HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-02-25 15:22:46
A+ A- Printo artikullin



Papa për familjet: me lutjen tuaj, Kisha mund të marrë vendimet e duhura



Nevojitet lutja. E kërkon Papa Françesku, në Letrën drejtuar familjeve, në pritje të Asamblesë së përgjithshme të jashtëzakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mbahet në tetor, me temë: “Sfidat baritore për familjen në kontekstin e ungjillëzimit të ri”. Në tekstin e botuar në festën e Paraqitjes së Jezusit në tempull, Papa kujton se sot “Kisha është e thirrur ta kumtojë Ungjillin , duke u përballur me përparësitë e reja baritore”, që kanë të bëjnë me familjen.
Papa u drejtohet familjeve duke u paraqitur vetë tek pragu i shtëpisë së tyre. Thotë se sinodi i ardhshëm përfshin tërë “Popullin e Hyjit”, ipeshkvij e meshtarë, të shuguruar e laikë, nga të gjitha Kishat vendore të botës, të cilat marrin pjesë për përgatitjen e tij “me sugjerime konkrete dhe me ndihmën e domosdoshme të lutjes”.
“Mbështetja me anë të lutjes – shkruan Papa – është më e domosdoshme dhe kuptimplotë se kurrë”, veçanërisht nga ato që Papa i quan “të dashurat familje”. Asambleja sinodale u kushtohet veçanërisht familjeve, “thirrjes dhe misionit të tyre në Kishë e në shoqëri, problemeve të martesës, të jetës familjare, të edukimit të fëmijëve dhe rolit të familjeve në misionin e Kishës”. Ati i shenjtë, pra, bën thirrje “ta lusim shumë Shpirtin e Shenjtë, që t’u japë dritë etërve sinodalë e t’i drejtojë në këtë detyrë të vështirë”. Lutja e familjeve për sinodin e Ipeshkvijve do të jetë “një thesar i çmuar, që do ta pasurojë Kishën”. Kryetari i Këshillit Papnor për Familjen, Kryeipeshkvi Vincenzo Paglia, gjatë paraqitjes së letrës së Papës, vëren se Ati i Shenjtë synon të shpjegojë se familjet duhet të jenë jo vetëm objekti i vëmendjes, por edhe subjekti i ecjes sinodale, “duke qenë se janë pjesa më e madhe e Kishës”, “të shënjuara me sakramentin e martesës”.
Më tej Papa Françesku shpjegon se, pas sinodit të jashtëzakonshëm, vitin tjetër do të mblidhet sinodi i zakonshëm, i cili, edhe ai do t’i kushtohet familjes, ndërsa në vitin 2015 do të mbahet takimi i familjeve në Filadelfia. Për këtë arsye, Papa uron që, “me anë të këtyre ngjarjeve, Kisha të përshkojë një udhë të vërtetë përzgjedhjeje dhe të gjejë mjetet e përshtatshme baritore, për t’i ndihmuar familjet, që t’i përballojnë sfidat e tanishme me dritën dhe forcën që burojnë nga Ungjilli”.
Duke kujtuar festën e Paraqitjes së Jezusit në tempull, kur Zoja e Shën Jozefi, me fëmijën, takuan dy pleqtë, Simeonin e Anën, Papa na paraqet edhe një herë “dy prindër të rinj dhe dy njerëz të moshuar, që i mbledh Jezusi”, sepse – shkruan – “Jezusi i takon dhe i bashkon brezat”; “Ai është burimi i pashtershëm i dashurisë që tejkalon çdo mbyllje, çdo vetmi, çdo trishtim”. Në ecjen familjare, vëren Papa, përjetohen shumë çaste të bukura, si vaktet dhe pushimi, puna në shtëpi dhe argëtimi, lutja dhe udhëtimet, shtegtimet, veprat e solidaritetit. Por, “nëse mungon dashuria, mungon gëzimi, dhe dashurinë e vërtetë na e jep Jezusi: na jep fjalën e tij, që e ndriçon udhën tonë; na jep bukën e jetës, që na ushqen në mundin e përditshëm të ecjes sonë”.
Imzot Palja thotë se “po të mos ekzistonin familjet, fjala e Jezusit, fjala e Kishës, fjala e Papës mbi dashurinë martesore, që është e aftë t’i hapet dashurisë së Hyjit për të gjithë, do të ishte abstrakte”. Ja pse, përfundon kryetari i dikasterit për familjen, Papa u kërkon ndihmë familjeve të krishtera, u kërkon “ta ndiejnë përgjegjësinë e misionit të tyre në këtë kohë kaq të ngatërruar e të pështjelluar” dhe u thotë familjeve: “Letra jonë jeni ju”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama