HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-11 13:53:33
A+ A- Printo artikullin



Atë Lombardi: nga Papa Françesku, impuls i fuqishëm për Kishën



Të shumta, komentet e këtyre ditëve, në prag të 1-vjetorit të zgjedhjes së Papës Françesku në fronin e Shën Pjetrit, përvjetor që do të festohet më 13 mars, ditën e enjte. RealAudioMP3 Vit intensiv, që ka zgjuar vëmendje të re për çështjet kishtare edhe ndër ata, që deri tani, nuk pyesnin për to. I drejtuam mikrofonin drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:

Gjëja kryesore e këtij viti është natyrisht vëmendja e madhe, interesimi i madh i njerëzve – them njerëz, për të mos thënë vetëm katolikë praktikantë, por të gjithë njerëzit e kësaj bote – pra, interesimi i madh për këtë Papë e për mesazhin e tij. Është diçka, që mendoj e shpresoj të jetë rrënjosur thellë në zemrat e njerëzve, të cilët e kanë ndjerë veten të prekur nga një fjalë dashurie, kujdesi, mëshire, afërsie, me të cilën, përmes Papës si njeri, arrin dashuria e Zotit. Do të kujtoja një sërë episodesh gjatë këtij viti, që për mua janë veçanërisht prekëse. Duke filluar nga dalja e parë në llozhën e Bazilikës së Shën Pjetrit e me gjithçka përfaqësoi ai çast, që ka mbetur i paharrueshëm. Pastaj, kujtoj larjen e këmbëve të të rinjve të burgosur, të Enjten e Madhe, pasdite. Kujtoj udhëtimin në Lampeduzë, me intensitetin e madh të afërsisë me njerëzit më të harruar e më të braktisur, si edhe me ata, që vdiqën në udhëtimin e shpresës e të dhimbjes, drejt një të ardhmeje më të mirë. Kujtoj Ditën Botërore të Rinisë në Rio, takimin e madh me rininë botërore, veçanërisht amerikanolatine, që festonte praninë e Papës në kontinentin e tyre. Kujtoj Asizin. Kujtoj dokumentin programatik – nëse mund të themi kështu – Thirrjen Apostolike “Evangelii Gaudium”, në të cilin kemi vërtet në dorë zemrën e Papës, shprehur qartë, gjerësisht, si program i papnisë së tij. Pastaj, Koncistorin e shkurtit. Këto etapa na tregojnë sa intensiv ka qenë ky vit, sa aspekte janë prekur e sa takime janë zhvilluar.
Papa dëshiron që Kisha të dalë nga sakrestitë, flet për reforma të nevojshme strukturore. Si po ndryshon Kisha Katolike?
Kisha më duket vërtet popull për udhë. Ky është tipari më karakteristik: ndjehet një dinamizëm i madh. Papa i ka dhënë një shtytje të madhe dhe ecën bashkë me një Kishë, që kërkon vullnetin e Zotit, kërkon misionin e vet në botën e sotme, për të mirën e të gjithëve, duke shkuar vërtet drejt periferive, drejt skajeve të botës. Papa ka folur shpesh për barinjtë, që janë para, brenda, pas grigjës, për ta ndihmuar të ecë, të gjejë udhën e vet. Më duket se ai është vetë kështu dhe e fton gjithë Kishën të ecë përpara. Ndjehet fuqishëm një dinamizëm, që karakterizon veçanërisht udhën sinodale, këtë rrugë të gjatë dy vjeçare, në të cilën Kisha reflekton për një pikë qendrore të përvojës njerëzore e kristiane, për familjen.
Papa Françesku kujdeset shumë për ata, që i qëndrojnë larg Kishës, dhe i shkund nga plogështia ata, që bëjnë pjesë në të…
Pa dyshim, sepse Zoti i sheh të gjithë. Papa ka arritur të shpjegojë se interesi i Hyjit, vështrimi i Tij, është për të gjitha krijesat, për të gjithë njerëzit e botës, pa harruar askënd. Kjo është shumë e rëndësishme e natyrisht, nuk e ka shpikur Papa Françesku. Por, ai arriti t’i japë një kuptim të fuqishëm, që njerëzit e ndjejnë thellë. Prandaj, vëmendja, që vjen nga organe shtypi jo të zakonshme, do të thotë se mesazhi u ka mbërritur. Të gjithë duhet të vihemi për udhë, kështu që edhe njerëzit, të cilët e ndjenin veten të qetë e të stabilizuar tashmë, përfshihen në këtë mision të madh e kjo është pozitive.
Cilat janë imazhet më domethënëse, që ju vijnë ndërmend nga viti i parë i papnisë?
Më vijnë ndërmend, sidomos audiencat e përgjithshme të së mërkurës: Papa, që kalon mes njerëzve, Papa që përshëndet, buzëqesh, takon e, në veçanti, ndalet me të sëmurët. Fakti që ai i zgjedh, janë të parët që përshëndet pas katekizmit, duke zbritur nga tremja e duke i kërkuar, më duket shumë domethënës. Të vuajturit, të brishtët, kanë përparësi në zemrën e Papës dhe të Kishës, sepse këtë përparësi ua jep Ungjilli.
Ç’do të thotë të jesh zëdhënësi i Papës Françesku?
Më duket shumë i bukur fakti që protagonist është vetë Papa, pra, ai që flet me fjalë, të cilat u interesojnë njerëzve, që bën përshtypje me formulimet e tij, është ai vetë, nuk ka nevojë për ndonjë ndërmjetësim të veçantë. Kjo, sipas meje, është shumë pozitive. E këtë kam dëshiruar gjithnjë: që Papa të arrijë drejtpërdrejt, pa distanca, pa pengesa, me fjalët e veta, në zemrën e njerëzve. Zëdhënësi – po e quajmë kështu drejtorin e Sallës së Shtypit – jep informacione, të cilat janë më shumë plotësuese, me karakter organizativ, njofton vendimet që merren e që janë të rëndësishme, por vetë fjala e Papës për njerëzit, për botën e për Kishën u arrin atyre drejtpërdrejt. Kjo më duket e bukur dhe themelore.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama