HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-05 12:57:48
A+ A- Printo artikullin



Mesazh i Papës Françesku për Fushatën e Vëllazërimit



Sot, të Mërkurën e Përhime, Konferenca Ipeshkvnore e Brazilit hapi zyrtarisht Fushatën e Vëllazërimit 2014, këtë vit, me temë “Vëllazërimi dhe trafiku i qenieve njerëzore”. Parrulla, që do të shoqërojë edicionin e 51-të të kësaj Fushate është shkëputur nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Galatasve (5,1): “Krishti na liroi që të mbetemi vërtet të lirë”. Nisma sensibilizimi, formimi e lutjeje do të tërheqin vëmendjen ndaj fenomenit të trafikut të njerëzve, sidomos në ato bashkësi të krishterësh, që impenjohen prej kohësh në luftën kundër tij. Vetëm në Brazil, së paku 200 mijë vetë janë kthyer në skllevër nga organizatat kriminale.
Me rastin e Fushatës, Papa Françesku u dërgon ipeshkvijve dhe të gjithë brazilianëve, një mesazh, me të cilin u kërkon t’i shoqërojë nga larg për krejt Kohën e Krezhmëve. “Nuk është e mundur – shkruan Ati i Shenjtë, duke iu referuar temës së Fushatës – të qëndrojmë indiferentë, kur marrim vesh se ekzistojnë njerëz, që blihen e shiten sikur të ishin mall! Të mendojmë për adoptimin e fëmijëve të destinuar për transplantimin e organeve, për gratë që gënjehen e detyrohen të kthehen në prostituta, për punëtorët e shfrytëzuar, pa të drejta, pa zë, etj.. Ky është trafiku i njerëzve”.
Papa i drejtohet ndërgjegjes së secilit. Duhet ta pyesim veten, shkruan, sa herë lejojmë që ndokush të trajtohet si objekt, përdoret për të shitur ndonjë mall, ose për të kënaqur dëshira të pamoralshme? E kritikon edhe dhunën në familje, Ati i Shenjtë, i cili thotë më pas një të vërtetë të madhe: të jeni të sigurtë, nëse unë fyej dinjitetin njerëzor të ndokujt, më parë e kam shitur timin. E këtë e kam bërë, vazhdon Papa, për pushtet, famë, pasuri… Por dinjiteti na vjen prej Zotit, kujton Papa Bergolio, e është paguar me gjakun e Krishtit në Kryq. Është liria për të cilën na liroi Krishti!
Së fundi, Papa u kërkon brazilianëve, por edhe të gjithë të krishterëve, të impenjohen që askush të mos jetë viktimë e trafikut të njerëzve. “Është baza më e frytshme – nënvizon Ati i Shenjtë – për të rivendosur dinjitetin e njeriut e për të kumtuar Ungjillin e Krishtit në fshatra e qytete, sepse Jezusi dëshiron ta çojë jetën kudo”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama