HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-18 14:16:46
A+ A- Printo artikullin



Ju kumtojmë lajmin e mirë – Struktura e Ungjillit sipas Markut



Sot do të flasim për strukturën e Ungjillit sipas Markut. Ungjilli është dëshmia e Kishës për Jezusin. Kisha, pra bashkësia e nxënësve të Jezusit, beson se ai është Biri i Hyjit dhe se fjalët e veprat e tij janë fjalët dhe veprat e Hyjit. Ungjijtë e Mateut dhe të Lukës e paraqesin prejardhjen hyjnore të Jezusit me anë të tregimeve të ngjizjes së mrekullueshme dhe të lindjes së tij nga Maria. Ungjilli sipas Gjonit hapet me himnin kushtuar Fjalës së Hyjit, që është Hyj, e cila u mishërua në Krishtin.RealAudioMP3
Ndryshe nga ungjijtë tjerë, Marku nuk flet për fëmijërinë e Krishtit, as për mishërimin e Fjalës, por e nis tregimin e tij me pagëzimin e Krishtit. Megjithatë, si të gjithë autorët e ungjijve të tjerë, ai ka të njëjtin synim: të dëshmojë se Jezu Krishti është Biri i Hyjit. Duke lexuar këtë ungjill, të krijohet përshtypja se Marku ka nxitim ta përfundojë tregimin, prandaj nuk ndalet në hollësira dhe shpejton për të mbërritur tek momenti kulmor i jetës së Krishtit, që është gjykimi, dënimi dhe kryqëzimi. Atje, mbi kryq, ai do të vdesë si Biri i Hyjit.
Nëse e shohim këtë ungjill të shpalosur në tërë përmbajtjen e tij, do të vërejmë se pohimi mbi identitetin e Jezusit si Biri i Hyjit gjendet në fillim të tregimit, në mes dhe në fund. Në fillim është Marku, besimtari, nxënësi, ai që pohon: “Fillimi i ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit” (Mk 1,1). Marku e ka njohur Krishtin brenda Kishës së hershme, ka besuar se Ai është Biri i Hyjit dhe na lajmëron që në fillim se ngjarjet e mbledhura në shkrimin e tij janë ngjarjet e jetës së Birit të Hyjit mbi tokë.
Në mes të këtij ungjilli është Hyji vetë ai që dëshmon se Jezusi është Biri i tij. Në kapitullin e nëntë, Jezusi gjendet mbi mal me Pjetrin, Jakobin e Gjonin, të cilët, të mbështjellë në një re, dëgjojnë zërin e Hyjit, që thotë: “Ky është biri im i dashur. Atë dëgjoni!” (Mk 9,7). Ata që e kanë njohur Krishtin nga afër, e kanë kuptuar se ai është Biri i Hyjit jo vetëm sepse kanë parë veprat dhe kanë dëgjuar fjalët e tij, por sepse vetë Hyji Atë ua ka hapur zemrën dhe mendjen, për të kuptuar dhe besuar se Jezusi është Biri i tij.
Në fund të ungjilli është një pagan ai që dëshmon se Jezusi është Biri i Hyjit: Marku shkruan se “centurioni, që rrinte përballë [Jezusit], kur e pa duke vdekur në atë mënyrë, tha: ‘Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Hyjit’” (Mk 15,39). Një njeri që nuk i përkiste as popullit hebre, as grupit të nxënësve të Jezusit, e njeh atë si Birin e Hyjit.
Dëshmia për Jezusin është e njëjtë: ai është Biri i Hyjit, por vetat, që e japin këtë dëshmi, dhe vendosja në tregimin ungjillor janë të ndryshme: Marku, Hyji Atë dhe centurioni, në fillim, në mes dhe në fund të këtij Ungjilli.
Në qendër është dëshmia e Hyjit Atë. Ai ua zbulon njerëzve Jezusin si Birin e vet. Ata që e pranojnë këtë zbulesë, përbëjnë Kishën. Kisha e mbledh dhe e ruan kujtesën e jetës tokësore të Krishtit në Ungjill. Është dëshmia e Markut, që e gjejmë në fillim. Por, ungjilli nuk është pronë xheloze e Kishës. Kisha ka për detyrë ta shpallë Ungjillin, që të gjithë njerëzit ta njohin Jezusin, prandaj në fund të ungjillit gjejmë dëshminë e centurionit pagan, që thotë: “Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Hyjit” (Mk 15,39).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama