HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-13 12:26:21
A+ A- Printo artikullin



Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, dom Dedë Malaj



Dom Dedë Malaj (Mali Kolaj, Velipojë, 16. 09. 1917- Shkodër, 12. 05. 1959), mbeti i paharruar në kujtesën e popullit për mbrojtjen heroike të fesë së krishterë, në gjyqin e organizuar kundër tij, që e dënoi me vdekje. U pushkatua në breg të Liqenit të Shkodrës më 12 maj 1959. Vjen mes nesh, nga prova e madhe, gjithnjë 42 vjeç.RealAudioMP3

Bariu i grigjës, ballë për ballë ujkut
Sa herë këto vite, kur fjala mort s’bën, është folur për disidencën e disidentët. Domethënë për ata trima që, me fjalën e folur e të shkruar, iu kundërvunë tiranisë. Është folur, duke pohuar e, më shumë, duke mohuar. Pa u ndaluar kurrë seriozisht me dokumente e dëshmi, tek denoncimi, që i bëri kleri katolik diktaturës! Ballë për ballë. Mjafton të kujtojmë jezuitin shqiptar, atë Pjetër Meshkalla. E dom Dedë Malajn, figurë e spikatur e klerit katolik, që i përballoi burrërisht dhunën e vdekjen. I akuzuar, u kthye në akuzues. I gjykuar, në gjykatës të sistemit komunist.
Gjithnjë me shqetësimin për t’i ruajtur të pakëputura fijet, që duhet ta mbanin lidhur grigjën katolike shqiptare, me grigjën universale, me Kryebariun, Papën.
Ia doli të niste një letër, aktakuzë për gjithçka ndodhte në një vend ku, për shkak të nënshkrimit të Statutit të Kishës Katolike, vihej në dyshim deri vlera e shugurimit të bagmit shenjt, bazë për sakramentet. Duhet të arrinte në adresë të dom Ivo Božić, në Mal të Zi, prej nga do të vijonte shtegtimin në drejtim të Vatikanit. Sintezë e plotë e tragjedisë së klerit katolik në Shqipëri, nuk ra kurrë në dorë të Papës. Duket se edhe rreth dom Ivos kishte ‘dashamirë’ të sigurimit të shtetit shqiptar e ndoshta, më parë, të UDB-së. Histori e gjatë, kjo, që meriton të studiohet më thellë.
Atëherë prifti i ri, i shuguruar në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë, në Gjenacan, më 1941, për të shërbyer, pastaj, në Velipojë, Samrish, Obot e Dajç të Bregut të Bunës, u kap e iu shtrua torturave, derisa doli në gjyq, i dërmuar fizikisht, por jo shpirtërisht.
Gjyqi u zhvillua në Kinema Republika. E pranishme, grigja e meshtarit, e sjellë aty, në mes të ujqërve, me detyrim. E tmerruar për vdekje …
Farsa, që duhet të vërtetonte se teza e ekzistencës së Zotit ishte rrëzuar me kohë, nisi me një akuzë, të denjë për komeditë e Molierit. Gjatë kontrolleve, meshtarit i kishin gjetur në qelë një kamerdare makinash. Në atë sallë kinemaje, që kishte parë gjithfarë komedish, kamerdarja pësoi një metamorfozë të çuditshme: u shndërrua në varkë, në trap, e në fund, edhe në anije me avull.
E paharrueshme për besimtarët katolikë, Fjala e Meshtarit. Burim krenarie për të krishterët e himn për lirinë:
“Unë jam meshtar katolik. E atdhetar. I zvarritur këtu, pa asnjë faj para atdheut, para grigjës e, sidomos para Zotit, që ma besoi. Për një gja të vetme, po, mund të fajësohem. Jam kundër komunizmit qysh se kam marrë mend e shqise. Kundër ‘parrizit komunist’, ku luftohet për kafshatën e bukës thatë. Ku jeta kalon në radhët e gjata para dyqaneve të ushqimit. Ku tregu asht krejt bosh. Ku ndërtohen uzina e fabrika, që s’janë tjetër, veçse një grumbull hekurishtesh, prodhue në fillim të shekullit në trojet e ‘mikut’ të madh’, Bashkimit Sovjetik. Që na dhuron ndryshk e na merr gjithça të mirë ka mbetë në këto troje. Ku katundi vijon të tjetërsohet, tue u kthye në kooperativë bujqësore, domethanë, në kamp përqendrimi. Kam, faj, po, para jush. Si kundërshtar i rreptë i komunizmit. E ç’asht edhe ma keq, krenohem, që më krijuet mundësinë me u ba zadhanës i grigjës seme, si bari i saj. Me e mësue si të jetojë edhe pa mue. Sepse unë, ajo, e edhe ju të gjithë, jemi në dorë të Zotit. Që gjykon, po nuk ka forcë në botë që mund ta gjykojë!”.
Kur gjyqi përfundoi, duke e dënuar me vdekje, katolikët dolën nga salla të lum, me bindjen se nuk do të mbeteshin kurrë si dhentë pa grigjë e pa bari, lakuriq në mes të ujqërve!
U pushkatua më 12 maj 1959 në Breg të Liqenit. Ishte vetëm 42 vjeç. Reliket e tij u rivarrosën me nderim më 10 tetor 1991, në Dajç të Bregut të Bunës, prej nga vijon të na kujtojë kohët, kur u ngrehën lojë gjyqesh, me vendime të marra para gjykimit e me pranga në këmbë e duar burrash.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama