HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-25 15:23:02
A+ A- Printo artikullin



Kalvari i imzot Nikë Prelës: kujtim, në tetëmbëdhjetë vjetorin e vdekjes



“Populli ynë nuk ka vrarë kurrë ndonjë armik. Do të meritonte Çmimin Nobel për paqen, sepse vërtet nuk e di si arrin ta durojë këtë shtypje. Ndoshta, ia arrijmë, sepse ne në Kosovë jemi të stërvitur me vuajtjet, jemi si gomari, që rrihet gjithnjë”. Këto janë fjalët e ipeshkvit katolik shqiptar, imzot Nikë Prelës(1918-1996), një nga etërit shpirtërorë të Kosovës, në kohën kur ajo përpiqej të arrinte qëllimet e veta pa dhunë. Bosht i Kishës Katolike dhe udhëheqës i krejt popullit shqiptar të vendit, i cili, pavarësisht nga vuajtja e vazhdueshme fizike e morale, mbeti në krye të Kishës deri në minutin e fundit, duke përsëritur shpesh: “Unë vuaj shumë, por Jezusi ka vuajtur edhe më shumë. Edhe populli im sot, vuan më shumë se unë”. E kujtojmë sot, në 18-vjetorin e vdekjes.RealAudioMP3
Imzot Prela lindi në Kotor të Malit të Zi, i nënti ndër dhjetë vëllezër e motra, në një familje shqiptare. E ëma, Cila, sëmurë rëndë gjatë shtatzanisë, u këshillua nga mjekët të abortonte, por nuk pranoi, sepse feja nuk i thoshte ta mbyste jetën, që sapo kishte filluar udhën në kraharorin e saj. Erdhi kështu në dritë Nika i vogël, i cili më vonë thoshte vetë, me mirënjohje: “Nëna ime rrezikoi jetën për mua e më lindi. Kjo do të thotë se Zoti i kishte disa plane”.
Pas shkollës fillore, frekuentoi gjimnazin dhe vazhdoi studimet për filozofi e teologji në Split e në Strasburg. Fillimisht familja ishte mjaft e pasur, por pas ardhjes së komunizmit, humbi gjithçka, mbeti në rrugë, pa shtëpi, e cila iu sekuestrua. Askush nuk donte ta shuguronte meshtar, djalin, të cilit i thoshin shpesh: “Shqiptar, nuk të do kush”. Si seminarist e student i teologjisë në Split i duhej të paguante takstën e qëndrimit, pavarësisht se ishte lindur në territorin e Jugosllavisë së atëhershme. U shugurua në rrethana dramatike më 13 qershor 1941, gjatë Luftës II Botërore, kur e vetmja siguri, siç thoshte vetë, ishte Zoti.
Famullitar në Jugosllavinë komuniste, u hodh në gjyq e u dënua tri herë. Faji i tij i vetëm: ishte prift katolik dhe shqiptar! Një nga kryegjykatësit e atëhershëm e pati pyetur: “A je ti ai që do më shumë Papën fashist se Titon komunist?”. Ipeshkvi i ardhshëm iu përgjigj me guxim: “Po. Për mua, për ne katolikët, Papa është pasardhësi i Shën Pjetrit, apostulli i parë i historisë, jo fashist siç thoni ju, por Atë e krye i Kishës… Ne jemi gjithnjë kundër ideologjisë ateiste e komuniste, kurrë kundër njeriut, sepse i duam armiqtë”. Fjalë, që kur iu thanë Papës Pali VI, e bënë të mallëngjehej e ta përqafonte e falenderonte ipeshkvin e Kosovës për besnikërinë e dashurinë ndaj Kishës, ndaj Papës e njeriut.
Si prift, Nikë Prela kaloi në burg gjashtë vjet, nën tortura. Dy herë u çua në internim, në kufi me Shqipërinë. Nga kjo anë e kufirit, akuzohej si sipiun i Shqipërisë, nga ana tjetër, si spiun i Jugosllavisë, prandaj, s’është për t’u çuditur që e vunë para skuadrës së ekzekutimit, së cilës i shpëtoi për trillin e ndonjërit prej persekutuesve. Por nuk u shpëtoi vuajtjeve e torturave në burg, ku ishte ngushëllim moral për çdo të burgosur. I mbajtur vazhdimisht nën mbikqyrje, nuk i dhanë asnjëherë pasaportën jugosllave, derisa u bë ipeshkëv.
Shugurimi i tij ipeshkvnor mban datën 21 dhjetor 1969, ditë e ftohtë dimri në Sarajevë, ku u caktua ndihmës për besimtarët e gjuhës shqipe në dioqezën Shkup-Prizren. Emërimi i erdhi nga Papa Pali VI, kur Jugosllavia ishte akoma e bashkuar e shqiptarët e Kosovës pa të drejtat, që gëzojnë sot. Me këtë gjest, Selia e Shenjtë deshi t’i jepte rëndësi bashkësisë shqiptare, pavarësisht se Beogradi vinte gjithnjë kushte e kufizime. Megjithëse jo nga Kosova, imzot Nikë Prela hyri thellë në shpirtin e kosovarëve dhe mori vendime, vlera e të cilave shihet e ndjehet edhe sot e kësaj dite.
Në vitin 1970, themeloi revistën “Drita”, pikë referimi për intelektualët shqiptarë e për ata, që e kishin për zemër zgjimin kulturor të popullit. Në vitin 1974, revista u bë edhe Shtëpi Botuese katolike, ku mund të botonin edhe shqiptarët e diasporës. U kujdes veçanërisht për thirrjet meshtarake, duke shuguruar shumë priftërinj, jo vetëm për dioqezën e vet, por edhe për mision. I kujtonte gjithnjë fjalët e Nënë Terezës: “Nëse Kisha nuk ka fryte do të thotë se nuk jeton, se nuk ka dashuri; nëse s’ka të rinj, të gatshëm t’i kushtohen plotësisht Zotit, do të thotë se në atë Kishë, ka diçka që s’shkon”. Baritoria e tij tregonte vemëndje të veçantë për familjet, për të varfërit. Vetëm në Ferizaj ndërtoi shtatë shtëpi për nevojtarët e përkrahu e mbështeti çdo nismë të Karitasit e të Shoqatës “Nënë Tereza”. Fillimisht nuk kishte marrëdhënie me bashkësinë islame, por më pas krijoi raporte të shkëlqyera edhe me ta, duke i hapur udhën dialogut ndërfetar.
Në vitin 1981, në kohën e demonstratave të shqiptarëve, e ngriti zërin në mbrojtje të minatorëve të Trepçës. I padëgjuar nga autoritetet jugosllave e serbe, denoncoi ku mundi, në selitë ndërkombëtare, padrejtësitë e vrasjet në Kosovë. I shkroi Konferencës Ipeshkvnore Evropiane, kur kryetar i saj ishte kardinali milanez Martini, por edhe presidentit të SHBA-ve, të Kinës e të Bashkimit Sovjetik. Peshkopit ortodoks serb Pavle i thoshte qartë: “Shkëlqesi, populli juaj, Kisha juaj po gabon rëndë”. Ishte optimist për fatin e shqiptarëve si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri dhe e përshëndeti me lot në sy hapjen e kufijve me atdheun mëmë.
Në vitin 1984, një aksident i rëndë rrugor e la në karrocë. Ashtu, takoi më 17 tetor 1995, Papën Gjon Pali II, i cili, duke e falenderuar për dëshminë e tij të krishterë, i pati thënë: “Kosova, plagë e shpresë e jona!” U tërhoq nga shërbimi ipeshkvnor më 18 shkurt 1996 e ndërroi jetë vetëm pak ditë më vonë, si sot, më 25 shkurt. Më 27 shkurt 1996, në funeralin e kremtuar në Prizren, morën pjesë mëse 35 mijë vetë, ardhur nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Shqipëria. Në mesin e tyre, besimtarë myslimanë e disa popë e besimtarë ortodoksë serbë e malazezë. Dikush, me dashuri plot mirënjohje, e pati quajtur “Plaku i Kosovës”, ndërsa për gjithë popullin imzot Nikë Prela mbeti “ipeshkvi ynë”.

(përkthyer me shkurtime nga "Madre Teresa nel Kosovo della riconciliazione", Giancarlo Salvoldi, Velar, 2003, f. 107-115)




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama