HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-04 10:59:57
A+ A- Printo artikullin



Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët



Fillojmë, nesër, shtegtimin kreshmor. 40 ditë pendese, agjërimi, lëmoshe. Shtegtim jo i lehtë, për atë që dëshiron të ecë me të vërtetë në gjurmët e Krishtit. Si shenjtorët: modele feje e humanizmi. E martirët shqiptarë të të gjitha kohëve.
Zgjodhëm, si shokë udhe për çdo ditë të Kreshmëve 2014, 40 martirë shqiptarë. U munduan e u mbytën mizorisht thjesht nga shkaku i urrejtjes për Kryqin e Krishtit. Sot janë në pritje për t’u shpallur të lumë. Pa harruar se ka edhe shumë e shumë të tjerë, që i njeh veç Zoti.
Hapja e procesit dioqezan, aq të pritur, për lumnimin dhe shenjtërimin e tyre, u shpall më 10 nëntor të vitit 2002, nga prefekti i asokohshëm i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Kreshencio Sepe, gjatë kremtimit të Eukaristisë, në katedralen e Shkodrës.
12 vjet më pas, në sa të krishterët shqiptarë presin ditën fatlume, kur do t’i shikojnë në nderimet e lterit, ju ftojmë për shtegtim kreshmor në gjurmët e tyre, kah Pashkët e ngjalljes.
Kisha na i paraqet si shembuj virtytesh shpirtërore. Sepse na mësojnë të ndjekim plot gëzim gjurmët e Krishtit. Pa ndërlikime e pa mediokritete, duke ecur përvujtërisht në rrugën e persosjes e të dashurisë e duke përjashtuar gjithçka, që nuk është e denjë për jetën tonë si të krishterë. Secili nga ne duhet t’i kujtojë plot mirënjohje, sepse na përfocojnë në fe e na bëjnë ta ndjejmë mirësinë e afërsinë e Zotit.
Mjafton të sjellim ndër mend fjalët e tyre të fundit. Mund të përfshihen në fondin e fjalëve më tragjike të kulturës shqiptare. E qëndrimin e tyre para vdekjes, që meriton të quhet sublimim i Personalitetit njerëzor!
Nuk e kemi në mend të hyjmë në hollësira jetëshkrimesh. Ai që dëshiron, mund t’i lexojë në faqen e internetit, në adresën “Kisha katolike Shkodër”, Zyra për Martirët, ku jepen të dhënat kryesore për të dyzetët. Do të përmendim çastet më prekëse nga jeta e tyre, fjalët e fundit, amanetet nga banka e të akuzuarit, për t’u kujtuar në kohët tona, nga secili prej nesh.
Sepse sa herë t’i kujtosh fjalët e tyre apologjetike nga kjo bankë, nuk mund të mos u jesh mirënjohës për vetëdijën, që patën ndaj vlerës dhe figurës së tyre; nuk mund të mos i falënderosh që, besnikë të Kishës e të Kombit shqiptar, të cilin e përfaqësonin, jo përpara aventurierëve të veshur me pushtet, por para gjyqit të padukshëm, ditën të qëndrojnë si Krishti para Pilatit!
Urojmë që udha jonë kreshmore në gjurmët e tyre, të jetë peng, që mbi trojet shqiptare të mos ndodhin kurrë më mjerime të tilla. Që si njerëz, me ndjesi të krishtera, të falim me shpirt, sipas ligjit të dashurisë së Krishtit, ashtu si falën martirët. Njerëz me moral të krishterë, që nuk ushqen kurrë urrejtje ndër zemra.E kjo është përgjigjja, që u jep kultura e krishtenë kritikave kundër kultit të martirëve, të cilat nisën në mjediset antikatolike të të gjitha natyrave, e vijojnë edhe sot e kësaj dite. “Eshtrat e martirëve në tokën e të parëve, janë testamenti i tyre !”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama