HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-11 15:47:26
A+ A- Printo artikullin



Ç‘janë Kreshmët? Reflektim i don Albert Demajt



Gjatë këtyre ditëve kam menduar pak për Kreshmët, ç‘do të thotë realisht kjo kohë për ne? Pse ajo është aq e rëndësishme për Kishën dhe për ne, si besimtarë? Le të analizojmë së bashku Ungjillin e dielës së parë të Kreshmëve:
Në Ungjillin sipas Mateut (Mt 4, 1-11), bëhet fjalë për përgatitjen e Krishtit në lutje dhe uratë para veprimtarisë së vet mesianike. Në shkretëtirë takohet me Luciferin. Zhvillohet dialogu, ku dalin në pah tri tundime. Të mendojmë së bashku: ç‘është tundimi? Çka fshihet pas këtyre tundimeve dhe si i përgjigjet Krishti provokimeve të Luciferit? Cili është kuptimi tundimit? Secili prej nesh ka tundime, sprova të ndryshme në jetë. Dhe kur kemi tundime do të thotë se ne kemi mundësi të zgjedhim mes dy mundësive apo rrugëve, që shtrohen para nesh. Tundimi është ai që rrugën e vërtetë na e paraqet si të gabuar dhe të gabuarën si të mirë, të drejtë. Cilën zgjedh unë? Tundimi nuk është mëkat. Tundimi është madje, mjet i pastrimit tonë shpirtëror. Tundimi na mëson të jemi të përvujtë, se nuk mund të mbështetemi vetëm në fuqitë tona. Tundimi duhet të na nxitë të kërkojmë më shumë hirin dhe ndihmën e Zotit.

Tundimi parë: Nëse je Biri i Hyjit thuaju këtyre gurëve të shndrrohen në bukë!

Krishti ka uri. Si të mos ketë, kur që prej 40 ditëve jeton pa kushte në shkretëtirë. Interesant si Luciferi e sulmon identitetin e tij: Nëse je Biri i Hyjit… Luciferi nuk e tundon Krishtin direkt duke i ofruar bukë, por i sugjeron të përdorë pushtetin e vet për të kënaqur veten. Mundohet ta bindë që me fuqinë hyjnore të lehtësojë brengat tokësore. Eja, Jezus, shndrroji këta gurë në bukë, askush nuk do ta dijë. Njësoj do ta tundojë edhe në Malin e Ullinjve: Jezus, pse po vdes në Kryq, askush nuk do ta marrë për të madhe, nëse tërhiqesh… nuk vdes… Djalli e përqesh, bën hajgare me Krishtin. Ai kështu e përqesh edhe njeriun. Çdo herë, kur njeriu mbetet i ndershëm, dëshmon të vërtetën, është i gatshëm të falë, atëherë kur nuk pranon ta fitojë bukën me punë të ndyra, pa djersë, djalli i ofron jetën e njerëzve të korruptuar, të atyre që kanë fituar pasuri lehtë… Sot djalli këtë tundim na e paraqet ndryshe: Gjindu sot si të mundesh në jetë, ha, pi, kënaqu, sepse jeta është e shkurtër!
Por Krishti nuk pranon. Ai thotë: Njeriu nuk jeton vetëm prej buke. Krishti thekson se ushqimi fizik nuk është më i rëndësishmi. Nuk duhet në jetën tonë të dominojë apo të fitojë e mira materiale para asaj shpirtërore. Pra, ne nuk kemi nevojë vetëm për ushqim fizik, material, por edhe për atë shpirtëror.
Megjithatë Krishti, bën mrekullinë e shumëfishimit të bukës, kur ushqen me pak bukë 5000 burra. Gjithashtu, në përfundim të jetës së vet, nga dashuria për ne, vetveten e shndërron në bukë për të ushqyer shpirtrat tanë në meshën shenjte.

Tundimi dytë: Nëse je Biri i Zotit, kërce poshtë…

Luciferi përsëri e sulmon identitetin e Krishtit, bile kësaj here citon edhe Biblën. Mendoni, djalli përdor citate biblike. Tundimi dytë e nxit Krishtin të japë shfaqje: Hajde, le të mrekullohen njerëzit me ty, ata kur të shohin një mrekulli të tillë do të të duan menjëherë. Pra, tundimi parë - buka e, tani, spektakli. Luciferi njësoj do ta tundojë Krishtin në kryq: Zbrit nga kryqi, pse po mundohesh?
Sa besimtarë bien në këtë kurth të djallit? Jetojmë në një botë ku nuk e dimë më ç‘është mirë e ç‘është keq. Sot çdo gjë është normale?!!! A nuk është ky një tundim i djallit, me të cilin pajtohemi edhe ne si besimtarë: bashkëjetesa pa kurorë, shkurorëzimet, abortet, mosrespektimi i prindërve, thashethemet, gjykimet ndaj të tjerëve… Dhe djalli prapë na tundon duke na thënë: Mos u bëj merak, Zoti është i mëshirshëm dhe të do. Dhe besimtarët vazhdojnë të jetojnë në mëkat…
Po, Zoti është i mëshirshëm, na do, por Ai është edhe i Drejtë.
Krishti është i vetëdijshëm që vepra e Tij nuk varet nga mendimi apo pranimi i njerëzve, por vetëm nga Ati Qiellor. Ne njerëzit, shpeshherë, besojmë se suksesi i jetës sonë varet nga ç’flasin apo ç’shkruajnë të tjerët për ne. Por suksesi ynë i vërtetë është nënshtrimi ndaj vullnetit të Zotit. Pra, në Kreshmë duhet të pyesim, jo vetëm: ç’mendojnë apo ç’flasin të tjerët, por ç’mendon Zoti për ne?
E Krishti gjatë jetës së vet bën mrekulli spektakulare, por jo që njerëzit ta duartrokasin, por që të besojnë në Të dhe në atë që e dërgoi – Atin.

Tundimi tretë: Krejt do t`i jap, nëse më përkulesh…

Shumë interesante. Luciferi gënjen, ofron atë, që nuk është e tij. Lëvdohet me atë, që nuk i takon. Ai e di se Krishti ka lindur në varfëri dhe tani ia ofron pasurinë e tërë botës në këmbim të diçkaje krejt të vogël. Eja, Jezus, përkulu para meje, bëhu si unë. Të përkulesh para djallit, këtë nuk e bëjnë as të krishterët me besim të dobtë. Është vërtetë ashtu? Të përkulesh para tij do të thotë të bëhesh si ai. Të bëhesh si ai do të thotë të robërosh të tjerët, duke jetuar në urrejtje, dëshirë për të bërë keq, për të shkatërruar të tjerët. A nuk e bëjmë ne shpesh një gjë të tillë?!!
Po, Adami i vjetër gaboi, por Adami i ri, Krishti, i mban principet, parimet e veta: Adhuro vetëm Zotin…
Krishti pa menduar fare e largon tundimin, apo ofertën e djallit. E ne?

Kreshmët, vëlla dhe motër e dashur, nuk janë vetëm të tregojmë karakterin tonë të fortë duke lënë duhanin, rakinë, mishin…, deri për Pashkë. Kreshmët janë kohë kur ne duhet të shkojmë me Krishtin në shkretinë e zemrës sonë, që aty të takohemi me djallin, i cili na tundon çdo ditë, duke na nxitur të bëjmë mëkate të ndryshme kundër Zotit, e kundër njëri-tjetrit. Me forcat tona, kundër djallit dhe të keqës, nuk mundemi, por me Krishtin çdo gjë është e mundshme.
Këtë ia dëshiroj vetes dhe juve nga zemra: një udhë të bekuar kreshmore me Krishtin, që do të na çojë drejt ringjalljes, në një jetë të re me Të. Le ta gjejmë forcën dhe guximin, që gjatë kësaj kohe të Kreshmëve, me Krishtin, t`i themi djallit: Ik prej meje, sepse Rruga, e Vërteta dhe Jeta ime është Krishti.

Don Albert Demaj




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama