HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-25 13:00:49
A+ A- Printo artikullin



Ipeshkvijtë spanjollë, në vizitë ad Limina



Ipeshkvijtë spanjollë janë në Vatikan. Papa priti dje grupin e parë të prelatëve të Konferencës ipeshkvnore spanjolle, që filluan, kështu, vizitën e tyre ‘ad Limina Apostolorum’. Për sfidat e sotme të Kishës katolike në Spanjë, flet, në mikrofonin tonë, atë José Maria Gil-Tamayo, sekretar i përgjithshëm i Konferencës ipeshkvnore:
Përgjigje: - Konferenca ipeshkvnore ka përcaktuar dy zona specifike impenjimi për ungjillëzimin: familja, e, prej këndej, mbrojtja e jetës dhe e martesës, si bashkim ndërmjet një burri me një grua dhe baritoria e shenjtërisë, në gjurmët e dy shenjtorëve të mëdhenj spanjollë: Shën Gjoni i Avilës e Shën Tereza e Jezusit, dëshmia e të cilëve është edhe sot e kësaj dite shumë aktuale. Posaçërisht, duam të vëmë në plan të parë Ungjillin e Familjes, në perspektivë pozitive, duke ia propozuar shoqërisë sonë me të gjitha rrugët e mundshme. Prej këndej, detyra jonë nuk është vetëm të denoncojmë ligjet ose ideologjitë, që janë në kundërshtim të plotë me botëkuptimin e krishterë e me ‘gramatikën’ e natyrës, siç e quan Benedikti XVI, por edhe të vëmë në dukje rolin pozitiv të familjes në shoqëri. Në këto kohë krize, që i prek posaçërisht më të varfërit, familja është bërë amortizator shoqëror, sepse për shumë njerëz mbetet tashmë streha e vetme, ku mund të mbrohet e të vijojë jeta. Kisha impenjohet ta thellojë këtë rol të familjes, duke e parë si vatër solidariteti, ku secili anëtar vlerësohet jo për atë që ka, por për atë që është.

Pyetje: - Diçka për shpresat e Kishës spanjolle?

Përgjigje: - Kisha spanjolle, në këtë çast synon të rigjallërojë fenë, të thithë me gjithë mushkëritë ajrin e freskët, që fryn në Kishë me ardhjen e Papës Françesku. E për këtë do të na ndihmojë edhe vizita ad Limina. Papa udhëhiqet nga Shpirti Shenjt e këtë e pamë edhe në Nxitjen Evangelii Gaudiium, që shpreh gëzimin e Ungjillit. Ne duam të përfshihemi në këtë udhë të re, në të cilën na dërgon Papa, për t’i dëshmuar botës mëshirën e Zotit. Dëshirojmë t’i shikojmë vështirësitë si mundësi. Besoj se Papa Françesku po sjell një stinë të re shprese e ipeshkvijtë spanjollë dëshirojnë ta marrin këtë sinjal e t’ua çojnë dioqezave e Kishave vendase.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama