HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-25 15:23:14
A+ A- Printo artikullin



Ju kumtojmë Lajmin e mirë – Kush është Marku



RealAudioMP3 Pasi kemi parë strukturën e Ungjillit sipas Markut, do të flasim, sot, për autorin e këtij libri. Marku u lind në Palestinë, ndoshta rreth vitit 20 para Krishtit. Për herë të parë përmendet në Veprat e Apostujve, ku flitet për mrekullinë e çlirimit të Pjetrit nga burgu, i cili “shkoi në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, që quhej edhe Mark” (Vep 12,12). Nga ky varg dimë se banonte në Jeruzalem dhe kishte dy emra, njërin hebre (Gjon) dhe tjetrin pagan (Mark).
Nuk kemi asnjë dëshmi historike për ndonjë takim të Markut me Jezusin, por dimë se ka qenë hebre, sepse në letrën drejtuar kolosianëve (4,10) thuhet se ishte kushëriri i Barnabës. Duke qenë se banonte në Jeruzalem, ka shumë mundësi që, të paktën, të kishte dëgjuar për Jezusin. Në Ungjillin sipas tij tregohet një ngjarje, për të cilën nuk flet asnjëri nga ungjilltarët e tjerë. Duke folur për kapjen e Jezusit në Kopshtin e Ullinjve, Marku thotë se Jezusin “e ndiqte një djalosh, i mbështjellë vetëm me një pëlhurë. E ndaluan, por ai e braktisi pëlhurën dhe iku” (Mk 14,51-52). Duke qenë se është i vetmi që na jep këtë dëshmi, ndoshta ky djalosh ishte vetë Marku. Dimë me siguri, sipas dëshmive të Besëlidhjes së re, se pak vite pas vdekjes së Mësuesit, apostujt dhe nxënësit e tjerë mblidheshin në shtëpinë e nënës së tij. Dimë edhe se ka qenë nxënës i Palit, në fillim, dhe pastaj i Pjetrit.
Në letrën e parë, Pjetri shkruan këto fjalë: “Ju përshëndet bashkësia e zgjedhur si ju, me banim në Babiloni, si edhe Marku, biri im”. Nuk është e qartë, a bëhet fjalë për Babiloninë e vërtetë, në afërsinë e Kajros së sotme, në Egjipt, apo për Romën. Në Romë gjendet një Bazilikë ndërtuar për nder të Shën Markut në vendin ku thuhet se kishte shtëpinë, kur jetoi në këtë qytet me Pjetrin. Pjetri dhe Marku mbërritën në Romë në vitin 41.
Nga Veprat e Apostujve mësojmë se është gjendur pranë Palit në disa udhëtime, si në Qipro (13,5), se ishte ndarë nga ai, për shkak të ndonjë mosmarrëveshjeje, dhe kishte shkuar me Pjetrin. Pali, megjithatë, disa vite pas ndarjes nga Marku, e kërkon përsëri rreth vitit 66, siç dëshmon letra që i shkruan Timoteut: “Nxitohu të vish tek unë sa më shpejt. Vetëm Luka është me mua. Merr Markun e sille me vete, sepse më duhet për shërbesën” (2Tim 4,9-11).
Pas vdekjes së Pjetrit në Romë, nuk kemi më lajme të sigurta për Markun. Tradita thotë se shkoi në Egjipt, ku themeloi Kishën e Aleksandrisë dhe qe ipeshkvi i parë i këtij qyteti. Një tjetër traditë thotë se, para se të shkonte në Egjipt, Pjetri e kishte dërguar në Akuile, për të ungjillëzuar veri-lindjen e Italisë.
Nuk kemi lajme të sigurta as për vdekjen e tij. Eusebi, historiani i parë i Kishës, thotë se vdiq në Aleksandri, ku, pasi e vranë, ia zvarritën kufomën nëpër qytet. Në vitin 828 dy tregtarë venedikas i rrëmbyen eshtrat e ungjilltarit në Aleksandri dhe i sollën në Venedik, ku ruhen edhe sot, në Bazilikën e ndërtuar për nder të Shën Markut.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama