HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-23 11:27:02
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e javës 24 shkurt – 2 mars



Më 24 shkurt përkujtohet shën Sergji i Cezaresë. Në kohën e perandorit Dioklecian, gjatë një kremtimi për nder të Zeusit, qeveritari i Armenisë dhe Kapadokisë, Sapricius, dha urdhër që të gjithë të krishterët e qytetit të mblidheshin për të adhuruar Zeusin. Midis turmës spikati Sergji, ish-gjykatës, që e kishte braktisur profesionin dhe jetonte si heremit. Kur iu afrua vendit të kultit, u shuan befasisht të gjithë zjarret, që ishin ndezur për djegien e flive. Atëherë të krishterët u akuzuan se kishin zemëruar hyjninë Zeus, duke mos pranuar ta adhuronin. Sergji mori fjalën dhe shpjegoi se pafuqia e hyjnive pagane shpjegohet vetëm me plotfuqinë e Hyjit të vetëm të vërtetë, të cilin e adhurojnë të krishterët. Për këtë arsye e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, me shpatë.
Më 25 shkurt përkujtohet shën Lorenc Bai Ksiaoman. Shën Lorenci, zejtar, pak kohë pasi ishte pagëzuar, u gjet nën presionin e autoriteteve kineze, të cilat e urdhëruan ta mohonte fenë e krishterë. Për të mos braktisur fenë, pranoi torturat dhe dënimin me prerjen e kokës, që u ekzekutua më 25 shkurt 1856.
Më 26 shkurt përkujtohet Shën Aleksandri i Aleksandrisë, ipeshkëv. Përtëriu klerin e asaj dioqeze të rëndësishme, duke zgjedhur njerëz të drejtë, dhe ndërtoi kishën e madhe të Theonasit. Luftoi kundër Ariusit, heretik, pasi i kishte bërë të gjitha përpjekjet për t’ia ndryshuar mendjen në mënyrë atërore. Vdiq në vitin 328.
Më 27 shkurt përkujtohet shën Ana Lain nga Londra, e vejë dhe martire. Pasi i kishte vdekur i shoqi, i dëbuar nga Anglia për shkak të fesë katolike, ajo bleu një shtëpi për meshtarët në Londër dhe, për këtë arsye, pësoi dënimin me varje, gjatë mbretërimit të Elizabetës I, më 27 shkurt 1601. Bashkë me të u dënuan me vrasje me shpatë edhe meshtarët martirë Mark Barkworth, benediktin, dhe Roxher Filkok, jezuit.
Më 28 shkurt përkujtohet i lumi Timote Trojanovski, meshtar françeskan konventual. U arrestua nën pushtimin nazist të Polonisë dhe u dërgua në kampin e shfarosjes në Aushvic, ku, i këputur nga vuajtjet e pësuara për shkak të fesë në Krishtin, më 28 shkurt 1942 mbërriti fundin e udhës së gjatë të martirizimit.
Më 1 mars përkujtohet Shën Albini i Verçelit. Jetoi në shekullin V dhe u bë ipeshkëv i Verçelit në vitin 452, kur gjenerali Ecius sapo kishte mundur hunët dhe gotët, të cilët kishin rrënuar gjithçka. Mbi rrënojat e bazilikës së ndërtuar nga Shën Euzebi dhe mbi varrin e Shën Teofrastit martir, Albini rindërtoi kishën e re të qytetit.
Më 2 mars është e diel, festa e Zotit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama