HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-20 13:02:24
A+ A- Printo artikullin



Evangelii Gaudium – gjithë populli i Hyjit është i thirrur ta shpallë Ungjillin



Kapitulli i katërt i thirrjes apostolike Evangelii Gaudium i kushtohet kumtimit të Ungjillit. RealAudioMP3 Katër janë temat, që veçon Papa në procesin e shpalljes ë Ungjillit. Bie në sy rëndësia e që ka tërësia e populli të Hyjit në procesin ungjillëzues. E kjo është tema e parë: Ungjillin e shpall tërë populli i Hyjit. Tema e dytë është ajo e homelisë gjatë meshës, gjë që tregon se konteksti liturgjik është kontekst ungjillëzues. Për këtë arsye, predikimi duhet përgatitur si duhet, dhe kjo është tema e tretë e këtij kapitulli. Tema e katërt është ajo e kuptimit më të thellë, pra e shtjellimit të mëtejshëm të Ungjillit të shpallur dhe të rrjedhojave që ka pranimi i tij për jetën e njerëzve.
Le shohim sot temën e parë. Kush e kumton Ungjillin? “Subjekti i ungjillëzimit – shkruan Papa – është diçka shumë më e madhe sesa një institucion organik e hierarkik, sepse, para së gjithash, është një popull në ecje drejt Hyjit” (n. 111). Tërë populli në ecje drejt Hyjit e shpall lajmin e mirë të shpëtimit. Shpëtimi i Hyjit është vepër e mëshirës së tij, është hir. Kisha, si popull i Hyjit, është instrument i këtij hiri “i cili vepron vazhdimisht, përtej çdo mbikëqyrjeje të mundshme” (n.112). Paria, pra, i takon hirit. Hiri i shpëtimit Hyjnor ekziston “për të gjithë” (n.113) dhe Hyji “ka zgjedhur të na thërrasë si popull e jo si qenie të izoluara” (n. 113). Populli i thirrur nga Hyji është Kisha. Ajo nuk mund të jetë bashkësi elitare, sepse Hyji, që e ka thirrur, në të njëjtën kohë e ka dërguar “për të mësuar të gjithë popujt” (Mt 28,19). E këtu Papa Françesku u drejton një thirrje të gjithë njerëzve: “Do të doja t’u thosha atyre që mendojnë se janë larg Hyjit dhe Kishës, atyre që janë të druajtur dhe indiferentë: Zoti të thërret edhe ty, për të qenë pjete e popullit të tij, dhe e bën me shumë respekt e dashuri” (n.113). Kisha, si populli i Hyjit, nuk është larg njerëzve, por duhet të jetë “tharmi i Hyjit në mes të njerëzimit” (n.114).
Populli i Hyjit, që është një i vetëm, mishërohet në të gjithë popujt e tokës, në kulturat dhe veçoritë e tyre. Kultura, shkruan Papa, “përfshin tërësinë e jetës së një populli” (n.115) dhe “kur një bashkësi e pranon kumtin e shpëtimit, Shpirti i Shenjtë e pllenon atë kulturë, me forcën shndërruese të Ungjillit” (n. 116). Krishtërimi nuk ka një model të vetëm kulturor, por mbart “fytyrën e kulturave të shumta dhe të popujve të shumtë tek të cilët është pranuar dhe ka vënë rrënjë” (n.116). Shpirti i Shenjtë e realizon bashkimin e Kishës dhe njësinë e saj universale, duke ruajtur edhe larminë e popujve dhe kulturave që përbëjnë popullin e vetëm të Hyjit. Ai në çon drejt “bashkësisë së përsosur me Trininë e Shenjtë, ku gjithçka gjen bashkimin e vet” (n.117), bashkim që nuk është kurrë i njëtrajtshëm, por harmoni e shumëtrajtshme. Mundësia e larmisë së kulturave, në të cilat vë rrënjë Ungjilli, është e garantuar nga misteri i mishërimit të Krishtit, i cili e përjashton rrezikun e formimit të një kulture rrafshuese: “Është e padiskutueshme se një kulturë e vetme nuk e shteron misterin e shpëtimit të Krishtit” (n.118).
Populli i Hyjit ungjillëzon si i tërë, sepse “në të gjithë të pagëzuarit, që nga i pari e deri tek i fundit, vepron forca shenjtëruese e Shpirtit, që shtyn për të ungjillëzuar” (n. 119). Në sajë të pagëzimit, të gjithë jemi të dërguar, misionarë, prandaj është gabim të mendojmë se ungjillëzimin duhet ta bëjnë njerëzit e specializuar. Nëse dikush e ka shijuar dashurinë e Zotit, që shpëton, nuk ka nevojë për shumë përgatitje, për ta shpallur këtë dashuri. Edhe devocionet popullore e kanë një forcë ungjillëzuese. Ato shprehin mënyrën si populli i Hyjit ka përkthyer në jetën e vet dhuratën e tij dhe e përçon atë nga brezi në brez. “Kush e do popullin e shenjtë dhe besnik të Hyjit – shkruan Papa – nuk mund t’i shohë këto veprime vetëm si një kërkim i natyrshëm i hyjnores. Ato janë dëftimi i një jete teologale të frymëzuar nga veprimi i Shpirtit të Shenjtë, që është derdhur në zemrat tona” (n.125).
Një vëmendje të veçantë Papa ua kushton marrëdhënieve personale, brenda të cilave shpallja e ungjillit duhet të jetë “gjithmonë e respektuese dhe e njerëzishme” (n.128). Përmbajtja thelbësore e kumtit ungjillor është kjo: “Dashuria personale e Hyjit, që u bë njeri, dha vetveten për ne dhe, i gjallë, na jep shpëtimin dhe miqësinë e vet” (n.128). Nuk ka një formulë të vetme për përçimin e këtij kumti ungjillor. Feja “përçohet në forma të ndryshme, që është e pamundur të përshkruhen ose të katalogohen, dhe subjekti kolektiv i tyre është populli i Hyjit, me gjestet dhe shenjat e tij të panumërta” (n.129). Edhe në vendet ku krishterimi është pakicë, shkruan Papa, “çdo i pagëzuar duhet të shpallë Ungjillin” dhe “Kishat vendore duhet të përkrahin format e inkulturimit” të fesë (n.29).
Shpirti i Shenjtë e mbush Kishën me dhunti të ndryshme, por dhuntitë nuk duhet të krijojnë përçarje në bashkësinë e Krishterë. “Një shenjë e qartë e vërtetësisë së një dhuntie është përmasa e saj mbarëkishtare, aftësia e saj për t’u integruar në mënyrë të harmonishme me jetën e popullit të shenjtë të Hyjit, për të mirën e të gjithëve” (n.130). Përveç kulturave të ndryshme popullore ekzistojnë edhe kulturat profesionale e shkencore. Është detyrë e teologjisë të komunikojë me këto kultura, prandaj Papa shkruan: “U bëj thirrje teologëve që ta kryejnë këtë shërbim si pjesë e misionit shpëtimtar të Kishës” (n.133), duke shmangur tundimin për t’u kënaqur me një “teologji të bërë në tavolinë”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama