për doganat, viza për të dalë më lehtë jashtë shtetit… Të mos harrojmë se Kosova ka papunësi shumë të lartë, sidomos ndër të rinjtë, prandaj fitili i bombës sociale është gjithnjë i ndezur.
Përvjetor tjetër, që mbushet këtë vit, është ai i konfliktit me Serbinë. Kanë kaluar plot 15 vjet…
Serbia është pikë referimi për Evropën Juglindore. Prandaj, nëse marrëdhëniet me Kosovën janë konfliktuale, mund të ashpërsohen disa çështje “etnike” e jo vetëm kaq. Mund të ndodhë si në Maqedoni, ku marrëdhëniet ndërmjet shumicës sllave dhe pakicës shqiptare janë shumë të vështira, ose si në Bosnjë, ku aktualisht po vazhdojnë një sërë protestash kundër elitës politike. Sa më mirë të ndërthuret Serbia në skenarin evropian, aq më e qetë do të jetë gjendja në Ballkan. Kujtojmë se edhe Beogradi i ka hapur tashmë negociatat për integrimin në Bashkimin Evropian e kjo mund të ketë ndikim pozitiv në të gjithë rajonin.





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama