HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-11 13:55:12
A+ A- Printo artikullin



Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, dom Anton Zogaj



Ditën e shtatë të Kreshmëve, ecim përkrah dom Anton Zogajt. E takojmë në çastet e fundit para pushkatimit! RealAudioMP3
Dom Anton Zogaj (Kthellë, Mirditë, 26. 07. 1908- Porti Romak i Durrësit, 09. 03. 1948-) famullitar i Durrësit, sekretar i Imzot Prennushit, meshtar jashtzakonisht i përgatitur në të gjitha drejtimet, u burgos e u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjo të qelbur, në sa priste ditën e pushkatimit, 09. 03. 1948.

Para plotonit të pushkatimit, njeriu më i lirë

9 mars 1948. Porto Romano. Bregdet. Në muzgun e ditës së pranverës, një figurë e zezë rri pa lëvizur. Ka përballë njerëz të armatosur deri në dhëmbë. Është Dom Anton Zogaj. Mezi qëndron në këmbë. Era ia merr palët e veladonit, pa pulla, e ai duket sikur përgatitet për të fluturuar, diku. Është fillimi i pranverës së vitit 1948. Ditët e para të stinës së bukur, e fundmja në jetën e tij mbi tokë, i kishte kaluar në banjot e sigurimit, kthyer në qeli, thjesht për t’i poshtëruar klerikët, duke i flakur në vendet e fundrrinave më të neveritshme. Aty e kishin dërmuar për vdekje. Dy hapa larg tij, dergjej Imzot Prennushi, të cilit i shërbente si sekretar, kur e arrestuan. S’dihet se pse, deshi t’ia linte pikërisht Imzotit kujtim pullat e veladonit. Ia doli t’i këpuste e edhe t’i nxirrte nga qelia. Prandaj i fluturonin palët e petkut meshtarak të shkopsitur, në mes të natës, në terrin e praruar, buzë deti. E ai dukej si albatros, që rrihte krahët kah horizontet pa kufi...
I armatosur deri në dhëmbë me Kryq e me uratë, ishte radhitur me ushtritë e së mirës. Ishte, pra, në krye të detyrës së tij historike aty, para plotonit të ekzekutimit, i larë në gjak, duke pasur mirë parasysh se historia e njerëzimit nuk është tjetër, veçse një betejë e vazhdueshme ndërmjet mbretërisë të së mirës e mbretërisë të së keqes, mbretërisë së Zotit, themeluar nga Jezu Krishti që prej amshimit, e mbretërisë së djallit. E kështu, deri në ditën e gjyqit të mbramë. Ishte ndeshur me një ideologji, që kishte pushtuar gjysmën e botës, armatosur me armët më moderne. E megjithatë, kishte frikë nga Prifti i thjeshtë, dridhej nga uji i bekuar, nga Kryqi e Bibla, që mbante ndër duar kur i vunë prangat. Kujtonin se duke ia hequr duarsh Librin, mund t’i hiqnin edhe fenë. Jo, fenë nuk mund t’ia prekte askush. Ajo ishte atje thellë, thellë, ku nuk mund të hynte asnjë dorë, asnjë plumb. Në atë vend mund të prekte vetëm dora e Zotit. Prandaj mund të thoshte me plot gojë se ishte njeriu më i lirë, derisa ikte nga kjo botë me shpirtin krejtësisht të lirë.
Pas një shtegtimi 40 vjeçar, nga Kthella e Mirditës, ku kishte lindur, në Gjakovë, në Seminarin Papnuer të Shkodrës, në Trening të Austrisë, në Durrës, sekretari i ipeshkvit të Qytetit bregdetar, dishepull i Krishtit, shtegtonte kah një pranverë tjetër...







Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama