HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-05 12:17:56
A+ A- Printo artikullin



Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, imzot Vinçenc Prennushi



Ditën e parë të Kreshmëve, shok udhe kah Pashkët, kemi Imzot Vinçenc Prennushin, që na kujton të kërkojmë:
‘Mehr Licht!”- Më shumë dritë!RealAudioMP3

Imzot Vinçenc Prennushi (Shkodër, 04. 09. 1885- Durrës, 19. 03. 1949): françeskan, ipeshkëv i Durrësit, poet i ëmbël. U burgos e u torturua sepse nuk pranoi ta shkëpuste Kishën shqiptare nga Selia e Shenjtë; dha shpirt me 19 mars 1949 në birucë të burgut, i shtrirë në dheun e lagësht, të ftohtë, këmbëzbathur, si Shën Françesku, bir të cilit ishte!

Jemi në qelitë e sigurimit të kuq shqiptar, në një ditë të akullt marsi të vitit 1949. Në njërën nga nevojtoret e degës së punëve të brendshme të qytetit bregdetar, Durrësit, varet për krahësh një burrë rreth të gjashtëdhjetave, i veshur me rrecka. Kush e shikon ashtu varur, nuk mund ta besojë se ka para vetes një prej prelatëve të naltë të Kishës Katolike Shqiptare; një prej shkrimtarëve të rrallë të Rilindjes, ende gjallë; një burrë, që ia kushtoi gjithë jetën popullit të vet; një françeskan, që rri aty, vetëm pse ndjek besnikërisht Krishtin e jo diktatorin, i cili do të dëshironte ta dëbonte Zotin nga froni e të ulej vetë në vend të Tij. Ai, që shqiptarët e shikonin me nderim të madh, që e ruanin me mirënjohje si relike në peshtaf, që ishte simbol i së kaluarës, për të cilën krenohemi, ishte kapur përdhunë në një shtëpi të varfër katundi, ku kalonte, në vetmi të plotë, ditët e mbrame të jetës. Ishte mbyllur në qeli. Ishte torturuar. E tashti rrinte i varur kësisoji në nevojtoren e burgut të Durrësit, në maje të kodrës, prej kah mund të soditej një nga pejzazhet më të bukura detare. Kishte kohë që rrinte i varur, i ngrirë, kur dera u hap e një prej rojeve lëshoi një ulurimë me ta përqethë shtatin: “Ej, prift!”. Asnjë përgjigje. “Ej, ti, me ty po flas, priftooo. Do ta hapësh gojën, apo dëshiron të ta mbyllim përgjithmonë?”. Heshtje. Njeriu i varur, me sy të mbyllur, nuk jep asnjë shenjë jete. Roja del me vrap, pyet dikënd përjashta e kthehet rishtas. Hyp mbi një stol dhe e zbret njeriun gjysëm të ngrirë. E mbart mbi supe dhe flakon rishtas në qeli, ku duken disa hije njerëzish. Janë shokët mjerimit të ipeshkvit, të vënë në pranga si kundërshtarë të regjimit të kuq. Kur dera e qelisë mbyllet me zhurmë, hijet i afrohen me vrap imzot Vinçenc Prennushit, e marrin butë ndër krahë dhe e shtrijnë mbi kashtë. Dëgjohet një gjëmë e thellë. Ai ka dhimbje. Shumë. Kohët e fundit e detyruan të mbartë trupa të rëndë druri, derisa u rrokullis me gjithë ta, ndërsa rojet e shikonin këtë skenë e zgërdhiheshin. Ka dhimbje, të tmerrshme. Në korp e në shpirt. Por gjen ende aq forcë, sa të hapë sytë e, me zërin e tij, gjithnjë të butë e të ëmbël, ndonëse tejet të ligshtuar, t’u kërkojë shokëve të mjerimit: “Ju lutem, më shtrini përdhe. Kambëzdathë. Due me dekë si Sh’ Françesku”. E marrin përsëri me nderim atë trup të martirizuar dhe e shtrijnë mbi truallin e akullt të qelisë. Në sa këmbët nisin t’i ftohen, pëshpërit me një fije zëri: “Tash po i kujtoj fjalët e Gëtes: ‘Mehr Licht’- ‘Due dritë’- ‘Ma shumë dritë!’. Drita, të cilën e kërkonte në fill të mortjes Imzoti i sapo zbritur nga kryqi, nuk ishte, sigurisht, drita që shohin sytë tanë. Kërkonte dritën e ëmbël të qiellit, simbolin e jetës, për vete e për grigjën e vet. Ishte një ditë e ftohtë marsi e vitit 1949. Vetëm 55 vjet më parë...





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama