HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-05 18:18:58
A+ A- Printo artikullin



Papa kryeson procesionin dhe Meshën në Aventin, me ritin e përhimjes. Lutja, agjërimi e lëmosha, për kthimin e zemrave



Papa Françesku shkoi sot, në orën 16.30, në Kishën e Shën Anselmit, në Aventin, për Stacionin kreshmor dhe procesionin pendestar drejt Bazilikës së Shën Sabinës. Më pas, kremtoi Meshën Shenjte me ritin e bekimit të hirit dhe të përhimjes.RealAudioMP3
“Kthehuni me gjithë zemër kah unë”: me këtë frazë marrë nga Libri i Joelit(2,12), Papa Françesku i ftoi të gjithë të kthehen kah Zoti e ta shfrytëzojnë Kohën e Kreshmëve për të kuptuar ç’nuk shkon brenda vetes, në shoqëri e në Kishë e për ta ndryshuar, për ta pastruar zemrën, që të bëhet sërish e denjë për Hyjin. Kthimi i zemrave, nguli këmbë Ati i Shenjtë, është ai që përfshin krejt jetën, që sfidon rutinën e përditshme, që na bën të kapërcejmë pragun e “oborrit” tonë, për të shkuar drejt të tjerëve:
“T’ia hapim zemrën Zotit e vëllezërve. Jetojmë në një botë gjithnjë e më artificiale, në kulturën e ‘duhet bërë’, ‘duhet të jetë i dobishëm’, ku pa e kuptuar e përjashtojmë Zotin nga horizonti. Kreshmët na kërkojnë ‘të shkundemi’, na kujtojnë se jemi krijesa e jo Zoti… Vetëm kur i ndjejmë vështirësitë dhe vuajtjet e vëllezërve, vetëm atëherë mund të fillojmë udhën e kthimit të zemrës, drejt Pashkëve”.
Papa Françesku vuri në dukje tri elementet e udhës shpirtërore të Kreshmëve: lutjen, agjërimin dhe lëmoshën. Të tria e nxisin njeriun të mos i japin rëndësi dukjes, pasi vlera e tij nuk varet nga miratimi i të tjerëve, apo nga suksesi, por nga ç’ka ndërtuar brenda vetes. Ati i Shenjtë i mori këto tri elemente në dorë një e nga një. Së pari, lutja:
“Para shumë plagëve, që na dhembin e që mund të na e ngurtësojnë zemrën, jemi të thirrur të zhytemi në detin e lutjes, që është det i dashurisë pa fund të Zotit, për të shijuar dhembshurinë e Tij”.
E lutja e Kohës së Kreshmëve, vazhdoi Papa Bergolio, duhet të jetë më e thekshme, të marrë përsipër edhe nevojat e vëllezërve, për t’i paraqitur para mëshirës hyjnore. Elementi i dytë i kësaj periudhe pendese është agjërimi:
“Duhet të kemi kujdes e të mos agjërojmë formalisht, me një agjërim që duket sikur ‘na ngop’, sepse kujtojmë se jemi në rregull. Agjërimi ka kuptim nëse vërtet prek sigurinë tonë, nëse u sjell ndonjë dobi të tjerëve, nëse na ndihmon të jetojmë si Samaritani i Mirë, që përkulet mbi vëllain në vështirësi e kujdeset për të”.
Agjërimi na ndihmon të luftojmë padrejtësitë ndaj të varfërve, të mos shpërdorojmë, të kemi besim në Provaninë Hyjnore, nënvizoi Ati i Shenjtë, i cili foli më pas për elementin e tretë të Kreshmëve, lëmoshën. Ajo jepet pa pritur anjë shpërblim nga të tjerët, tha Papa:
“Sot, shpesh, dhënia falas nuk bën pjesë në jetën e përditshme, ku gjithçka shitet e blihet. Gjithçka është llogari e masë. Lëmosha na ndihmon ta jetojmë dhurimin falas, që është liri nga mania e pasjes, nga frika se mos humbasim ç’kemi, nga trishtimi i atyre, që nuk duan ta ndajnë mirëqënien me të tjerët”.
Kreshmët, përfundoi Papa Françesku, na kujtojnë se, përmes këtyre tri elementeve, është e mundur të realizojmë diçka të re brenda vetes e përreth nesh, pasi Zoti është gjithnjë gati të rifillojë çdo gjë nga e para. Në përfundim të kremtimit eukaristik, në Kurien e Përgjithshme aty pranë, Papa u takua me bashkësinë rregulltare të Domenikanëve.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama