HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-03-12 16:45:28
A+ A- Printo artikullin



Ushtrimet shpirtërore: jo besimi fetar, por mëshira e Zotit e shpëton njeriun nga mëkati



Një reflektim mbi fuqinë e mëshirës së Krishtit, që e shpëton njeriun në kërkim të Tij nga çdo mëkat dhe një mendim mbi ndryshimin ndërmjet gjuhës, që komunikon dijen e Hyjit e asaj, që ndalet tek dija e botës. Mbi këto dy tematika i përqendroi imzot Anxhelo De Donatis meditimet, mbajtur dje pasdite e sot paradite, në praninë e Papës e të Kuries Romake, që prej katër ditësh në ndjekje të ushtrimeve shpirtërore të Kreshmëve.

Jezusi ishte komunikator i shkëlqyer jo pse përdorte fjalë, që synonin të bindnin me çdo kusht, por pse transmetonte dijen e Hyjit, të vetmen, që është në gjendje të arrijë në fund të zemrave. Në takimin e sotëm, imzot Anxhelo De Donatis, u propozoi Papës dhe bashkëpunëtorëve të tij një reflektim kushtuar gjuhës e grackave të saj. Asaj gjuhe, që kocka s’ka e kocka thyen! Njeriu i sotëm, vërejti, është ende në kërkim të gjuhës së duhur, asaj të Krishtit. Nuk është gjuhë e forcës, e pushtetit, por gjuhë e ligështisë, që e kuptojnë të gjithë, posaçërisht, njerëzit e vuajtur. Gjuhë mëshire, me të cilën Jezusi përcjell madhështinë e Hyjit, duke e bërë njeriun, që e përvetëson, të aftë të japë dëshmi për vetë Krishtin.

E dashuria, e kuptuar si mëshirë, ishte në qendër të vëmendjes edhe në meditimin e zhvilluar nga imzot De Donatis dje pasdite, frymëzuar nga fragmenti i Ungjillit të Shën Markut, në të cilin gruaja me hemoragji, shërohet vetëm me një të prekur të mantelit të Jezusit, gjest në të cilin i kishte varur të gjitha shpresat. E dënuar nga feja e saj si e papastër, pohoi predikatari i ushtrimeve, gruaja e mund sëmundjen, sepse beson me gjithë zemër në Jezusin. E kjo mund të ndodhë edhe sot, shtoi predikatari, kur feja nuk lejon të shpëtohet njeriu, që po vdes për shkak të një mëkati. Njeriun e shpëton Krishti, pohoi ptrdikatari, e shpëton mëshira e tij; e të kesh fe, do të thotë të kesh lidhje të ngushtë me Krishtin e gjallë. Ndërtohen skela vigane për të arritur tek Krishti, por nuk arrihet, ndoshta sepse ndiqet tepër mendësia e botës e mendohet pak për kuptimin e Pagëzimit, domethënë, për çastin kur Kisha na dha jetë, falë gjakut të Krishtit. Ne, përfundoi predikatari i ushtrimeve, nuk bëjmë asgjë për ta shpëtuar vetveten, gjithçka e bën Zoti. Prandaj duhet ta falënderojmë e të mos harrojmë kurrë të ecim, jo para Krishtit, por me Krishtin.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama