HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-24 15:40:04
A+ A- Printo artikullin



Kardinajtë e rinj Langlois, Tempesta, Bassetti: “Misioni ynë, të shkrijmë jetën në shërbim të Kishës”



Ditë feste, këto të fundit, për Kishën e kardinajtë e rinj, që i përgjigjen, me emocione të thella, si ta kishin filluar së pari shërbimin meshtarak, ftesës për të thënë dy fjalë për dëgjuesit tanë.
Para mikrofonit, kardinali i ri Langlois, i pari në historinë e Haitit e të Kishës (e urojmë të kemi edhe ne, shqiptarët një kardinal të dytë), nuk flet asnjë fjalë për vete: e ka mendjen tek vendi i vet, nga më të varfërit e më të harruarit në botë. E, sikur të mos mjaftonte kjo, i dëmtuar rëndë edhe nga fatkeqësitë e natyrës, tensionet shoqërore e grindjet ndërmjet partive të panumërta politike.

Përgjigje: - Après le tremblement de terre, nous connaissons des difficultés …
Pas tërmetit, vendi kalon vështirësi të mëdha, posaçërisht familjet. Baballarët e nënat nuk janë në gjendje t’u përgjigjen detyrave ndaj fëmijëve. Në planin financiar, Haiti ka nevoja të pallogaritshme. Papunësia është në rend të ditës. 85 % e banorëve nuk marrin rrogë, prej këndej, jetojnë në një gjendje vërtet dramatike.

Pyetje: - Haiti konsiderohet vend me tensione të forta shoqërore e me ndeshje të ashpra ndërmjet partive. Ç’rol luan Kisha në këtë situatë?

Përgjigje: -Nous sommes engagés à mettre ensemble les différents partis politiques..
Jemi impenjuar t’i paqësojmë partitë e ndryshme politike e edhe institucionet, si parlamenti e qeveria, me qëllim që, duke dialoguar, të gjejnë rrugëdaljen nga kriza. Është impenjim, që sjell shumë rezultate, posaçërisht kur, në këtë dialog, tërhiqet vëmendja e shoqërisë civile. Synimi ynë është të arrijmë në nënshkrimin e një marrëveshjeje, për t’i dhënë fund kësaj krize. Gjithsesi, shpresojmë se do ta arrijmë marrëveshjen e edhe vënien e saj në jetë.

Nuk dëshiron të shtojë asnjë fjalë për emocionet e veta, kardinali haitian, me mendje e zemër në ishullin e tij të largët. Atëhere mikrofoni ynë i drejtohet kardinalit brazilian, Orani João Tempesta. Na flet kryesisht për përgjegjësinë e madhe që merr mbi vete: atë të shërbimit:

Përgjigje: - Për mua është përgjegjësi e madhe, prej këndej i kërkoj Zotit, e edhe popullit të Zotit, të lutet për mua, që ta jetoj e ta çoj përpara misionin tim. E ndjej se i gjithë qyteti i Rios është këtu, me mua; ëshë së bashku me Atin e Shenjtë, këtu pranë, për të më ndihmuar t’i shërbej Kishës e botës.

Më pas, ftojmë kardinalin e ri të Peruxha-Qyteti i Pieves, Gualtiero Bassetti, që thekson se kardinajtë e kanë për detyrë ta shkrijnë jetën në shërbim të Kishës. E pyesim ç’mendojnë besimtarët e grigjës së tij, tani që kanë një ipeshkëv-kardinal. E kardinali i ri përgjigjet:

Përgjigje: - Natyrisht për ta është një fakt, që i rilidh me Papën Leoni XIII (ish-kardinal i Peruxhës), i cili la pas një kujtim të pashlyeshëm historik: edhe kur shtegton nëpër dioqezë, i ndesh kudo gjurmët e veprimtarisë së tij baritore. Tani, në një çast kur Umbria kalon kohë të ngjashme me ato të Papës Leoni, kur, duke qenë zonë fare e vogël e ndjen edhe më shumë krizën ekonomike e morale, kjo për të është vërtetë përkëdhelje e Zotit dhe e Papës Françesku. Kështu e shikojnë njerëzit e janë krenarë që Papa zgjodhi pikërisht ipeshkvin e tyre…

Pyetje: - Papa ju tha ta pranoni kardinalatin me thjeshtësi e përvujtëri e ta shikoni jo si nderim, si vlerësim, por si shërbim. Si i pritët këto fjalë?

Përgjigje: - Po, vërtet, këto fjalë na bënë mirë e, nga që unë e ndjej veten bari në mes të grigjës, kardinalati në vetvete edhe mund të më trondiste. E jo pak! Po të më kishte thënë Papa: “Të bëra princ të Kishës!”, do të kisha ikur… Princ i Kishës… po kush jam unë? Po Papa më tha: “Shiko, po të kërkoj këtë shërbim, ndaj Kishës e ndaj meje.Veç mos e harro: është shërbim i përvuajtur, pa salltanete, nuk është shërbim nderi. Të kërkon ta shkrish gjithë jetën, gjithë kohën, për nevojat e Kishës. Si të mos e pranoja?






Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama