HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2014-03-04 13:58:31
A+ A- Printo artikullin



Në rajonet rusishtfolëse në Ukrainë, manifestime pro Moskës



Ukraina po jeton orë tensioni të jashtëzakonshëm. Nga Kievi vazhdojnë të denoncojnë mbërritjen e forcave ruse në Krime, por në zonat rusishtfolëse të lindjes dhe të jugut të vendit zhvillohen manifestime pro Moskës. Presidenti amerikan Obama e akuzon homologun e tij Putin se ndodhet “në anën e gabuar të historisë” dhe ndërpret bisedimet për rritjen e shkëmbimeve tregtare e të investimeve në Rusi. Moska përgjigjet duke kërcënuar se nëse do të jetë objekt sanksionesh, nuk do ta përdorë më dollarin si valutë e do të krijojë një sistem të vetin për llogaritë e pagesat. Gjithsesi, sot deklaroi se lufta do të jetë “opcioni i fundit”. Në kufi, që nga Simi në Donetsk, rusët kanë grumbulluar njerëz e mjete, gati për të hyrë në Ukrainë. Moska deklaron se nuk do t’i njohë zgjedhjet presidenciale të 25 majit, nëse zhvillohen në një atmosferë terrori.
Gjatë natës, ndeshje edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, megjithëse jo me armë. Nga njëra anë, fuqitë perëndimore, që dënojnë ndërhyrjen në ish-republikën sovjetike; nga ana tjetër Moska, që flet për ndërhyrje të justifikuar, pasi kërkuar nga Janukoviç, i cili është akoma president i ligjshëm për Rusinë. Cili është qëndrimi i Kishës Katolike dhe i të krishterëve në përgjithësi, në këtë situatë? Të dëgjojmë atë Mykhaylo Dymyd, me telefon nga Universiteti katolik i Lvivit:

Në profilin tim në Facebook njerëzit më pyesin: “Tani që lutemi bashkë, ndoshta mund të arrijmë edhe bashkimit e të gjitha Kishave në Ukrainë”. Njerëzit e ndjejnë thellë ç’po ndodh. Sot, ipeshkvi i Kishës ortodokse të Patrikanës së Moskës shkroi qartë se ne duhet ta quajmë Rusinë pushtuese. Prandaj, i kërkojmë Rusisë të kthehet në vendin e vet, sepse ia dalim vetë. E konfirmon ipeshkvi i Patrikanës së Moskës e kjo sjell shpresë, sepse do të thotë se të vërtetën e kërkojmë të gjithë, e pavarësisht nga vështirësitë, e gjejmë dhe e shprehim. Këshilli i organizatave fetare në Kiev, me përfaqësues nga Kisha greko-katolike, Kisha Katolike romake, konfesione të ndryshme ortodokse ( ka tri degë të mëdha të Kishës ortodokse në Ukrainë), nënshkroi një dokument për të kërkuar largimin e ushtrisë ruse nga Ukraina, sepse nuk kemi nevojë për të. Dua të falenderoj të gjithë ata, që janë lutur për paqen në Ukrainë, pasi kjo e ndihmon popullin të ruajë qetësinë në këtë “stuhi”. Populli ukrainas ka besim në Zotin.

I kërkuam një koment pedagogut italian të historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Salentos, Daniele De Luca. E ka rrezik të shpërthejë vërtet një konflikt?

E përjashtoj një gjë të tillë. Asnjë vend – kam parasysh vendet perëndimore dhe SHBA-të – s’ka ndërmend të hyjë në luftë për çështjen e Ukrainës. Pavarësisht se ka kaluar shumë kohë nga Konferenca e Jaltës, në botë, mbretërojnë akoma sferat e influencës. SHBA-të mund ta ngrenë zërin sa të duan, por si në rastin e Sirisë, nuk do t’i lëvizin trupat e tyre. Natyrisht, nuk do të rrinë duarkryq. Prej muajsh i kërkojnë Bashkimit Evropian të mos e nënvleftësojë krizën ukrainase. Edhe një herë, duhet nënvizuar mungesa e politikës së jashtme të përbashkët evropiane përballë çdo krize ndërkombëtare, mjafton të shihet qëndrimi i disa prej kombeve dhe veçimi i Gjermanisë.

Duket sikur çështja mund të zgjidhet thjesht me një “ballë për ballë” ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë, sidomos pasi Obama e dënoi rëndë ndërhyrjen ruse…

Çështja nuk është thjesht dypalëshe. Ka dy probleme që duhen marrë parasysh: njëri ekonomik e tjetri ushtarak. Të mos harrojmë se para pak kohësh, NATO-ja pati provuar ta rrethonte Rusinë me raketa për mbrojtjen, por Kremlini kundërshtoi fuqimisht. Gjithashtu, në Ukrainë kalojnë gazsjellës absolutisht themelorë për ekonominë e Evropës dhe për ekonominë botërore. Prandaj, konflikti e konfrontimi nuk mund të jetë vetëm dypalësh. Kjo është arsyeja për të cilën mendoj se përjashtimi i Rusisë nga G8-a është gabim i rëndë. Nuk mund të mos marrë pjesë në konferencat ndërkombëtare vendi më i interesuar. Kjo është raprezalje diplomatike kundër Rusisë, që nuk sjell frytet e duhura.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama