HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-04 13:57:49
A+ A- Printo artikullin



Kardinali Turkson në Bratislavë: të mbrojmë lirinë fetare



Duhet ta ruajmë e ta mbrojmë lirinë fetare, sepse “ajo përmbledh lirinë e secilit për të jetuar sipas qasjes më të thellë personale ndaj të vërtetës”. Kjo është thirrja e fortë që drejtoi sot kryetari i Këshillit Papnor Drejtësi e Paqe, Kardinali Peter Turkson, në kuvendin me temë: “Kisha dhe të drejtat njerëzore”, në Bratislavë, organizuar nga Konferenca Ipeshkvore Sllovake. Në fjalën e tij, me temë “Të drejtat njerëzore dhe dinjiteti nga pikëpamja e Kishës Katolike”, kardinali Turkson theksoi se “liria fetare është e pandashme nga liria e të menduarit dhe e ndërgjegjes” dhe përfshin si mundësinë për të ndërruar fe, ashtu edhe atë për ta shfaqur fenë personalisht ose në bashkësi. Pasi nënvizoi se sot kjo liri nuk njihet e nuk mbrohet në të gjithë botën, kardinali vuri në dukje se “të krishterët janë grupimi fetar që pëson përndjekje për shkak të fesë në numrin më të madh të vendeve,” dhe “kjo situatë përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut”.
Prej këndej, thirrja drejtuar të gjitha qeverive, që të mbrojnë të drejtët e qytetarëve, “cilado të jetë feja e tyre”. Kardinali Turkson tregoi dy sfida të veçanta, që duhet të përballojë feja sot: shekullarizmin, që kërkon ta “kufizojë fenë brenda sferës së punëve private”, dhe fundamentalizmin, mirëfilli “falsifikim i fesë”, sepse në kundërshtim “me pajtimin dhe paqen me Hyjit”.
Kardinali bën ftesë për “edukim fetar” të kujdesshëm, që e ndihmon njeriun të kuptojë “ndihmën pozitive, që mund të japë feja e pastër”, kryeudha e vërtetë që – siç shkruante Benedikti XVI në mesazhin për Ditën botërore të paqes 2011 – “i mëson brezat e rinj t’i shikojnë të tjerët si vëllezër e motra”, anëtarë “të një familjeje të vetme njerëzore, nga e cila askush nuk është i përjashtuar”.
Gjatë fjalimi të tij të gjatë, kryetari i Këshillit për Drejtësi e Paqe theksoi se themeli i të drejtave njerëzore është “dinjiteti, që i përket vetvetishëm çdo personi” dhe se të drejtat janë “universale, të patjetërsueshme dhe të padhunueshme”. Për këtë, Kardinali Turkson e shikon me shqetësim “konceptimin relativist”, “që e ngushton fushën e zbatimit të të drejtave”, sepse mëton se domethënia dhe universaliteti i tyre ndryshojnë, sipas kulturave, politikave dhe shoqërive të ndryshme. Në të njëjtën kohë kardinali shprehu shqetësimin e tij për “ideologjitë që përpiqen t’i shkruajnë edhe një herë të drejtat e njeriut dhe të krijojnë të drejta të reja”, si “zhvillimi i të ashtuquajturave ‘të drejtat për riprodhim’, që lindin nga drama e abortit”; eutanazia edhe për të miturit; ideologjia e gjinisë; martesat homoseksuale.
Në fund kardinali kujtoi punën e Kishës Katolike, “aktore dhe protagoniste në përpjekjet për t’i kthyer në realitet të drejtat e njeriut”, sepse ajo “e mbështet vazhdimisht dinjitetin e çdo njeriu, si themelin e të drejtave njerëzore, dhe të drejtën për jetën, nga ngjizja deri në vdekjen natyrale, si e drejta e parë e të gjitha të drejtave të njeriut dhe parakushti për të gjitha të tjerat”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama