HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-25 13:00:38
A+ A- Printo artikullin



Kardinali Kapovila: Françesku, si Papa Gjoni, do kardinaj të shenjtë



Kardinali hyn në Kishë, jo në një Oborr mbretëror! Është një nga fragmentet më të forta të homelisë së Papës Françesku në Meshën e kremtuar të diel, në Vatikan, me 19 kardinajtë e rinj. Shoqëruar me porosinë për të ecur në rrugën e shenjtërisë. Këtë kujton kardinali Loris Kapovila, 98 vjeç, ish-sekretar i veçantë i Gjonit XXIII:

Përgjigje: - Ju përshëndes si prift romak, sepse kjo fjalë më kujton thirrjen time e atë, që Papa Gjoni XXIII ua thoshte gjithë priftërinjve të botës: “Prifti është ai djalë i ri që, i thirrur nga ipeshkvi, ngjitet në podium të elterit, për vendosjen e duarve apostolike: e në elter janë dy objekte: Meshari, zbulesa, e Kelku, lidhja e ngushtë me Zotin, kulti. Nis, kështu, rruga e shenjtërisë”. E pikërisht në rrugën e shenjtërisë na priu Ati i Shenjtë me homelinë e tij, në këtë vit, gjatë të cilit (27 prill) emrat e Gjonit XXIII e të Gjon Palit II do të shkruhen në Librin e Shenjtorëve.

Pyetje: - Kardinajtë duhet t’i shmangen sjelljeve karakteristike të oborreve, edhe këtë e theksoi Papa në homelinë e Meshës të së dielës…
Përgjigje: - Unë mendova atë, që më ka mësuar Papa Gjoni XXIII. Më thoshte: “Kujtoju, Loris, për të sotmen, për botën, ku jeton tani. Fol, prandaj, me urti, përvujtëri e besim. Për të kaluarën, kur është e mundur, fol mirë e falënderoi burrat e gratë, jo vetëm priftërinjtë e laikët, por të gjithë ata, që punuan para teje. Falënderoi për atë që bënë, pavarësisht nga kufizimet e kohës kur jetuan. Mos bëj parashikime për të ardhmen; nuk të takon ty, nuk të përket!”. Kujtova edhe fjalët e fundit të Papës Gjoni, që më tingëlluan si testament për Kishën e Tij katolike, të cilën e deshi pa masë: thoshte se për të jetuar si krishterë, duhet të mendosh gjëra të mëdha, të shikosh lart e larg. Po unë bëra shumë pak në jetë e prandaj e ndjej edhe më fort vogëlsinë time. E di se jam njeri i vogël, por e di edhe se pranë Jezusit, jam dikushi. Në emër të Krishtit mund ta fal mëkatin, mund ta luftoj të keqen, mund ta dëboj djallin. Në emër të Krishtit, mund të hyj edhe unë në shtëpinë e të sëmurit e t’i them: “Çoju e ec!”. Në emër të Krishtit, mund të pi edhe unë helme, të jetoj në një mjedis të shkristianizuar e të mbetem i gjallë. Të hyj në një mjedis të përlyer, e të mos përlyhem, sepse i vaksinuar me lutjen; mund të jetoj atje, ku jeta bëhet e padurueshme, sepse jeta ime me Krishtin është e shëndetshme, e krishterë, e fisme. Ky është mesazhi i Jezusit. Jezusi më ka thënë se në emër të Tij, e me ndihmën e Tij, unë, që jam njeri fare i vogël, me një thërrime kulturë, arsim e përvojë, unë, i pamësuari, mund t’i flas të gjitha gjuhët e botës, të përmbledhura në gjuhën e dashurisë!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama